Dekriminalizimi, PD: Ja 3 kandidatët e PS-së që kanë probleme me ligjin

Apr 27, 2015 | 19:51
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike thotë se është dyshja Rama-Meta, siç e quan ajo, që po pengon procesin e dekriminalizimit.

Në një deklaratë për shtyp, pas debateve të sotme në komisionin për Dekriminalizimin, PD thekson se kjo sjellje dëshmon qartë “në sytë e publikut se nuk e duan dekriminalizimin, se nuk ndahen dot nga inkriminimi masiv që kanë mbjellë në çdo zyrë e institucion”.

Partia Demokratike

Pasi deputeti socialist Taulant Balla tha sot në komision se 7 emra të PD rezultojnë me probleme në listat e kandidatëve për kryetarë Bashkie, PD i kundërpërgjigjet këtyre deklaratave:

“Dyshja Rama-Meta përpëlitet e nxjerr gjithfarë justifikimesh, për të mbrojtur trafikantët dhe kriminelët që i kanë në Parlament dhe në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie, që i përdorën më parë dhe mbahen me shpresë t’i përdorin prapë për të blerë votat.

Shqiptarët sot vuajnë për bukën e gojës ndërsa kandidati socialist për Bashkinë e Policanit, Adriatik Zotka është kallzuar penalisht për fshehje të 1.5 milionë eurove. Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra ndërsa trafikantët e drogës dhe protistucionit janë sot kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë, Ervin alias Elvis Roshi ne Kavajë e gjetkë.

Qytetarët burgosen se lyejnë shtëpitë e tyre ndërsa ministri i Mirëqenies Personale Erjon Veliaj, dhe pse është kallzuar penalisht, u mor në mbrojtje nga Policia pasi ndërtoi vetë pa leje”,- thuhet në deklaratën e PD-së.

Teksa apelon: “Asgjë dhe asnjë shpifës i dënuar me vendim gjykate, si Taulant Balla, nuk do t’a ndalë procesin e dekriminalizimit”.

PD gjithashtu u shpreh mirënjohje Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës “në këtë proces jetik për të sotmen dhe të ardhmen e vendit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura