Akuza për kërcënimin e dëshmitarit, juristi i OSHEE: Ja e vërteta

Sep 24, 2015 | 21:19
SHPËRNDAJE

Juristi i kompanisë shtetërore OSHEE, Rezart Ruço, hodhi poshtë dje akuzat se i ka bërë presion dëshmitarit të Prokurorisë në çështjen OSHEE-DIA.

I kontaktuar në telefon nga “Panorama”, Ruço e pohoi se është takuar me këtë dëshmitar, madje se ka bashkëpunim të gjatë me të, por mohoi presionin që mund t’i ketë bërë.

oshee3“Është e vërtetë se jam takuar me dëshmitarin e Prokurorisë, personi deri para disa kohësh ka bashkëpunuar sepse ka qenë një nga dëshmitarët në arbitrazhin për çështjen DIA kundër OSHEE-së që po zhvillohet në Vjenë”, tha Ruço.

Sipas tij, qëllimi i takimit ishte se fakte të çështjes në arbitrazh kishin rrjedhur dhe mund të dëmtonin çështjen ligjore në gjykatë.

“Ne kemi qenë të shqetësuar për njëlloj informacioni që sipas dyshimit tonë është kryer nga ky person dhe dëmtonte jashtëzakonisht çështjen në arbitrazh. Nuk ka pasur asnjë kërcënim, ka dëshmitar për këtë, sepse prezent ishte edhe punonjësi i RENEA-s që siguronte mbrojtjen e tij”, tha Ruço.

Ai u shpreh se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj akuzës që i është bërë për kërcënim ndaj dëshmitarit. “Emri im është përmendur publikisht se i paskam bërë presion dëshmitarit të Prokurorisë dhe unë do të ndjek rrugën ligjore ndaj kësaj akuze”, u shpreh Ruço për “Panorama”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura