Akuareli, 5 ditë Bienale në Tiranë

Nov 25, 2015 | 14:01
SHPËRNDAJE

Përgjatë 5 ditëve, në Tiranë u zhvillua edicioni i parë i “International Watercolor Bienale Tirana 2015”, organizuar nga shoqata “VIZart”. Plot 170 artistë nga 55 vende të ndryshme të botës, që nga Gana, Maruitis, Indonezi, Filipine, Japoni, Kina, Indi, Ekuador e Peru, Singapor, Siri, Iran, për të ardhur më afër, në Europë e fqinjët tanë ballkanikë, sollën në Tiranë shkolla të ndryshme të akuarelit.

bienale_1

Një botë plot ngjyra, që sillte pak nga kulturat e vendeve nga vinin autorët. Ardhja e tyre u mundësua nga Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve, anëtare e së cilës është bërë “VIZart”.

Në ekspozitën e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe në qendrën “TEN”, nuk munguan edhe artistët shqiptarë, edhe pse më të “brishtë” në punët e tyre. Ndër punët e artistëve gjen portretin, peizazhin, natyrën e qetë… Sipas realizuesve të këtij festivali, qëllimi i organizimit të tij është mbajtja gjallë e një zhanri, i cili “thuajse në zhdukje”.

Po ashtu, futjen e një kulture, që tashmë është shekullore nëpër Europë, siç është krijimi i “shesheve” të akuarelit. Gjatë ditëve të Bienales, e cila qëndroi shumë pak ditë e hapur, u organizuan edhe “workshope” me artistët e huaj, që ishin të pranishëm në aktivitet dhe të rinj, që duan të më- sojnë më tej mbi këtë zhanër.

Këta të fundit ndoqën “live”, procesin e realizimit të një vepre në akuarel. Këto lloj seminaresh dhe demonstrimesh u zhvilluan në ambientet e MHKsë, në “TEN”, por edhe në Pallatin e Kongreseve, ku po zhvillohet Panairi “Klik Ekspo Klik” dhe kultura kishte një hapësirë të bollshme për të ekspozuar gjithë asetet e saj.

Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit mbështetej nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura