Aktorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave/ Budina: Në Teatër derisa qeveria të tërhiqet

Jun 17, 2018 | 13:17
SHPËRNDAJE

Për të dytën natë me radhë, artistët mbushën oborrin e Teatrit Kombëtar, duke protestuar për mbrojtjen e godinës dhe truallit të këtij institucioni. Këtë herë, protesta ishte ndryshe nga ajo e një ditë më parë apo javëve të shkuara; ishte konceptuar si një hapësirë reflektimi, me shfaqje artistike, me muzikë dhe pjesë recitimi.

Pjesë e kësaj atmosfere të ngrohtë dhe artistike u bënë dhjetëra qytetarë të Tiranës, mes tyre edhe fëmijë dhe siç pritej, pas performancave artistike, do të merrnin fjalën ata pak artistë që po i qëndrojnë kauzës. Fjala ishte sërish për regjisorin Robert Budina, aktorin Mehdi Malkaj e të tjerë të pranishëm. Aktorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave.

robert budina

“Në rast se qeveria nuk do ketë tërheqje nga projektligji për ndërtimin në këtë zonë, ata do të intensifikojnë protestat pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Kulturës dhe kanë paralajmëruar për protesta shumë më të forta. Në rast se sot qytetarët po kalojnë një kohë mjaft të bukur këtu tani duke dëgjuar këngë patriotike, qytetare, këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, edhe nga Kosova, duke dëgjuar recitime, duke parë dhe performanca, ky është mesazhi që ata po marrin, sepse e gjitha kjo po bëhet që kjo hapësirë të mbrohet.

Për të gjitha komentet që janë bërë pas dëgjesës së ka pasur kryetari i Bashkisë me artistët, mesazhi më i fundit është ky: Nuk mund të quhen më dëgjesa publike me qytetarë apo artistë në rast se zhvillohen në kullat e oligarkëve, ashtu sikurse pretendojnë artistët se ishte dëgjesa e fundit.

Një koment tjetër që kanë bërë në këtë skenë ishte se nuk janë të përçarë, nuk kanë përdorur gjuhë raciste ndaj kolegëve që mendojnë ndryshe, por kanë mbajtur një qëndrim të prerë ndaj atyre personave që nuk kanë qenë koherentë gjatë gjithë kësaj periudhe të protestave në Teatrin Kombëtar, duke qenë protestues në fillim dhe duke ndryshuar qëndrimin gjatë rrugës”. Ndër ata që folën ishte dhe regjisori Robert Budina, i cili theksi se nëse qeveria nuk i dëgjon artistët, ata do gjejnë zgjidhje më të forta për të arritur qëllimin e tyre në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. “Ne do të dalim në protesta derisa qeveria të tërhiqet”, vijoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura