Aktorët diletantë që sfumuan rikthimin e Luiza Xhuvanit

Oct 15, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

Brishtesi, emri yt është grua! Fjalët e skenës së dytë të aktit të parë të Hamletit, Luiza Xhuvani vetëm sa i interpretoi, sepse e brishtë me rrobat e burrit që kishte marrë përsipër të veshë, nuk mund të ishte. Sigurisht që edhe një burrë, qoftë ky edhe Princ i Danimarkës, mundet të shfaqë momentet e tij të brishtësisë.

Momente gjatë shfaqjes
Momente gjatë shfaqjes

Humbet të dashurën e ligështohet! Nuk i jep fare kujdes emocioneve që shpërfaqen. Mirëpo, kur Hamleti është grua, nuk mund të mos t’i ketë këto tipare femërore në doza më të larta. U shfaq mbrëmë premiera “Hamleti” në Teatrin Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli. Siç mund të keni kuptuar nga fjalia e parë, ky Hamlet nuk ishte ai klasiku ose ai që jemi mësuar të shohim e dëgjojmë nga skena të tjera. Jo se kjo ishte hera e parë që u bë ky “eksperiment”. Në skena teatrosh jashtë Hamleti është interpretuar më parë nga aktore femra, ndërsa te ne jo.

Ishte Luiza Xhuvani që theu jo vetëm heshtjen e saj të gjatë aktoriale, por i solli edhe të reja skenës. Edhe ajo vetë kishte pësuar ndryshimet e saj; imazhet e para të saj me flokë të shkurtër të dërgonin mendimin se ishin paruket e duhura që i nevojiteshin rolit, por jo, Luiza siç duket kishte dashur të trupëzohej ca me personazhin dhe kishte prerë flokët e saj. Nuk di në është e mirë apo e jo kjo, por t’i njohësh aktorit historinë e tij, duket sikur ndikon ca në gjykimin e rolit. Ajo është padyshim profesioniste dhe e zhveshur, por ngjante sikur lotët që i pamë në daljen e saj të fundit televizive kur la mandatin e deputetes, gjendja pra ndihmonin tiparet e personazhit.

lui
Por kjo mundet të jetë më shumë ndjesi se gjykim. Ndjesi që e bënte Luiza Xhuvanin të fitonte ‘eksperimentin’ që mori përsipër. Ca sjellje a qëndrime mashkullore mundet që të ishin më të forta por, tek e fundit, asnjëri prej personazheve aty nuk ishte brenda rregullave apo brenda kornizës sonë të parafytyrimit. Lehtësisht i perceptueshëm ishte fakti se nëse Xhuvani do të ishte rrethuar nga një grup aktorësh që t’i afrohej pak përvojës së saj, edhe ajo vetë do të dukej shumë më mirë nga ç’ishte. Por kjo nuk u bë e mundur në asnjë rrethanë, sado që lëvizjet e fjalosjet e Hamletit shëtisnin sa në një personazh në një tjetër.

luizaaa
I pakapërdishëm ishte sidomos dialogu i Hamletit me Gertrudën, të ëmën, interpretuar nga aktorja Ina Gjoni. Shpërqendroheshe e çuditeshe aq shumë nga paaftësia e aktores dytësore, sa humbisje interpretimin e protagonistes. Zgjaste aq kjo gjendje sa mund të mos ishe përmendur as disa çaste më pas kur të duhej të dëgjoje një monolog. Por jo, situata i ikte kontrollit sepse menjëherë pas Gertrudës, që dukej sikur ishte shpluhurosur (pastaj grimuar; duhet të ketë qenë ideja për ta paraqitur sharmante) nga arkivat e Kinostudios të shfaqej Ofelia me çmenduri të sforcuar të muskujve të fytyrës, por vetëm me kaq nuk mund të përcillet asnjë gjendje.

luuu
Sigurisht që mund të perceptosh një të qarë, por jo trazirën vdekjeprurëse të rolit të saj. Të vetmit që sikur i forconin disi tiparet hamletiane ishin Gildesteini dhe Rosenkracti. Të dy personazhe që i hynin rolit edhe me plastikën e mimikës, komikë me masë. Mundet pra të ishte dashur një rrugë e mesme në përzgjedhjen e personazheve nga regjisori, Enke Fezollari, kthyer nga Greqia nga Teatri i Athinës ku punon si aktor e regjisor, enkas për këtë shfaqe. Ekstremitetet ndikojnë negativisht në të dy palët. Nuk është që po pate një aktorë të mirë do të ndihmosh edhe të tjerët të duken mirë, përkundrazi. Nëse do të kishte qenë kështu, do të kishim mundur të shijonim edhe rikthimin e Luiza Xhuvanit në skenë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura