Aksidenti te Fresku/ Dëshmia e shoferit: Nuk e di si më iku timoni…

Jun 1, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

Françesko Otobashi, i arrestuar për aksidentin te Fresku me një viktimë, vajzën 3-vjecare dhe të plagosur prindërit e saj ka pranuar para oficerëve të policisë që është përdorues i hashashit. Madje ka pranuar edhe që në momentin që drejtonte makinën ka qenë nën efektin e drogës.

Makina në vendin ku ndodhi aksidenti
Makina në vendin ku ndodhi aksidenti

Megjithatë, i riu është justifikuar duke thënë se, pavarësisht se e ka humbur kontrollin e mjetit, është gjendur në befasi dhe nuk i ka parë prindërit e fëmijët që ndodheshin në trotuar.

“Nuk e di se si ndodhi që më iku timoni në një moment. E humba drejtimin e makinës. Por aty ku po kalonin personat që përplasa, ndodhet një mur që më pengoi pamjen dhe nuk i kam parë që ishin aty. Jam edhe vetë i tronditur nga ajo që kam bërë”, është shprehur i arrestuari.

Në këtë mënyrë ai e ka shpjeguar edhe largimin nga vendi i aksidentit, duke thënë se e kishte kapur paniku kur ka parë vajzën e vogël të përgjakur.

Dje policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi Françesko Otobashi (Franko), 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 17:30, në rrugën ‘Muhamet Veliu’, duke drejtuar me leje drejtimi mjetin tip ‘Volkswagen Sharon’, ka aksidentuar me vdekje shtetasen e mitur E.Shallari, 3 vjeç, banuese në Qesarakë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasi Landi Shallari, 44 vjeç”.

Autori i këtij aksidenti, 21-vjeçari Otobashi, i cili, sipas Policisë ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ka humbur kontrollin e mjetit, duke përplasur për vdekje vajzën e mitur. Ndërsa ka lënë të plagosur rëndë babanë e saj dhe ka dëmtuar më lehtë nënën.

Etleva Delia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura