Aktivistët të vendosur: Ky është vetëm fillimi, parku është i qytetarëve

Feb 21, 2016 | 21:31
SHPËRNDAJE

Aktivistët organizatorë të protestës te Parku i Liqenit, kanë reaguar përmes një deklarate për mediat në të cilën shprehin me forcë distancimin nga çdo lloj tentative e partive politike për ta njollosur protestën e tyre qytetare.

Ata theksojnë se protesta e sotme ishte vetëm fillimi, ndërsa të tjera do të pasojnë në ditët në vijim për të mbrojtur parkun që është i qytetarëve sipas tyre.

12743880_1564974727127867_5080124677773727472_n

Deklarata e plotë:

Ne, aktivistët organizatorë të protestës qytetare te Parku i Liqenit, shprehim indinjatën tonë të thellë kundrejt tentativës partiakëzuese të protestës nga pozita dhe opozita. Pozita, përmes gënjeshtrave dhe gjuhës baltosëse, përpiqet të shpërqëndrojë vëmendjen publike nga afera skandaloze të Bashkisë së Tiranës. Opozita, për shkak të krizës së besimit publik, përpiqet të djegë për kapital politik çdo rezistencë të pavarur qytetare. Si pozita dhe si opozita, janë njëjtë fajtore për betonizimin monstruoz të qytetit të Tiranës dhe shpronësimin e qytetareve nga hapesirat e gjelbërta publike.

Ne, aktivistët e grupimeve të ndryshme me natyrë sociale, mjedisore dhe urbane, siç kemi theksuar edhe në aksionet pararendëse, zotohemi se do të mbrojmë me çdo kusht jo vetëm Parkun e Liqenit, por edhe të gjitha parqet e tjera që rrezikojnë te tjetërsohen në parkingje në dobi të interesave klienteliste. Një javë më parë kemi kallëzuar në Prokurori për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Parku i Liqenit mbrohet me ligj, dhe ligji është mbi çdo vendim abuziv kryeministror, kryebashkiak dhe policor. Parku është i yni, i qytetareve, dhe pikë.

Ne, aktivistët dhe qytetarët e ndërgjegjshëm, dënojmë gjithashtu dhunën e ushtruar nga forca të shumta policore mbi protestuesit e sotëm. Prandaj bëjmë thirrje që policia të ruajë rendin publik jo duke rrahur aktivistë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm, por duke arrestuar pushtetarët ligjshkelës. Përpjekja jonë nuk ndalon ketu. Ky ishte vetëm fillimi.
‪#‎Per_Parqet‬!
‪#‎Per_Shoqerine‬!

Organizata Politike, Qytetaret per Parkun, Mbro Qytetin, Grupimi “Ne Tirana”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura