Aktori Bruno Shllaku: Pse hyj në PS, në ‘81 më mbrojti Sul Bushati

Mar 16, 2016 | 8:08
SHPËRNDAJE

Aktori i njohur i teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku, i cili u anëtarësua dje në Partinë Socialiste, shpjegon arsyet që e çuan në këtë vendim.

bruno shllakuNë një intervistë për gazetën “Panorama”, Shllaku thotë se është diskriminuar nga Partia Demokratike, edhe pse ishte familje e persekutuar, ndërsa shprehet se beson në reformat e qeverisë Rama.

Zoti Shllaku, përse ky vendim i vonuar të themi për t’u anëtarësuar në Partinë Socialiste?

Mua më kanë diskriminuar në një mënyrë të tillë që as në kohën e Partisë së Punës nuk e kam pasur këtë diskriminim që më kanë bërë emisarët e Partisë Demokratike. Unë jam nipi i Gjon Shllakut, një familje që ka 30 vjet burg, që është dënuar me pushkatim dhe jam diskriminu nga njerëz të paaftë duke më bërë inekzistent në teatrin “Migjeni”. Më kanë bojkotuar dhe bllokuar gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo ishte një nga arsyet, jo për të kërkuar strehim politik, në mënyrë absolute jo. Por kam kuptuar se e vetmja shpresë dhe i vetmi qiri që bën dritë për mua është Partia Socialiste. Në këtë parti nuk kam parë ato që kam parë në gjithë këto vite te PD-ja. Më kanë sulmuar falanga të paaftësh që e kanë shkatërruar teatrin “Migjeni”, duke eleminu me çdo kush forcat progresiste, duke filluar nga unë, nga Paskulina Shllaku, që është gruaja ime dhe çdo shkëndijë tjetër e talentuar duke e mbushur me militantë që në fund e shkatërruan atë teatër. Bashkia e Shkodrës kurrë nuk u hoq prej thundrës së PD-së, duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe teatrin.

Kush ju ka kontaktuar që të bëheni pjesë e PS-së?

Askush. Kam krijuar bindjen time se PS-ja është një parti progresiste, kam shkuar me këmbët e mia dhe kam plotësuar formularin e anëtarit të PS-së me bindje të plotë.

Keni pasur tjetër angazhim partiak?

Asnjëherë në jetën time. Por çudia më e madhe është se nëse Sulejman Bushati, sekretari i parë i Komitetit të Partisë në Shkodër, babai i Ditmir Bushatit, vendoste veton e tij se Bruno Shllaku duhet të hyjë në teatër se më kanë folur të gjithë për talentin e tij dhe ngrihet një ish-komunist E.K., i cili ka vdekur dhe i përgjigjej Bushatit duke thënë se: Nëse vjen në teatër Bruno Shllaku, unë dorëzoj teserën e partisë! S’mund ta mbushim teatrin me të prekur politikisht! Dhe Sulejman Bushati i përgjigjet se Bruno Shllaku do vijë në teatër, ti mendoje mirë se çfarë do të bësh me teserën! Dhe kjo bëhet fjalë në 1981. Ky ishte Sul Bushati. Kjo më ka ndodhur me emisarët e partisë së punës.

Ju u shprehët sot (dje) se Edi Rama është kryetari i PS-së, ndërkohë që ka një debat për mandatin e skaduar të tij, nga deputetët Blushi, Hafizi, Kopliku etj. Si e shihni ju këtë debat si i ardhur rishtas në PS?

Unë i shoh gjërat në mënyrë emocionale. Ky emocion më thotë se një njeri që është fitimtar, me mbi 1 milion vota mbi kalë, si mundet ta gjykojmë sot dhe t’i themi zbrit nga kali se je humbës dhe se në vendin tënd do të vijë dikush tjetër?! Kjo logjikë mua personalisht nuk më ngroh. Jam i bindur se në këtë fazë të këtyre ndërhyrjeve pa narkozë që po i bëhen vendit nga Kryeministri Rama dhe qeverisë së tij, nuk mund të kalojnë pa dhimbje. Që nga 1990 ka pasur vetëm premtime boshe, ndërsa Edi Rama është duke i bërë ato që ka thënë. Edhe unë jam i prekur nga këto reforma, por do t’i pranoj se kam fëmijë dhe mendoj për të ardhmen e tyre që të jetojnë në këtë vend dhe të mos kërkojnë fatin në vendet e huaja. Unë do t’i kërkoj Kryeministrit Rama që të punojë për të rikthyer shkëlqimin e teatrit “Migjeni”, duke e hequr nga kthetrat e Bashkisë së Shkodrës e duke e bërë atë teatër rajonal nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura