Aksidentoi për vdekje djalin e ish-zv.ministrit, në gjyq autorja Uarda Çota

May 25, 2015 | 14:20
SHPËRNDAJE

Dërgohet në gjyq vajza e akuzuar për aksidentin që i mori jetën djalit të ish-zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen penale ndaj shtetases Uarda Çota, e arrestuar në lidhje me aksidentin e ndodhur më datë 29 dhjetor 2014.

Vendi i aksidentit

Mësohet se pas dërgimit të dosjes në Gjykatë, janë zhvilluar disa seanca, ku të pandehurës i është pranuar gjykimi i shkurtuar. Sipas të dhënave nga gjykimi i çështjes, Prokuroria akuzon të pandehurën për shkelje të rregullave të qarkullimit, pasi ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi 85 kilometra në orë në segmentin e rrugës te “Komuna e Parisit”, me makinën “Mercedes Benz” me targa EN 07 XNR. Makina e drejtuar nga Çota ka goditur nga pas automjetin “BUICK” me targa AA 200 AR.

Sipas akuzës, veç faktit se ka qenë me shpejtësi mbi normën e lejuar, shtetasja Uarda Çota ka shkaktuar aksidentin me anë të goditjes së makinës, që ndodhej para saj, duke sjellë pasojat e aksidentit të rëndë. “Goditja që i ka bërë mjeti ‘Benz’ makinës ‘Buick’ e ka penguar këtë të fundit të marrë kthesën dhe për shkak të inercisë dy makinat kanë humbur drejtimin dhe kanë rënë në gropën e krijuar pak metra më tutje nga një shoqëri ndërtuese”, thekson akuza.

Nga aksidenti humbi jetën i mituri R.P., ndërsa janë plagosur edhe disa persona të tjerë. Sipas akuzës, Uarda Çota është kontrolluar dhe në momentin e aksidentit ka pasur 0.88 përqindje alkooli për litër në gjak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura