Aksioni, Cani ul optimizimin: Presim 92 milionë USD shtesë

Nov 26, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje në Komisionin e Ekonomisë se nga aksioni kundër informalitetit do të mblidhen 9,3 miliardë lekë të ardhura apo 93 milionë dollarë.

Duke raportuar mbi të ardhurat për buxhetin 2016, kreu i Financave, ndryshe nga sa u deklarua në nisje të aksionit që të ardhurat nga lufta kundër informalitetit do të ishin 360 milionë dollarë, paraqiti një tablo më pak optimiste.

Ministri-i-Financave-Shkelqim-Cani-ne-komisionin-parlamentar-te-ekonomise-Foto-Agim-Dobi1

Shifra të detajuara mbi luftën kundër informalitetit dhe të ardhurave të tjera, sipas edhe kalendarit të Kuvendit, do të prezantoheshin nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Breseida Shehaj dhe drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu. Por kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, vendosi që mbi të ardhurat të raportojë vetëm ministri. Në momentin e fundit Braçe ka njoftuar se dy drejtoreshat nuk do të ishin në Komision. Shehaj dhe Fagu kishin ardhur në komision sipas njoftimit.

Drejtoresha e Tatimeve, u pa të largohej nga zyrat e kuvendit, pas njoftimit të dytë të komisionit. Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, deklaroi se të ardhurat nuk do të realizohen në nivelet që ka parashikuar qeveria. Sipas Shehut, deficiti nga të ardhurat do të jetë 12 miliardë lekë.

Keni dy vjet që nuk keni realizuar të ardhurat nga buxheti. Ju keni dy vjet që nuk keni sjellë në buxhet efektin e taksave të rritura, jo më të miradministrimit të të ardhurave.

Sepse aq sa ju keni futur të ardhura në dy vite, janë më të vogla se ato që ju keni deklaruar nga efekti i rritjes së taksave. Ju parashikoni të shtoni në buxhet, me këtë tabelë që na keni bashkëngjitur këtu, 10 miliardë lekë, duke futur brenda edhe grandet edhe dividendin. Ju deklaruat se për vitin e ardhshëm të ardhurat do të rriten 30,7 miliardë lekë, kundrejt planit të pritshëm dhe duke bërë diferencën, del që ju nuk do të realizoni edhe 12 miliardë lekë të tjera?!”.

Ministri i Financave tha se nga rritja e taksave të ardhurat priten 1 miliard lekë; nga lufta kundër informalitetit 9,3 miliardë lekë, kurse nga politikat makrofiskale 5,9 miliardë lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura