Aktiviteti artistik me kuota të larta cilësie

May 26, 2022 | 7:21
SHPËRNDAJE

leke tasi

LEKË TASI

Qysh kur u hap për publikun Teatri i Operës, i rindërtuar me parametra teknikë të nivelit bashkëkohor, miqve të muzikës u është dhënë rasti të shijojnë shfaqje të zhanreve dhe në salla të ndryshme, baleti “Sylfidet” në Teatrin e Operës, koncertet simfonike në Teatrin Turbina, për t’u shënuar ai me dirigjent dhe solist finlandezë dhe pjesë e programit i famshmi koncert për violinë e orkestër e Jan Sibelius, koncertrecitalet me muzikë dhome në Teatrin Metropol dhe në UART (salla e hyrjes) M. Gjollma piano, Elvis Rudi flaut, D. Laro dhe A. Selita violonçel, kurse sintezat me krijimtari dhe përkujtim të kompozitorëve tanë dhe të huaj, Ç. Zadeja e Bojan Adamiç (slloven që punoi pranë Radio Tiranës në 1946-‘47) dhe për krijimtarinë e H.Zacharian, në sallën e Akademisë së Shkencave. Kryesorja: dy ditë me radhë, në datë 15-16 maj, u dha në sallën hyrëse të UART opera e Henry Purcell “Dido dhe Enea”, premierë absolute nga studentët e këtij universiteti me dirigjent Suzana Turku dhe regjisor Rozi Kostani.

Niveli i performancës nga studentet e kantos, soliste dhe koriste (mbizotëronin zërat femnorë), qe i tillë sa mund të përfaqësojë në embrion nivelin e këngëtarëve tanë që aktualisht nderojnë Shqipërinë dhe shkollën ku patën filluar, në skenat më prestigjioze të botës. Rolet kryesore Dido –Elita Hoxha dhe Enea- Diego Zelka, po dhe secila nga solistet e tjera dhe e pjesëmarrësve në kor, si dhe kuarteti i harqeve plus klavicembalo, patën një intonacion të një pastërtie të lartë, kristalinë guxoj të them, së paku të tillë sa mund të haset në çdo teatro me emër e me stazh të gjatë në botë. Sensi i ansamblit dhe i lëvizjes skenike dhe dansit, dizenjo e veshjeve, qenë të tilla sa këtë spektakël mund në perspektivë ta çojnë edhe në skena evropiane, ashtu si u shfaq, pa i hequr asgjë.

Ngjan se gjatë dy vjet mbyllje, shkolla jonë e kantos dhe e teatrit i ka përgatitur në fshehtësi një surprizë të paprecedent publikut, që së bashku me idenë e Ministrisë së Kulturës për një hyrje të lirë kudo në sallat ku luhet muzikë, do të shprehë në shtrirje dashurinë për të. I bëj jehonë me këtë rast të Përndershmit Gjergj Meta që e sintetizoi kulturën-makth që erdhi duke mbuluar shoqërinë tonë në tranzicion si “adhurim për të ‘fortin’ të shoqëruar me Tallava!”.

Diametralisht e kundërta e saj dhe që do të bëhet zbehëse-shkulëse e kulturës së krimit e shëmtisë, është kjo performancë fine që pamë dy mbrëmje rresht në këtë spektakël, jo vetëm për nivelin e saj artistik, po dhe për gëzimin rinor të artistëve mbas shfaqjes, një gëzim dhe entuziazëm që bashkon pasionin për artin e madh, me mirënjohjen për punën dhe dijen e drejtuesve. Kjo eufori masive tani kundrejt asaj të para 15O vjetëve më parë, të kufizuar në pak të rinj në Shkodrën e Kolegjeve, me mësues aktivë dhe të pasionuar, që nga Giovanni Canale, te Martin Gjoka, Palok Kurti dhe një brez më pas, kur Lodovik Naraçi, Tefta Tashko Koço, Maria Paluca Kraja, Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Znj Melgushi etj. nisën t’u mësonin muzikën fëmijëve nëpër klasa.

Prapambetja e vendit nisi të davaritet përmes këtyre pionierëve, të cilëve iu shtuan mësues të huaj që i kishte prurë lufta si ushtarakë W.Caletti, Josef Pfofe, Giovanni Fiore, si dhe nxënësit e të parëve të kthyer nga studime jashtë, Mustafa Krantja, Sofokli Paparisto, Lam Petrela, Ymer Skënderi, Genc Bogdo, Isuf Lato, Isuf Spahiu, Ramazan Kapunja, Gjovalin Shestani, Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Albert Paparisto, Çesk Zadeja, Tish Daija, Hamide Stringa, Shpesa Nishani, Luk Kaçaj, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi. Të huaj si pedagogë erdhën sovjetikët J.Utkin, B.Skoblo, Tamara Njizhnjikova, Nina Kuklina, kinezi Chen, hungarezja Maria Rafael, çekosllovaku Vladislav Topinka, më herët kroatët A. Fuçkar, Pomykalo, i lartpërmenduri Adamiç.

Në çdo rrethanë politike, paqe, lufte, lirie o dhune, individi, veçanërisht artisti ose mik i artit është po ai, një i magjepsur që nuk do t’i pritet magjia. Shkurt, ata duan të realizojnë veten dhe e dinë që shtimi i radhëve, e bën atë aspiratë më të realizueshme, në luftë me ngacmimet, bezdisjet e deri ndalimin e përndjekjen. Ata mund të bëhen faktor i përmirësimit, ndaj shtimi i publikut mund ta thyejë lojën e të qenit variabël i asaj që i vjen nga lart dhe do t’i përdorë.

Ka pasur momente të tilla mbrapshtie, kur edhe artisti është bërë vullnetarisht lojtar politik dhe kjo ka çuar në rritjen e tensionit që ka dëmtuar punën e tij ose favorizim në dëm të artit. Orkestra, solisti, kori, neveriten, këtu qëndron shprehja “Art për art” që do të thotë izolim meqë s’duron dot më, ose forcë dhe lidhje me publikun, në luftë me anë të cilësisë magjike për t’ia hequr cipën viskoze që mbulon aktualisht periferinë, por edhe lokalet e qendrës në planet e tyre për vrasje me pagesë me objektiv makinat luksoze.

Me anë koncertesh të tilla cilësore, me dëgjime muzike në shkolla fillore dhe të mesme, me vizita të rinisë në muzeume e studim të fortë, shkulja e ngadalshme e rrjetit kanceroz do të sjellë një shërim të pjesshëm, por të qëndrueshëm në tru të elitës, e vetmja që mund të organizojë zbutjen e pjesës tjetër të shoqërisë, që ende e sheh burrninë te britmat histerike dhe besnikërinë te vrasja, siç po e shohim. Të posadalë nga një sistem i dhunshëm, njerëzit s’mund të kuptonin se si hiqet dalldia që i pat zaptuar, të kërkesave për të drejtat e tyre me britma e pranim të dhunës së liderëve peshkues në ujë të turbull. Kjo s’arrihet pa kaluar në këtë përpunim estetik që i vë kufi vetes në lakmitë e saj.

Një utopi mund të thuhet, mosbarazi flagrante kohore mes afateve të dy alternativave… Veçse nga artistët pedagogë të lartpërmendur, asnjë s’do të preferonte instrumentalizimin nga instrumenti o zëri që posedonte. Dhe fjala nuk është vetëm te muzika Është një përballje që të sjell në mend se sa e vërtetë del fjala e Shekspirit “Though things of foul wear brows of grace, yet grace must look so”, e cila, e kthyer shqip për rastin tonë aktual mund të thuhet “Sado që horri të vishet si zotni, prapë zotnia duhet të mbetet i tillë”. Le të përfitojmë nga favoret që na jep ministria, të cilat ngjajnë të mbajnë gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura