Prifti dëshmon 3 orë në Prokurori: Tom Doshin tentuan ta vrasin, u takua me Frrokun

Mar 11, 2015 | 8:03
SHPËRNDAJE

Ish-ministri Dritan Prifti dëshmoi dje në Prokurori për tri orë para grupit të hetimit të ngritur për akuzat e deputetit Tom Doshi. Në dëshminë e tij në organin e akuzës, mësohet se Dritan Prifti ka mbështetur deklaratat e deputetit të Shkodrës, duke pohuar se në dijeninë e tij ka pasur një skenar për vrasje.

 

Dritan Prifti duke dale nga Prokuroria per Krimet e Renda

Prifti ka pohuar para prokurorëve se për këtë çështje ka marrë dijeni në tetor të vitit 2014, duke pohuar se Tom Doshi është takuar dhe ka komunikuar disa herë me deputetin Mark Frroku në lidhje me këtë çështje. Sipas ish-ministrit, autoritetet shtetërore ishin informuar shumë kohë më parë për çështjen, para se ai te merrte dijeni në lidhje me skenarin e vrasjes së dy deputetëve.  

Prifti ka pranuar se ishte në dijeni të komunikimit që deputetët kanë pasur me Durim Bamin, personi që pretendohet se pasi ka marrë porosinë për vrasje, ia ka bërë atë të ditur Tom Doshit.

Prifti ka pohuar se pas marrjes dijeni për çështjen, Tom Doshi ka rritur masat e sigurisë për veten e tij, ndërsa ka bërë përpjekje që të sigurohej edhe jeta e “të penduarit” të kësaj çështjeje, Durim Bami. Pasi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Dritan Prifti tha se “ka pasur komplot, ka pasur skenar të mirëmenduar për të vrarë deputetin Tom Doshi”. Prifti theksoi se dëshminë e tij e kërkuan prokurorët, pasi kryetari i Kuvendit Ilir Meta kishte përmendur emrin e Dritan Priftit gjatë sqarimeve të dhëna në organin e akuzës pak ditë më parë.

AKUZA METËS E FRROKUT

Dritan Prifti dje pas dëshmisë në Prokurori

Dritan Prifti ka bërë dje akuza ndaj deputetit Mark Frroku dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Pasi dha dëshminë në Prokurori, Prifti iu referua qëndrimit të mbajtur nga deputeti Mark Frroku, që ka mohuar të ketë dijeni për skenarin e vrasjes së deputetëve.

“Nuk jam Mark Frroku, unë erdha këtu dhe deklarova të vërtetën. Nuk më tremb asnjë lloj presioni apo kërcënimi për të shtrembëruar të vërtetën. Mark Frroku ka hallet e tij dhe detyrohet të mos tregojë të vërtetën”, theksoi Prifti gjatë deklaratës së tij.

Ai tha se para prokurorëve ka deklaruar takimet që kanë bërë Tom Doshi, Mark Frroku, Durimi (Durim Bami). Prifti deklaroi se ka dijeni edhe për shkakun e ngjarjes. “Arsyeja është urrejtja që Ilir Meta ka pasur për publikimin e videos së korrupsionit ndaj tij nga unë dhe Tom Doshi”, theksoi Prifti.

“S‘kam video për Shkëlzen Berishën”

Dritan Prifti mohoi dje të ketë ndonjë video për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. “S’kam asnjë video për Shkëlzen Berishën. Këto janë taktika që është duke përdorur Meta për të fituar një pjesë të elektoratit të majtë. Janë taktika që shtrembërojnë drejtësinë e nuk çojnë në zbulimin e të vërtetës. Janë taktika që edhe pulat e mia në Koplik i kuptojnë, e jo më shqiptarët”, theksoi Prifti pasi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Deklarimi në fjalë erdhi pas disa fjalimeve të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar, ku është pretenduar se Dritan Prifti ka një video me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura