Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit/ Tabaku në Komisionin e Ekonomisë: Nuk ka lidhje me pandeminë por me hallet e qeverisë

Oct 6, 2021 | 13:36
SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Financave dhe Ekonomisë, u diskutua akti normativ i qeverisë mbi ndryshimet e bërë në buxhetin e shtetit me argumentin për t‘i dhënë një stimul ringritjes ekonomike post-pandemisë.

jorida tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj gjatë mbledhjes u shpreh se shpenzimet e qeverisë prej 1 miliard lekë për AKSHI-në, apo 1 miliard lekë për dronët që blihen nga Turqia, nuk kanë asnjë lidhje me nxitjen e stimujve ekonomikë.

“Nuk e kuptoj çfarë stimuli ekonomik do të japin për ekonominë 1 mld lekë për AKSHI apo 1 mld lekë për dronët që blihen nga Turqia. Ne mund të mblidhemi kur të doni për pandeminë dhe rindërtimin por nuk kemi një Akt Normativ për këto çështje por për disa çështje”, tha Tabaku.

Gjithashtu deputetja Tabaku deklaroi se qeveria do t’i japë  900 milionë lekë Bashkisë Tiranë për Teatrin me Kullë dhe këtë e shet në Aktin Normativ si buxhet për pandeminë.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për Teatrin Kombëtar, prishja është ilegjitime, prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës. Për çfarë arsye i kaloni Bashkisë Tiranë 900 milionë lekë për Teatrin Kombëtar kur vendimi për prishjen është antikushtetues dhe prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës?!”, vijoi Tabaku.

Ajo vuri në dukje se ky veprim nuk ka lidhje me pandeminë dhe as me rindërtimin. Vendimi është abuziv dhe po përpiqet të shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e Partisë Demokratike preku gjithashtu dhe ndihmën e dhënë nga qeveria për qytetarët shqiptarë gjatë periudhës së pandemisë. Sipas saj ndihma ishte më e ulëta në rajon. Ajo citoi të dhëna nga FMN dhe BB në lidhje me ndihmën ekonomike ndërsa vuri në dukje se kjo deficencë as nuk po rregullohet dhe as është rregulluar nga Akti Normativ 2021.

“Ajo pak ndihmë ekonomike që u dha u morr e gjitha nga klientët e qeverisë pra nga koncesionarët” , shtoi deputetja Tabaku duke iu referuar fondit të garancisë sovrane që i ka shkuar mbi 50% për koncesionarët e qeverisë.

Ajo nënvizoi se janë thuajse 2 mld lekë që i kanë shkuar këtyre kompanive koncesionare dhe se ndihma nuk i ka shkuar qytetarëve por koncesionarëve.

Sakaq, sipas deputetes Tabaku, ndihma që BE ka ofruar për Shqipërinë vetëm për pandeminë është 230 mln euro. Një ndihmë e manaxhuar prej BE dhe që ka shkuar për ndihmë reale në sektorin e shëndetësisë dhe atë monetare.

Ndërkohë ajo shtroi më tej çështjen në lidhje me fondet e pandemisë:

“Si u shpenzuan 1 mld euro në ekonomi kur vetëm 120 mln euro shkoi për mbështetje direkte?” pyeti ajo në Komision.

Deputetja Tabaku vuri gishtin gjithashtu edhe tek fatura e koncesioneve që kanë ndikuar në borxhin publik. “Sa është fatura totale e koncesioneve që ka firmosur qeveria?” pyeti ajo duke nënvizuar se “në dijeninë tonë koncesionet kapin vlerën e 2.2 mld eurove”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura