“Akt kriminal dhe i paprecedent”/ Budina në Panorama TV për sulmin ndaj “Prestige Resort”: Rama ka arritur në çmenduri, populli të reagojë fuqishëm, të nxirret me shqelma nga zyra

Mar 22, 2023 | 18:24
SHPËRNDAJE

Regjisori Edmond Budina e ka konsideruar një akt kriminal dhe të paprecedent sulmin e qeverisë ndaj “Prestige Resort”. Në një intervistë për Panorama TV, Budina deklaroi se Rama me akte të tilla ka shkuar deri në çmenduri.

Sipas regjisorit, Rama do të japë mesazhin se kush i del kundër, do ta shpërbëjë me forcën e pushtetit.

Budina shtoi se nga zhvillime të tilla, populli duhet të reagojë ashpër, deri edhe në protesta të dhunshme për ta larguar Ramën nga qeveria.

Budina: Padiskutim që është një sulm, është një skandal në vazhdën e gjithë skandaleve që ka kryer ky kryeministër. Unë nuk kam asnjë njohje me pronarin e “Prestige Resort”, ama e gjej të pavend ndërhyrjen e shtetit në këtë mënyrë brutale, duke shkelur çdo të drejtë të njeriut, duke shkelur të drejtën e qytetarëve për të jetuar. Kryeministri Edi Rama është bërë një rrezik i madh shoqëror. Ka nisur me Teatrin Kombëtar, dhe vazhdon të veprojë në mënyrë të logjikshme. Kemi të bëjmë jo me një njeri që është i papërgjegjshëm, por i përgjegjshëm në çmendurinë që bën.

Po i terrorizon njerëzit përmes këtyre akteve vandale, si një qeveri fashiste. Ky nuk e respekton pronën private, nuk respekton shtetin ligjor. Je kundër meje, unë të shpërbëj. Është një sulm skandaloz dhe i papranueshëm. Shoqëria duhet të reagojë, jo për Irfanin, por për veten tonë. Edi Rama ka thënë që nuk keni parë asgjë akoma. S’mund ta mendonim se si do reagonte kryeministri të shkonte në këtë shkallë. Kemi të bëjmë me një akt kriminal. Ai do të tregojë se nëse i del kundër, mund të të shpërbëjë.

Populli duhet të ngrihet ashpër ndaj tij. Nëse ai nuk i thërret mendjes, ai duhet të tërhqiet zvarrë dhe të shporret me shqelma nga zyra ku drejton. Ai ka arritur në një shkallë çmendurie të këtij lloji. Por nuk e kuptoj se si njerëzit nuk i thërrasin mendjes së tyre për të mos reaguar, për një akt vandal të këtij lloji. A ka njerëz të përgjegjshëm në këto institucione shqiptare. Unë nuk i bindem këtij urdhri. Këta njerëz që i binden, ose janë të mbytur deri në gryk me afera korruptive, ose janë të paguar shumë mirë.

Kemi të bëjmë me një shtet në duart e një njeriu të vetëm. Përdhunon çdo të drejtë, për më tepër që është në një ditë pushimi. Si mundet që edhe ata punonjës nxirren në punë. Duhej pritur vendimi i gjykatës. Këtu çdo është jashtë mendjes, ndonëse gjykatat i ka në dorë, nuk i respekton. Prapë nuk i dëgjon dhe as nuk i respekton. Nuk do t’ia dijë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura