Aktori Sokol Angjeli: Drama e Teatrit Kombëtar, lakmia e ndërtuesve për truallin

Mar 22, 2018 | 12:44
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ Sokol Angjeli sheh gjithë jetën e tij t’i shkojë para syve në oborrin e Teatrit Kombëtar. Ishte ende fëmijë kur nisi të ngjitej në skenë, fillimisht si figurant, për t’u bërë më vonë aktor i TK-së, në vitin 1976. Angjeli është kundër shembjes së ndërtesës aktuale të TK. Sipas tij, ajo është pjesë e historisë së Tiranës, së cilës nesër do t’i mbeten vetëm kullat.

Sipas tij, problemi nuk qëndron tek vetë Teatri Kombëtar, por te lakmia e ndërtuesve për truallin e tij. Sa i takon reagimit dhe qëndrimit të vetë artistëve, ai thotë se ata janë të përçarë për shkak të ambicieve personale të secilit. Angjeli propozon, që të paktën të hapet një konkurs mbarëkombëtar për ndërtesën e TK-së, ashtu si vetë Rama ka premtuar dikur.

Sokol Angjeli
Sokol Angjeli

Ju jeni një nga aktorët më të vjetër të Teatrit Kombëtar, çfarë efekti ju shkakton ideja e shembjes së godinës së tij?

Së pari, dua të bëj një hyrje, për të kuptuar atë çka unë marr nga historia e shembjes së Teatrit Kombëtar. Kam hyrë në skenën e teatrit në fund të viteve ’60-të kur u hap studioja për aktor pranë Teatrit Popullor të asaj kohe. Ishim një grup të rinjsh, unë isha nxënës gjimnazi atëherë, kur vinim për të qenë jo vetëm spektatorë, por edhe figurantë. Pra, nostalgjia apo domethënia e kësaj ndërtese, për të gjithë ne, që tani do kushtëzohemi mes asaj çka duhet të bëjmë dhe asaj çka duhet bërë, është shumë e vështirë. Ne këtë godinë e kemi shumë të dashur, por nuk është vetëm çështje e jona, por edhe e shikuesit.

Ju vetë kur jeni bërë pjesë e Teatrit Kombëtar?

Menjëherë pas mbarimit të Akademisë së Arteve, në vitin 1976, u bëra pjesë e Teatrit Kombëtar. Ashtu siç njerëzit janë mësuar të shkojnë te Pazari i ri për të bërë pazarin, pra, një vend që identifikon Tiranën, edhe teatri është një nga vendet kryesore që identifikon gjithë qendrën e Tiranës.

Në fakt, nuk po flitet për zhvendosje të vendit… nuk është ky problemi!

Problemi është që aktualisht po trajtohet si një vend i Bashkisë, një vend me identitet 80-vjeçar, i cili do ishte mirë të ishte pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se duhet ruajtur. Shembe këtë, shembe atë, shembe dhe atë tjetrën, ky qytet po bëhet një qytet kullash, me një histori aq të varfër sa askush nuk ka interes për të njohur asgjë. Gjërat me vlerë i bën koha e historia të tilla. Unë mendoj që ai vend të ruhet. Ka vende për kulla Tirana plot! Qendra është e mbipopulluar.

Aktorët po rezistojnë, mendoni që do ndryshojë diçka në momentin që ndodhemi?

Siç dëgjojmë, gjërat janë të firmosura e të vulosura. Janë bërë bisedat që duhet të bëheshin, por mendoj që nuk duhet të jetë kaq arrogante kjo histori, sepse vetë Kryeministri, Edi Rama i parë,- sepse ne kemi një histori të përsëritur tri herë me të, një herë që ka mbyllur teatrin për një vit sepse donte ta shembte, kur ishte ministër Kulture, një herë tjetër kur ishte kryebashkiak dhe donte përsëri ta shembte dhe sot!

Po përsëritet historia, pra, mendoni se teatri në fakt nuk do shembet?

Në këtë herë të tretë, Kryeministri të paktën t’i përmbahet Edi Ramës së dytë, i cili tha se do të hapë një konkurs ndërkombëtar, do pranojë propozimet e arkitektëve të studiove dhe pas një diskutimi të njerëzve të fushës, do të vendosë. Në teatër nuk është salla dhe skena, ato janë vetëm ¼ e kësaj pune. Pjesa tjetër është e gjitha me ambiente pune, studio, marangozë, rrobaqepës, mekanikë. Nuk ka vetëm kafene e restorante!

A ka përparuar historia po kaq edhe në rastet e mëparshme?

Pak a shumë njësoj ka qenë. Një histori midis ndërtuesve që u pëlqen shumë trualli i Teatrit dhe e lakmojnë. Pra, po përsëritet historia e ndërtuesve, jo e teatrit? Përsëritet e njëjta gjë, po… Teatri s’ka të bëjë! Përplasja jonë e parë në këtë herë të tretë erdhi menjëherë kur na lajmëruan, në shkurt, për t’u zhvendosur te Turbina. Ai ishte momenti i parë që u kuptua rreziku. Momenti i dytë ishte pasi u përfshi drejtoresha e Teatrit të Operës, me idenë që të zhvendosej aty. Ky nuk është problem i yni, kuptohet, por ishin të dhëna për të kuptuar që po shpejtoheshin gjërat.

E treta, ishte që kur Ministrja e Kulturës tha se do të bëjë projektin e ri, se një të tillë konkretisht nuk kishte. Dy ditë më pas del projekti, pra, kalon topi nga Ministria te Bashkia. Me gjithë respektin për bashkinë, Teatri Kombëtar nuk është pjesë e Bashkisë së Tiranës. Pra, këtu ka diçka që është pa kuptim. Përveç kësaj, kalohet në një fazë kur merret apriori projekti, nuk ka as konkurrim, as ide, as projekte prej nga të zgjidheshin…

A e bënë edhe më të pakuptimtë situatën edhe vetë aktorët. Dikush është pro, dikush kundër, dikush s’do të dijë fare… A është përçarja juaj në favor të tyre?

Këtu u ndërthurën disa gjëra. Ligji i ri dhe drejtori i ri i Teatrit. Dikush ka ambicie për t’u bërë drejtor dhe do mbajë anën e atij që i intereson.

Pra, ishte përkimi i ngjarjeve që e bëri të tillë situatën?

Po! Disa njerëz që në fillim u dukën të interesuar për teatrin, doli që ishin të interesuar për vendin e drejtorit, por kjo nuk është ndonjë çudi, njerëzit kanë ambicie personale, dikush i ka më të fshehura, dikush më të ekspozuara. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe… Problemi është që të gjithë ne jemi të shqetësuar, sepse kalimi te Turbina është në një kohë të pacaktuar. Ne nuk kemi asnjë projekt, asnjë afat kohor… Turbina është krejt e papërshtatshme dhe këtë e kupton kushdo që e njeh teatrin sadopak.

Pra, rindërtimi i teatrit mund të zgjasë pafund?

Nuk dihet kur do të mbarojë dhe nesër-pasnesër nuk do kesh as kujt t’i kërkosh llogari për këtë gjë. Do kenë ndryshuar gjërat, njerëzit…

A mendoni se do shembet teatri këtë herë të tretë?

Në këtë vrull që ka Kryeministri edhe mund të shembet, por unë dua të mendoj që përballë reagimit qytetar, por edhe institucioneve, artistëve do të rimendohet dhe të hapet një konkurs ndërkombëtar. Nëse pastaj e gjithë toka është e bashkisë dhe kryetari mendon që do bëjë ç’të dojë me të, mendoj që do të ketë edhe një reagim më të ashpër. Nëse ti do që njerëzit të të mbështesin me mbjelljen e pemëve, siç po bëjnë, duhet të dish që këtu nuk të mbështet njeri, sepse e shohin që ka lidhje të tjera dhe këto janë ato që të shqetësojnë ty, jo teatri!

Ne e kuptojmë që politikanët kanë borxhet e tyre ndaj oligarkëve dhe duan t’i shlyejnë me tokën publike! Së fundi, dua të them se një grup i konsiderueshëm i aktorëve e shohin më të realizueshëm rikonstruksionin e teatrit, sepse kjo gjë zgjat shumë-shumë tre vjet, duke marrë për bazë që skeleti beton arme nuk ka lëvizur. Ato gjëra që kanë ndodhur aktualisht janë pasojë e ndërtimit të Torre Drinit. Janë derdhjet e ujërave të saj që e kanë bërë atë pjesë të teatrit të jetë në atë gjendje. Pra, ne vuajmë pasojat e ndërtimit të Torre Drinit sot, siç do vuajmë pasojat e ndërtesave të tjera nesër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura