Akuza për sigurinë e godinës/ Presidenti i Maqedonisë së Veriut për zjarrin në spitalin në Tetovë: Nuk ka qenë i qëllimshëm, duhet të presim…

Sep 9, 2021 | 16:26
SHPËRNDAJE

Presidenti Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në një deklaratë për mediat është shprehur se deri më tani nuk ka të dhëna që zjarri në spitalin modular të Tetovës të ketë qenë i qëllimshëm.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ai thotë se kjo ngjarje nuk ka prapavijë politike teksa i bën thirrje qëë të pritet një përgjigje nga hetimi ndërkombëtar lidhur me shkakun e zjarrit.

“Deri në këtë moment nuk ka kurrfarë të dhënash se kjo është e qëllimshme, me qëllim që të arrihet ndonjë qëllim tjetër politik. Por e them se kjo është në këtë moment dhe kuptohet se këtë do tua thotë sot apo ditëve në vijim prokurori kompetent”.

Ndryshe Pendarovski qëndroi sot në Tetovë për siç u shpreh të solidarizohet me qytetarët e Tetovës, familjarët e viktimave dhe të lënduarve si dhe për të biseduar me organet kompetente.

“Prokurori publik më njoftoi se për një deri në dy orë edhe formalisht do të kryhet hetimi, dhe në kohë më të shkurtër të mundshëm pastaj mund të dalin me raportin e tyre. Procedura është se ata japin urdhra deri tek institucionet tjera kompetente, nga obduksioni deri tek Ministria për Punë të Brendshme. Prokurori më njoftoi gjithashtu se do tu jepen nga 5 ditë, që secili institucionet të përgjigjet varësisht nga kompetencat e tyre, pas këtyre raporteve Prokurori do të del me një raport të kompletuar, fillimisht se cili ishte shkaku i zjarrit dhe se vallë pas kësaj eventualisht ka apo jo ndonjë gabim njerëzor”, u shpreh Pendarovski.

Zjarri i një nate më parë në spitalin COVID në Tetovë shkaktoi 14 viktima, ndërkohë që 12 pacientë arritën të mbijetojnë. Nga ana e opozitës ka pasur akuza mbi kushtet me të cilat është ndërtuar ky spital, duke u shprehur se nuk plotësojnë as ato më minimalet për sigurinë e godinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura