Aktorja Olta Daku. Mexosopranoja që zgjodhi të bëhej aktore

Nov 3, 2014 | 13:48
SHPËRNDAJE

Olta Daku në rolin e Sonjës, veshur si Merlin Monroe
Ajo ka zgjedhur t’u qëndrojë larg mediave. Fundja për të flasin vetë rolet, jeta private është e saja. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e dimë se aktorja e Teatrit Kombëtar, Olta Daku, dikur ka studiuar flaut dhe kanto. Sot kemi një mexosoprano më pak, por një aktore të jashtëzakonshme teatri. Si rrallë ndonjëherë Olta ka pranuar të flasë për ato fillimet kur vendosi të bëhet aktore, marrëdhënien me prindërit, teatrin dhe atë proces shumë personal të ndërtimit dhe të “shkarkimit” të një roli

Në një shfaqje komedi e ke të lehtë të thuash se ç’mendojnë të ulurit në sallë. Nuk mendojnë fare. Një mekanizëm i posaçëm u aktivizon vetëm pritshmërinë që mbushet nga dëgjimi. Batuta e radhës është mjaft. Mbase nuk do ishte fare rasti që të analizonit veten, për shembull, të shtunën mbrëma, pasi dilni nga një shfaqje, por nëse do t’ju qëllojë ta bëni (mbase do të ishte më e thjeshtë nëse shfaqjen zgjidhni ta shihni të mërkurë, fundja në shtëpi po ktheheni), do kuptoni ndjesinë e çlodhjes. Shkaktuar nga të qeshurat o, pikërisht nga stakimi i funksioneve të tjera të mundimshme. Pak gjasë ka që e njëjta gjë të ndodhë pasi dilni nga një dramë. Ok, njëfarësoj mund ta keni shijuar, ama keni futur, nëpër “hallet e botës”, pak nga ato tuajat, e mund ta justifikoni mirë gotën e verës që kërkoni të pini. Në të dyja rastet, aktorët ia kanë arritur qëllimit! Ju kanë çuar në teatër dhe mirë kanë bërë. E zgjatëm kaq jo për t’ju lodhur (e diel është, një biletë teatri në darkë dhe na harroni), por për t’i vënë një kuptim përjetimit të gjithsecilit.

Olta Daku dhe Roland Trebicka, një nga kolegët e saj më të dashur
Sonja, pra, aktorja Olta Daku, që ju ka përcjellë me të qeshura e me batutat e së cilës keni vijuar të qeshni edhe ca në shtëpi, a kudo jeni kthyer pas shfaqjes “Vanja, Sonja, Masha etj”, është sot në Teatrin Kombëtar, pikërisht falë ngacmimit që i ka shkaktuar në tru e në lëkurë njëra nga ariet që pat dëgjuar kur studionte në Liceun Artistik. Nuk është që kishte kohë të përgatiste veten për recitim, jo më ta sforconte. Ndodhi aty, në errësirë, ndërsa dëgjonte një punë diplome. “Kush e di sa bukur duhet të jetë të jesh në skenë”, kaq tha me vete dhe bashkë me muzikën shijonte dhe imagjinatën e saj për veten. Mirëpo, 17-vjeçarja e atëhershme, ndërsa po i jepte trup mendimit, që sapo i kishte ndriçuar, po tjetërsonte një tjetër… Sot, që kanë kaluar ca vite e megjithatë nuk është harruar asgjë, Olta Daku mbulon sytë ndërsa i kalojnë të tëra episodet, si vagonë treni, në kokë. Jo se nuk do që t’i kujtojë, por se do t’i ketë kujtime vetëm të sajat. Sigurisht, me miqtë këto biseda i rifreskojnë sa herë, por që t’i ndante me ne të gjithë, i duheshin sa e sa minuta “nxehje”. E gjithë kjo “fazë sportive” kalon me humorin karakterial që Olta e ka pavarësisht çdo roli, por që, njësoj si te Sonja, të shkakton të qeshura me një mimikë serioze. Sikur të vendoste të ishte ca më e hapur me gazetarët, me siguri që do t’ju kënaqte po aq sa ç’ka bërë me Sonjën apo sa ç’do bëjë me role të tjera.

E lashë enkas retiçencën pak më sipër, nuk dua ta tregoj unë tjetërsimin e mendimeve të tua për t’u bërë aktore, tek dëgjoje një arie të pëlqyer…

Në serialin televiziv “O sa mirë”
Nuk është se këto procese mund të shpjegohen me përpikëri se si kanë ndodhur dhe për këtë nuk janë shkaktarë vetëm vitet që kanë kaluar qysh atëherë. Është i gjithi një mekanizëm i pashpjegueshëm me fjalë. Vetëm se ti në një moment i kupton të gjitha çfarë do të bësh me veten. Nuk di me sa ndodh në këtë formë, por mua më janë tjetërsuar mendimet brenda pak orësh, për aq sa zgjaste shfaqja. Shihja dhe mendoja se sa bukur duhet të ishte të shkaktoje emocione tek ata që të shihnin, sa bukur duhet të ishte të bëje tënden vëmendjen e qindra njerëzve që të shohin.
Por këtë ti mund ta bëje edhe përmes këngës, meqenëse ishte ajo rruga që tashmë kishe nisur. Do ishe njësoj në skenë…
Qoftë kur nisa të merrja mësimet e flautit e qoftë kur nisa kanton në Lice, nuk shihja që ajo do të mund të ishte rruga ime e përhershme. Po, për aq kohë sa isha në të, po e bëja me dëshirë, por nuk arrija ta shihja veten shumë larg me këngën. Në ato momente “errësimi”, kur më fluturoi mendja në teatër, e ndjeva që do të mund të shkaktoja emocionet që po përjetoja unë vetë, vetëm përmes fjalës.

Ata ngasësit që po zhvillojnë menjëherë mendimin se ndoshta me zërin Olta Daku nuk do të shkaktonte emocione njësoj, më mirë ta lënë mendimin përgjysmë. Zë kishte, madje aq sa t’i vinte keq që po e linte kanton. Ja që “zëri” që po e thërriste, e shtyu në tjetër rrugë. Këtë, por edhe në përgjithësi fjalët e mira për veten, Olta është tepër hokatare për t’i thënë në vetën e parë. Madje, është gati pas çdo fjale që i duket se nxjerr si të dyshimtë të anulojë intervistën.  

Qoftë muzikës, qoftë aktrimit, sikur u nevojitet një farë dyshemeje e shtruar. A ka pasur për ty nxitje nga dikush, familjar a i afërm, që të bëje gjërat që kishe zgjedhur të bëje?
Të dy prindërit e mi, si pjesë e Akademisë së Arteve, mamaja si mexosoprano (Xhovana Daku) dhe im atë si pedagog klarinete (Kristo Daku), mbase indirekt kishin shërbyer si një farë terreni i gatshëm, mbi të cilin unë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, kisha nisur të ecja. Ime më më mbante gjithnjë pas vetes në opera, në çdo rol që kishte e në çdo natë shfaqje. Kisha një emocion që nuk mund t’ua përshkruaj tek e shihja, por sidomos kur më lejonin që të prekja objektet me të cilat kishin luajtur në skenë, si gotat e ujit që nga larg dukeshin si bakri por në të vërtetë ishin gota kartoni, thikat gjithashtu, etj. Me të njëjtin kuriozitet fëmije shihja në dritë të syrit edhe të gjithë kolegët e mamit që deri në një çast më parë mund të kishim qenë duke biseduar të gjithë por që më vonë, pas tjetërsimit nga grimi, nuk arrija t’i perceptoja njësoj. E gjithë kjo botë e panjohur, përveç pjesës së ccduidtshme, ka qenë shumë e bukur për mua. Pra, ‘materialet’ kanë qenë gjithnjë gati në mua, vetëm se mu rishfaqën të gjitha në një moment të caktuar. Megjithatë, prindërit asnjëherë nuk kanë ndërhyrë në mënyrë direkte te zgjedhjet e mia, më kanë lënë të lirë për gjithçka. Kur unë vendosa të ndahesha nga muzika për të zgjedhur aktrimin, ata miratuan, siç tek e fundit, kanë bërë gjithnjë, vazhdimisht.
Me gjithë dëshirën e vegimtë, duhet edhe një aftësi recituese. Në kohërat që flasim, a e kishe testuar te vetja aftësinë recituese apo t’u desh një kohë parapërgatitore për të hyrë në Akademi?  
I vetmi test, ishte kur dilja përpara miqve të prindërve të mi për të bërë çapkënllëqe. Ata, pa dashur të kultivojnë asgjë tek unë, më fshihnin pas dere dhe më pyesnin “Hë Olta, gati je?”. Unë sigurisht që isha gati dhe entuziaste, sepse në të vërtetë nuk po bëja asgjë, vetëm sa i jepja vetes pamjen e çakërdisur të ndonjë kitaristi të grupeve të rrokut. Kështu që, me t’u bindur për atë që doja të bëhesha, duhet medoemos të punoja me dikë. Ishte Milto Kutali, që më përgatiti për në Akademi.
A ishte Akademia ajo që kishe menduar se do ishte?
Jo, ishte shumë më mirë. Në të gjitha aspektet, nuk e teproj fare po të them që për mua ishin katër vite gjatë të cilave nuk më dukej se po jetoja në Tiranë. As nuk gjej dot një vend t’ju them se ku mendoja se po jetoja, por nuk ishte fare realitet, as ky i tanishmi, as ndonjë tjetër që erdhi më vonë apo ndonjëherë do të vijë. Kur e them këtë, u referohem së pari gjërave me të cilat unë po prezantohesha për herë të parë, ato që po mësoja rreth dashurisë që sapo kisha zbuluar. T’ju them një shembull, në vitin e parë ne bënim etyde. Në njërin prej tyre, unë duhet të bëja reagime vetëm në mimikë për një fërshëllimë që dëgjoja nga dritarja. Reagimi duhet të ndryshonte kur kuptoja që fërshëllima nuk ishte për mua, por për komshien një kat më sipër; Zhgënjyese hë?! U përfshiva aq sa, me të mbaruar viti i parë, mendova menjëherë se pa etydet unë nuk do të mund të jetoja. Por historia u përsërit, me çdo gjë të re që mësoja, afeksionohesha po aq. Deri sa pastaj erdhën rolet e mirëfillta, që më bënë të kuptoja që s’kisha përjetuar ende asgjë.
Cilat kanë qenë të parat?
Diploma ime ka qenë me “Ëndrrën e një nate vere” të Altin Bashës. Por ndërkaq, po ky regjisor, bashkë me Gaz Gjokën, kishin krijuar kompaninë teatrore “Oaz”, ku isha e përfshirë edhe gjatë viteve të shkollës.
Mbase sepse keni zgjedhur të mos jeni fare mediatike ose mbase sepse teatri nuk është aq ndikues sa kinematografia, nuk jeni spikatur menjëherë. Të paktën jo deri përpara “Monologjet e vaginës” e “Çifti i shqyer”…
Është e vërtetë. Kam pasur dy bashkëpunime të vogla me filmin, por as ato nuk mundën të kishin zërin që patën këto dy shfaqje. Mbase edhe pse vinin në një kohë kur vetëm të përmendje fjalën ktheheshin ende koka, e jo më të zgjidhje të thoshe edhe 40 sinonime të saj. Por edhe roli i Afrovitit te “Karnavalet e Korçës”, bashkëpunimi i parë me Teatrin Kombëtar, u bë gjithaq popullor.
Po ka të njëjtën jehonë edhe “Vanja, Sonja, Masha etj”…
Më vjen mirë ta dëgjoj, sidomos pse është një rol që më pëlqeu menjëherë. E kam dashur që me leximin e parë. Pastaj, regjisorja Driada Dervishi, me të cilën është pjesa e parë që punoj e që do doja të pasohej me të tjera, e përforcoi ndjesinë e mirë që pata që në fillim. Të punosh me një regjisor që të nxjerr gjëra që nuk di, është gjithnjë fat. Sikundër ishte të punoja edhe me të gjithë grupin e kolegëve që ishin në skenë, Yllka, Neritani, Besi, Valina, Adelina.
A mos ndodh kjo për shkak të prirjes për role komike? Ke zgjedhur vetë të rrish në këtë profil apo ofertat të tilla kanë qëlluar?
Sa mirë që identifikohem kështu një herë, sepse nuk do doja ta shihja veten në tragjedi. Ajo që më shijon mua të bëj është, të jemi seriozë, një ndërthurje mes dramës dhe komedisë. Pra, të jetë një minijetë edhe në skenë. Të jetë ajo që bëjmë përditë, situatat e trishtuara apo aspak komike që përjetojmë e që në fund përsëri do detyrohemi të qeshim, të harrojmë një gjë, të përjetojmë diçka tjetër.
Të gjitha këto kalime, të cilat në skenë duket se i bëni me lehtësi, sa jua vështirësojnë jetën kur dilni nga teatri?
Të jesh trup i jetës sate, edhe kaq është sa të duash e vështirë, jo më…
Nuk janë fare të lehta, por janë sidoqoftë proces i punës që kemi zgjedhur. Mësohesh t’i bësh të gjitha, mjafton të gjesh rrugën për të hyrë e për të dalë nga roli. Kam nevojë, për shembull, të qëndroj vetëm pas çdo shfaqjeje që të rikthehem te vetja.
A ndodh të mos jesh e zonja ta bësh? A ndodh që befas, gjatë një bisede, të tjetërsohesh pavetëdijshëm në Sonjë?
Ndërhyrje të vogla me siguri që ka, por gjatë një bisede me miqtë nuk janë aq të dukshme sa ç’janë kur je vetëm. Në rastin e fundit ndodh të flasësh vazhdimisht me fjalët e personazhit. Këtë po që mund t’jua them me siguri. Ka ndodhur të më kenë parë duke folur me vete në rrugë, siç kam parë unë kolegët e mi të bëjnë të njëjtën gjë. Mos u shqetësoni, po përsërisim rolin!
A nuk të lodh kjo gjë?
Ka kohërat e veta po, por në fund dashuria për teatrin ngelet gjithnjë fjala e fundit.
Edhe në film, artistikisht, do të ndiheshit njësoj të realizuar. Përgjigjja për marrëdhënien me publikun ngjan tepër klishe për të justifikuar dashurinë ndaj teatrit, prandaj…
Unë i pëlqej shumë klishetë (siç më sipër përmendëm, Olta pëlqen njësoj edhe të të bëj të qeshësh pa qenë nevoja të interpretojë ndonjë personazh komik). Po sidoqoftë, nuk i shpëton dot publikut, sepse fakti që ti je aty, dhe po në atë sekondë, ke përpara 200 a më shumë njerëz të heshtur, reagimi i të cilëve do të ndryshojë menjëherë në varësi të asaj që do të thuash, më duket shumë, është për ne shumë. Filmi është më i ftohtë, më mekanik, sado që mua apo kolegëve të mi na vjen njësoj mirë kur marrim reagime të mira si për teatrin, ashtu edhe për filmin.
Mirë, meqë, doje s’doje, për aktrimin diçka na the, na thuaj nëse të ngelet jetë e jotja përtej kësaj…
Ngelet kohë për gjithçka. Pastaj, rolet nuk janë aq të shpeshta. Ka periudha të lira, gjatë të cilave rikuperon kohën që i ke marrë familjes, miqve. Nëse mendoni se kur nuk kemi role, ngujohemi në pyll, na çmitizoni pak. Jetojmë gjërat e përditshme me më pak kokëçarje se ç’bëjmë kur kemi përgjegjësinë e një roli.
Çfarë ka nga Sonja në ty?    
Ashtu si ajo, nuk shquhem për optimizëm kur e shoh jetën.

Rolet
Disa nga pjesët ku ka luajtur Olta Daku

“Ëndrra e një nate vere”
“Junis – Tramvaj me emrin Dëshirë”
“ Popova Ariu”
“Martesa”
“Monologjet e vaginës”
“Çifti i shqyer”
“Dashuri në furgon”
“Karnavalet”
“Kapitulli i dytë”
“Macja mbi çatinë e nxehur”
“Franku V”
“Allegreto Albania”
“Të gjithë me huqe”

Në kinematografi në rolin e Evës të “Nata pa hënë” dhe kryetaren e lagjes në filmin “Mao Ce Dun”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura