Aktori Arben Derhemi: Teatri Kombëtar është privatizuar nga drejtori Çuli

Feb 25, 2016 | 10:04
SHPËRNDAJE

Karriera e tij artistike i ngjan rrugëtimit të Johan Padanit, plot zbulime e çudira. Prej ditës së sotshme, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të ringjitet monodrama e Dario Fo, “Johan Padan dhe Amerikat”, me regji të Milto Kutalit.

Për aktorin Arben Derhemi është një ngjarje e veçantë, pasi të dielën jep shfaqjen e 100- të të kësaj vepre. Por ndërsa Johan Padani i ka dhënë jo pak kënaqësi për shkak të përballjes së publikut nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe më tej, Derhemin e shohim gjithnjë e më rrallë në skenën e Teatrit Kombëtar.

Arben Derhemi

Veç kësaj, është ulur edhe në kategorinë artistike. Ai thotë se e nuk di arsyen, por e vërteta është që Derhemi është kryetar i Sindikatës së Artistëve të TK-së dhe ka qenë kundër kontratave 6-mujore të aktorëve. Ai thotë me bindje se Teatri Kombëtar është kthyer në një pronë private të drejtorit Hervin Çuli dhe se ministrja Kumbaro nuk po bën asgjë për ta nxjerrë këtë institucion nga kjo situatë.

Pas një udhëtimi brenda e jashtë Shqipërisë, riktheheni në Tiranë me “Johan Padan”, ç’ka mësuar personazhi juaj gjatë këtij udhëtimi dhe zbulimit të Amerikave të tij?

Në çdo shfaqje dhe në çdo ditë që kalon, Johan Padani zbulon diçka të re. Pas çdo shfaqjeje realizohet edhe më shumë personazhi. Të dielën mbushet shfaqja e 100-të dhe rrugëtimi i “Johan Padanit”, si rrallë ndonjë shfaqje në Shqipëri, është tepër i suksesshëm. Një kënaqësi e madhe për mua si aktor dhe për regjisorin Milto Kutali. Jemi kënaqur me këtë shfaqje, në të gjitha aspektet: si punë profesionale, si vazhdimësi e shfaqjeve, por edhe për plotë- simin e 100 shfaqjeve për një premierë. Daljet që kemi bërë me këtë shfaqje nëpër rrethe, kanë qenë një nga sukseset më të mëdha, pasi tashmë turnetë jashtë Tirane nuk ekzistojnë më, janë harruar. “Johan Padani” është një shfaqje që i kënaq njerëzit, por i bën edhe të qajnë. Por duke pasur parasysh kërkesat që ka për shfaqjen, ne vendosëm ta japim edhe katër herë në Tiranë dhe shoh një interesim të jashtëzakonshëm të publikut.

Me këtë shfaqje keni shkuar edhe nëpër qytete që kishin kohë që nuk shihnin një shfaqje teatri, cili ka qenë reagimi i publikut?

Çuditërisht publiku reagon i gjithi njëlloj dhe kjo më bën të kuptoj që publiku e do teatrin, dhe çka është më e rëndësishmja nuk është publiku ai që nuk afrohet te teatri, por është teatri që e ka larguar atë. Sepse ne nuk shkojmë të trokasim te njerëzit. Në rrethe jeta e varfër artistike ka bërë që njerëzit të largohen nga teatri. Nëse ti shkon drejt tyre dhe u afron diç- ka, që në këtë rast edhe nuk është aq e thjeshtë të përtypet nga një publik, i cili ka disa vjet që nuk shikon teatër, atëherë ai të mirëpret. Publiku i rretheve e ka dashur shumë shfaqjen dhe e ka kuptuar herë pas here edhe më mirë se publiku profesional, këtu në Tiranë. “Johan Padani” është një shfaqje, në të cilën Dario Fo flet me një gjuhë shumë popullore. Pavarësisht mesazheve filozofike që përcjell, është gjuha e përdorur që e sjell më afër publikut Johan Padanin. Ndaj ka pasur edhe sukses.

Po jepni 100 shfaqje me “Johan Padanin”, por ndërkohë nuk ju shohim më në skenën e Teatrit Kombëtar, pse ky largim?

Teatri Kombëtar është pronë private tashmë. Unë kam folur mjaft për këtë. I kam bërë me dije instancat që merren me TK, që është ministria, që kam përshtypjen se është në një nivel me drejtimin e TK dhe nga sa kuptoj, kanë ndër mend ta rrënojnë këtë institucion. Ndërsa mosafrimi im ka të bëjë me preferencat e drejtorit. Ai mendon që e ka pronë private TK dhe unë nuk mund t’i mbush mendjen që regjisorët që më kërkojnë, ai nuk duhet t’i kthejë pas, duke u thënë që këtij njeriu nuk duhet t’i jepni role. Drejtori në teatër bën përzgjedhjen e leximit të veprave që vijnë në teatër, zgjedh aktorët që lexojnë veprat, moderon zhvillimin e bisedave pas leximit, pastaj zgjedh veprat që do të vihen e ua çon bordit dhe unë nuk e di pse ekziston. Pasi zgjedh veprat, zgjedh regjisorët, të cilëve u jep listën e aktorëve dhe i fut edhe një gënjeshtër të madhe që do të hapë audicione, çka nuk ekziston në TK, dhe si përfundim thotë që do të japë edhe shpërblime. Megjithatë, faji nuk është i drejtorit, pasi njeriu kur gjen shesh bën përshesh. Por, me sa duket, ministrja nuk do të shohë. Mund t’ju them një shifër që do të tmerroheni. TK ka paguar ndaj njerëzve të larguar nga puna 150 milionë lekë, sepse kontratat që bën drejtori janë fiktive dhe gjykatat shqiptare u japin të drejtë njerëzve, pasi TK ka një kontratë kolektive pune. Sajesa e kontratave është një turp i madh për TK dhe Ministrinë e Kulturës në radhë të parë.

Si ka lindur “armiqësia” juaj me drejtorin Çuli?

Ndoshta arsyeja është që dikur, kur drejtorin e përjashtonin nga TK, unë me dy-tre veta ishim të vetmit që nuk vumë firmën për largimin e tij.

Ju kanë ulur edhe në kategori…

Është mënyra e vetme për të bërë që zëri im të mos dëgjohet më. Vlerësimin për kategorinë time ma jep puna ime, vjetërsia që kam, eksperienca, rolet dhe kritika, dhe asnjë drejtor, as ky, as ai që ishte.

Ju jeni kryetar i Sindikatës së Aktorëve të TK-së, a nuk do të duhej të kishit një komunikim më institucional në të mirë të punëve?

Në Shqipëri shkojnë gjërat rrokopujë. Që nga shprehja e kryeministrit në Itali që në Shqipëri nuk ka sindikata, imagjino se ç’duhet të ndodhë me to te ne. Sindikatën e kam zgjedhur si një mundësi për të bërë njerëzit e teatrit bashkë, sepse mendoj se meritojmë shumë më tepër për t’u vlerë- suar monetarisht dhe shpirtërisht nga instancat që merren me TK, por duket që kam gabuar. Personalisht i kam gjërat mirë. Punoj dhe kam shumë gjëra që më bëjnë të ndihem i realizuar, por kam përshtypjen që e vetmja gjë prej së cilës vuajmë ne artistët e TK është mungesa e të qenët bashkë. Nga kjo gjë përfitojnë njerëz që kanë vendosur ta rrënojnë TK artistikisht. Ka dy vjet që dështimet e TK janë të njëpasnjëshme. Numri i spektatorëve në teatër rritet sepse njerëzit e dashurojnë teatrin dhe duan të vijnë në teatër, po problem është që në skenën e TK nuk mund të vihen lloj-lloj shfaqjesh, lloj- lloj mundësish e njerëzish. Prandaj ai quhet “kombëtar”, sepse ka një hierarki vlerash, që duhet respektuar. Por, me sa duket, njerëzit nuk duan të flasin as për shfaqjet dhe as për atë që ndodh në teatër. Edukata qytetare e këtij vendi lë shumë për të dëshiruar. Ndaj duhet që të na ndihmojnë shumë qytetarët duke ardhur në teatër dhe politikanët me mundësinë për ta zhvilluar TK e për të mos sjellë njerëz pa karakter, që duan të rrënojnë teatrin qoftë si godinë dhe si mendësi në zhvillimin artistik të tij.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura