Akullorja dhe Kryeministria

May 17, 2015 | 14:01
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

EDMOND TUPJA

                     Sigurisht që, me të lexuar titullin e këtij shkrimi, lexuesi im i vëmendshëm do të më drejtohet mendërisht duke thënë: “Oh, zoti Tupja, termi Kryeministri duhej medoemos t’i kishte paraprirë termit akullore, sepse institucioni në fjalë është ku e ku më i rëndësishëm se një copë akullore, se pa këtë të fundit edhe bëjmë, por pa Kryeministri në asnjë mënyrë!”.

Mirëpo do t’i lutem lexuesit tim të sinqertë të mos nxitohet në gjykimin e tij, dhe kjo për disa arsye: Së pari, tek shoh në mes të kësaj vere të parakohshme e të pamëshirshme plot njerëz që blejnë e shijojnë akullore duke i lëpirë gjithë ëndje, nuk pendohem që vura akulloren para Kryeministrisë: deri më sot nuk kam parë ndonjë shqiptar të arsyeshëm të freskohet e të kënaqet deri në perëndim të syve duke lëpirë, për shembull, muret e Kryeministrisë në mes të vapës!

Së dyti, prej kohësh më është bërë shprehi që, për të mos krijuar pakënaqësi ndaj meje në shkrimet apo vlerësimet e mia me gojë, emrat t’i përmend në rend alfabetik, p.sh. Arben, Besa, Elsa, Sibora, Xhemal etj., kriter ky i pranuar botërisht edhe në botën akademike. Së treti (dhe për këtë betohem solemnisht për kokën e gjithë baballarëve të kombit nga viti i shpalljes së pavarësisë e këtej), kjo renditje, pra akullorja para Kryeministrisë, më erdhi krejt natyrshëm javën e shkuar, kur, duke kaluar para godinës së Kryeministrisë, sytë (ah, sytë!) më zunë në trotuarin para asaj një akullore që me siguri i kishte rënë nga dora ndonjë kalimtari apo kalimtareje.

Në fillim, falë empatisë që, fatkeqmirësisht, nuk më shqitet kurrë, përfytyrova frustrimin që do të kishte ndier personi të cilit, në mes të vapës, i kishte shpëtuar nga dora akullorja në fjalë; pastaj, më bëri përshtypje pozicioni i akullores: kaushi me majucin e tij m’u duk paksa ironik teksa sfidonte Kryeministrinë, gati si një David që sfidonte Goliatin; më tej, u habita sesi asnjë makinë, biçikletë apo këpucë këmbësori ende nuk e kishte shkelur, shtypur apo zgërlaqur atë copë freskie të gjorë nga e cila po përfitonte vetëm asfalti i nxehur; së fundi, më erdhi sinqerisht keq për muret e Kryeministrisë që lëngonin në shigjetimin e rrezeve të diellit e digjeshin për një pikë ujë.

Por, befas, tek përsiatesha në këtë mënyrë përmes rravgimeve të fantazisë sime, m’u turr një kujtim nga fëmijëria e largët: Pinoku ose, më saktë, hunda e tij! Po, po, në trajtën e kaushit të akullores tashmë thuajse të shkrirë! Ai kaush që nisi të zgjatej ashtu si hunda e Pinokut sa herë që gënjente! Hunda e Pinokut përballë Kryeministrisë! Ha, ha, ha! Po sikur ai kaush i mbetur jetim, pra pa masën sferike të akullores, ajo hundë e Pinokut pa fytyrën e tij, të kërkonte rreth e rrotull ndonjë fytyrë e të zinte përfundimisht vend në mes të asaj për të vazhduar zgjatjen e vet pas çdo gënjeshtre, pra edhe pas çdo premtimi të pambajtur? Po sikur, largqoftë, me të njëjtin paramendim keqdashës të hidhej e të futej brenda në Kryeministri?

Po sikur, qoftëlarg, të gjente atje ndonjë fytyrë pa hundë e të zinte tek ajo vendin e lakmuar për t’u harlisur krenarisht? Për fat të mirë, nga ky makth në mes të ditës më shpëtoi një qen, një qen anonim, d.m.th. një qen rrugësh ose, më saktë, një qen bulevardi, që erdhi e nisi të lëpinte njollën e akullores tashmë krejt të shkrirë para se të kollofiste edhe kaushin që më frymëzoi këtë shkrim, këtë shkrim në të cilin do të kisha shpalosur të njëjtin arsyetim, do të kisha bërë të njëjtin rrugëtim fantazist sipas të njëjtit rend alfabetik sikur nesër të shihja një akullore të rënë nga dora e ngathët e dikujt para Kuvendit, para Presidencës apo para institucioneve të tjera të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë në këtë verë të parakohshme me një vapë të pamëshirshme!

Gjithsesi, tërë kjo skenë e përfytyruar nga lexuesi im i së dielës mund të shmanget fare bukur vetëm me një tabelë të vendosur dukshëm te trotuari para hyrjes së Kryeministrisë. Një tabelë ku të jetë shkruar: “Ndalohet kalimi me akullore në dorë!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura