Akuzat/ Ç’ndodhi gjatë takimit, pse dështoi për herë të dytë tryeza e Këshillit Politik

Sep 19, 2020 | 14:46
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Tryeza e dytë e Këshillit Politik brenda kësaj jave ka dështuar në të njëjtën mënyrë si ajo e së hënës.tryeza

E filluar prej orës 12:00, mbledhja e djeshme e Këshillit Politik nuk zgjati si zakonisht, por u ndërpre ende pa bërë një orë. Përfaqësuesit dolën njëri pas tjetrit nga mbledhja duke përsëritur qëndrimet e tyre të së hënës dhe duke akuzuar kundërshtarët për bojkotim të punës për Kodin e ri Zgjedhor.

Të parët që dolën para mediave ishin përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Të dy ata ritheksuan qëndrimin e tyre për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR në lidhje me formimin e koalicioneve parazgjedhore.

BYLYKBASHI

Bylykbashi në fjalën e tij tha se me sjelljen që PS po demonstron në këto dy mbledhje të Këshillit Politik po shkel të dyja marrëveshjet, si atë të 14 janarit, edhe atë të 5 qershorit.

“Ne sot (dje) sollëm kërkesën zyrtare të opozitës, kërkesë me shkrim për të aktivizuar mekanizmin e zgjidhjes së mosdakordësive që ka marrëveshja e 14 janarit e cila në mënyrë fare të qartë thotë: palët kërkojnë konsensus dhe nëse konsensusi nuk arrihet, Këshilli i drejtohet OSBE-ODIHR-it për asistencë për të gjetur zgjidhje të pranueshme. Ajo që po kërkojmë ne është pikërisht gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme konsensuale. Partia Socialiste insiston që të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakordësuar për 17 vjet deri më datë 21 korrik 2020. Për këtë ka mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga Partia Socialiste që nëpërmjet Këshillit t’i drejtohemi OSBE-ODIHR. Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i maxhorancës.

Ne ia bëmë të qartë që japim kohën për të reflektuar, jemi këtu dhe presim që sapo zoti Gjiknuri të bjerë dakord, të vazhdojmë punë për çështjet e tjera. Por çështja për koalicionet, që të ruhen ashtu siç janë sot në Kodin Zgjedhor me konsensus edhe më 23 korrik, ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje ekspertize nga OSBE-ODIHR. Ne nuk lëvizim nga kërkesat tona.

Koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura. Le të kuptojmë diçka. Në këtë moment, siç tha edhe zoti Vasili, PS po bojkoton marrëveshjen e 14 janarit. Marrëveshja e 14 janarit funksionon si një e tërë dhe jo me pjesët që i interesojnë zoti Gjiknurit apo PS-së”, tha Bylykbashi.

GJIKNURI

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshill tha se kërkesa e opozitës për të marrë një mendim ekspertize nga OSBE/ODIHR është vetëm një tentativë për zvarritje.

Sipas tij, opozita po kërkon që të krijojë një krizë artificiale për të justifikuar frikën e saj nga zgjedhjet.

“Sot, PD bojkotoi Këshillin Politik, megjithëse ishte ajo kërkuese e mbledhjes. E bojkotoi me të njëjtat qëllime që kanë synim, të hedhin në erë këtë proces dhe të krijojnë një krizë artificiale. Stiset një debat i kot. Këtu po bëhet sikur po zihen për procedurë. ODIHR është organizate e specializuar për të dhënë mendim juridik mbi produkte konkrete. Sot, ne sollëm një produkt. Është një draft që kërkon imputin e të gjithë. Parashikon koalicionin, vota për çdo kandidat dhe mekanizmat për ndarjen e mandateve. Hajde të punojmë me një draft, koha nuk pret. Në tetor fillon KQZ e re dhe duhet të përgatiten të gjitha aktet. Afati është shumë i shkurtër. Ne kemi definicion për koalicionet aty. PD do krizë artificiale dhe do t’u thotë shqiptarëve që këto janë ndryshime të njëanshme. Këto janë sebepe për të justifikuar krizën e tyre të brendshme”, u shpreh Gjiknuri.

BARDHI: RAMA DOLI ZBULUAR ME PROPOZIMIN PËR LISTAT

Bardhi-Vasili-bylykbashi-konference keshilli politik-listat e hapura3 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi një zbulim të qëllimit të vërtetë të Kryeministrit Rama, pas draftit që propozoi dje PS në Këshillin Politik. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Gazment Bardhi theksoi se dokumenti i PS tregon edhe një herë se shqetësimi i Ramës nuk është lista e hapur, por ndryshimi i rregullave sa i përket formimit të koalicioneve, por edhe për shpërndarjen e mandateve. Për numrin 2 të Partisë Demokratike, kjo gjë tregon se Kryeministri Rama mashtron dhe nuk bën ashtu siç thotë, por se këtë herë as hilet nuk do e shpëtojnë dot. “Edhe kësaj here u provua se Edi Rama ‘tjetër thotë dhe tjetër bën’. Sot doli zbuluar para çdo shqiptari. Nuk ka merakun e votës së qytetarëve, se nuk e ka pasur që prej 22 viteve në politikë. Propozimi zyrtar i PS është: Listë e mbyllur 100%, por ndryshim i rregullave për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve. PD dhe Opozita e Bashkuar e ka paralajmëruar këtë që nga dita e parë! Qëndrimi i PD dhe Opozitës së Bashkuar është i qartë: Listë e hapur 100 % dhe kërkesë zyrtare për OSBE-ODIHR nëse mund të ndryshohen rregullat për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve 6 muaj përpara zgjedhjeve. Edi Rama nuk mund të fshihet më pas propagandës. Hilet nuk e ndihmojnë, por e demaskojnë edhe kësaj here si një mashtrues në panikun e humbjes”, u shpreh dje në reagimin e tij në “Facebook”, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

BALLA: TË VOTOJMË KODIN ZGJEDHOR, DUKE I HARRUAR SHANTAZHET

Balla1 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një reagim për çështjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, theksoi se listat do të jenë 100% të hapura dhe ka ardhur koha që të lihen mënjanë shantazhet.

“Lista e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% e hapur. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor, të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/ kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të rirendisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë. Nuk ka sisteme elektorale perfekte dhe as sisteme elektorale që u japin pakicave fitoren në tavolinë nuk janë shpikur akoma. Prandaj është koha për ta votuar Kodin Zgjedhor duke diskutuar intensivisht mes palëve dhe duke i harruar shantazhet, akuzat dhe blofet! Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ne s’mund të presim gjatë për votimin e risive që reflektojnë ndryshimet kushtetuese”, shkroi Taulant Balla.

HAJDARI: DRAFTI I PS, TRUK PËR TË MBAJTUR LISTAT E MBYLLURA

hajdari-11-604x450 Deputetja Rudina Hajdari foli me tone shumë të forta pasi doli nga mbledhja e Këshillit Politik. Në prononcim për mediat, Hajdari tha se propozimi i PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk është gjë tjetër veçse një truk për t’i mbajtur listat e deputetëve të mbyllura. Ajo i bëri thirrje Partisë Socialiste që të reflektojë në lidhje me këtë propozim, pasi nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga kërkesa e saj për t’i hapur listat. “Ajo që po bëjnë sot është një truk për t’i mbajtur listat e mbyllura. I them Partisë Socialiste që të reflektojë për propozim. Ndjesë, por është një gjë që duhet çuar deri në fund. Po luftoj që listat të jenë të hapura. Ajo që është e rëndësishme këtu është që të çojmë përpara betejën për listat e hapura. Jam në këtë Këshill për këtë qëllim”, u shpreh Rudina Hajdari pas mbledhjes së Këshillit Politik, dje

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura