“Aksioni i tatimeve po çon drejt falimentit bizneset”

Oct 10, 2015 | 12:26
SHPËRNDAJE

Rreth dy muaj pas shpalljes së aksionit kundër informalitetit, biznesi ndihet i kërcënuar, drejt falimentimit dhe i trembur për investime të reja. Për Dhomën Amerikane të Tregtisë, masat e reja të qeverisë po përkeqësojnë thellë klimën e biznesit.

Takimi i Dhomës Amerikane me “Reformatics"
Takimi i Dhomës Amerikane me “Reformatics”

“Të pakonsultuara, skajshmërisht penalizuese dhe falimentuese”. Aksioni i qeverisë për “të bërë shtet” duket se po e kthen ekonominë në pikën e vet më të keqe. Zgjidhja? Rishikim në ulje të taksave dhe penaliteteve të reja.

AKUZAT
“Dhoma Amerikane ka vënë re me shqetësim se efektet anësore të këtij aksioni që e ka zanafillën në ndryshimet e Ligjit për Procedurat Tatimore, të cilat kaluan pa një diskutim paraprak me organizatat e biznesit kanë filluar të ndihen te biznesi duke dhënë një efekt të kundërt nga sa pritej. Ne mendojmë se ky plan masash duhej të konsultohej më parë me biznesin dhe duhet të kishte edhe përkrahjen e tij. Shqetësimi ynë është se ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin, duke u prerë rrugëtimin bizneseve, të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë.

Masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit, por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Gjobat dhe penalitetet duhet të jenë në proporcion me nivelin e biznesit.

Në të gjithë botën, gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milionë lekë nuk mund të gjobitet 10 milionë lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit. Bëhet fjalë për kategori biznesi, të cilat nuk kanë edukimin e mirëfilltë fiskal, nuk kanë mundësinë financiare të kenë ekspertizë në dispozicion, dhe ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore janë zbatuar pa iu lënë kohën e nevojshme që t’i njohin dhe t’i zbatojnë.

Për më tepër, në ligj nuk parashikohen po të njëjtat masa drastike për punonjësit tatimorë, të cilëve ndërkohë u është lënë një liri e autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit, duke ndikuar për rrjedhojë negativisht në luftën kundër informalitetit.”

KËRKESAT
“Në kërkesat e saj për Paketën Fiskale 2016, Dhoma Amerikane ka argumentuar se lufta kundër informalitetit fillon si një reformë e menduar mirë, mbështetur në politika fiskale lehtësuese, me taksa të ulëta që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale, krijojnë një klimë të qëndrueshme duke rritur investimet e huaja, hapin tregjet vendëse duke u bërë të konkurrueshëm në rajon, dhe për rrjedhojë i japin ekonomisë impulse pozitive. Ne shprehim edhe njëherë përkrahjen tonë për luftën kundër informalitetit, por ndërkohë kërkojmë nga qeveria të rishikojë format, me të cilat po e zhvillon këtë luftë, duke bërë reforma që e përfshijnë dhe e korrektojnë biznesin dhe realizojnë qëllimin e formalizmit të tij”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura