Aksioni në Lazarat rrit në 2800 euro kg e hashashit. Policia, kontroll lokaleve të natës

Jul 27, 2015 | 16:32
SHPËRNDAJE

Antidroga e Tiranës prej dy javësh ka nisur një aksion në lokalet e natës më të frekuentuara të kryeqytetit, me qëllim parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike për të rinj.

Dyshimet se në “club”-e të ndryshme mund të konsumohej hashash, por edhe droga të forta si kokainë e heroinë, shtynë oficerët e Policisë që të vënë në zbatim një plan të detajuar masash, i cili do të vazhdojë deri në përfundim të sezonit turistik.

nate1
Objekti kryesor i këtij aksioni të nisur nga Antidroga është goditja e shitësve të lëndëve narkotike, të cilët ua servirin në doza të ndryshme të rinjve, që frekuentojnë lokalet e natës. Intensiteti më i madh i kontrolleve të tilla do të jetë përgjatë muajit gusht, periudhë kur pritet që të ketë edhe fluks më të madh të rinjsh që frekuentojnë lokalet e natës e për rrjedhojë edhe më shumë përdorues droge.

Gjatë këtij muaji janë arrestuar disa persona që shpërndanin kryesisht bimë narkotike në zona të populluara të Tiranës, kryesisht te ishBlloku, “Komuna e Parisit”, “Tirana e Re” etj.

SHITJA E DROGES

Megjithatë, duket se falë aksioneve të herëpashershme të Policisë, tregtia e bimëve narkotike, por edhe e drogave të forta po bëhet çdo ditë e më e vështirë. Kjo pasqyrohet edhe në çmimin e blerjes dhe të shitjes së drogës, që padyshim ndikim ka pasur edhe operacioni i vitit të kaluar në Lazarat dhe në Dukagjin.

Në një kohë që vitin e kaluar një kilogram kanabis sativa blihej edhe me 200 euro, sot çmimi ka kapur shifra rekord, duke shkuar në 2800 euro kilogrami. Të rinjtë, kryesisht ata që njihen si konsumatorë të marijuanës, çdo ditë e më shumë e kanë të vështirë të gjejnë këtë lloj droge, kjo jo vetëm për shkak të çmimit të rritur, por edhe nga aksionet e herëpashershme e kontrollit të territorit nga Antidroga.

Për të parandaluar rritjen e numrit të përdoruesve, konsumimin e drogës në ambiente publike, Policia ndërmori një plan masash që synon edhe arrestimin e personave që e shesin. Duke qenë se “club”-et e natës, kryesisht në verë frekuentohen nga të rinj, që përdorin hashash, por edhe kokainë, ato janë tashmë terreni më i përshtatshëm për të identifikuar dhe arrestuar personat që merren me shpërndarje droge.

NGA ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura