Aksioni, Banka Botërore: “OK”, por mbroni të varfrit

Sep 29, 2015 | 13:35
SHPËRNDAJE

Banka Botërore vlerëson se aksioni antiinformalitet është hapi i duhur i ndërmarrë nga qeveria, por duhet të kihet kujdes në mënyrë që shtresat e varfra të trajtohen me paketa mbrojtëse.

Nga prezantimi i raportit me Bankën Botërore
Nga prezantimi i raportit me Bankën Botërore

Në një takim të mbajtur dje për publikimin e raportit më të fundit për ekonominë në Ballkan, drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed, tha se është e rekomandueshme që reforma të tilla që kanë impakt te shtresat e varfra të shihen me kujdes. “Qeveria do të duhet të sigurojë mekanizma të mjaftueshëm socialë për të adresuar pasojat apo çështjet afatshkurtra që mund të dalin mbi segmentet më të varfra të shoqërisë. Në këtë pikë, roli i paketave të mbrojtjes sociale, përshtatja e tyre për t’iu përgjigjur direkt çdo pasoje që këto reforma kanë mbi shtresat në nevojë, është kritik”, tha Sayed.

AKSIONI
Banka Botërore thekson se reforma e nisur duhet të mbahet e tillë deri në fund, deri në krijimin e traditës së rregullshmërisë. Operacioni për formalizimin e ekonomisë duhet që të çohet deri në fund dhe për këtë toleranca duhet të jetë e vogël, duke zbatuar masat njëlloj për të gjithë. “Dy gjëra që dua t’i theksoj. Së pari, lufta kundër informalitetit duhet të jetë e vazhdueshme dhe, së dyti, duhet të zbatohet ndershmërisht në të gjitha segmentet e ekonomisë dhe biznesit, çka krijon besueshmëri në sytë e publikut, që reformat janë të ndershme dhe zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë”, tha Sayed.

RAPORT
Rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë jo më pak se 2.7 për qind, sipas parashikimit të bërë nga Banka Botërore, e cila e ka ulur këtë vlerësim nga 3% që ishte më herët. Në raportin për Europën Juglindore, ku analizohet dhe Shqipëria, merren në vlerësim disa aspekte të lidhura me ecurinë e të ardhurave, shpenzimeve, investimeve në veçanti, borxhi publik apo papunësia. Në një panoramë pozitive, Banka Botërore ka vlerësuar se ka pasur një ecuri më të mirë të shpenzimeve kapitale krahasuar me një vit më parë. Po kështu pagimi i detyrimeve të prapambetura shihet si një tjetër aspekt me ndikim pozitiv. “Gjatë gjysmës së parë të 2015-s, shpenzimet janë tkurrur me 0.9 për qind në bazë vjetore me 195.6 miliardë lekë. Në të kundërtën, shpenzimet kapitale u rritën me 5.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, gjë e cila përforcon kontributin pozitiv të investimeve në raport me PBB-në në tremujorin e parë të 2015-s”, thuhet në raportin e Bankës. Ky i fundit bën edhe një përmbledhje të ndikimeve negative në ekonomi ku, mes të tjerash, përfshin kreditë e këqija, çmimet e naftës, si dhe kërkesa e jashtme akoma e kufizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura