Shoferit që aksidentoi për vdekje 3-vjeçaren iu gjet hashash në makinë

Jun 1, 2016 | 8:20
SHPËRNDAJE

Të riut që aksidentoi me vdekje vajzën 3-vjeçare në zonën e Freskut në Tiranë, iu gjet në automjet një sasi bimë narkotike, kanabis sativa.

Autori, Françesko Otobashi
Autori, Françesko Otobashi

“Panorama”, duke iu referuar burimeve nga hetimet shkruan sot se “gjatë kontrollit të kryer në automjetin tip “Volkswagen Sharon”, me targë AA 416 LY, që drejtohej nga Françesko Otobashi, u gjet një qese më bimë narkotike të dyshuar kanabis sativa”.

Pasi kanë kaluar 24 orë nga aksidenti tragjik që i mori jetën një vajze vetëm 3 vjeçe në zonën e Freskut në Tiranë, ekspertët kanë arritur në përfundimin se shkak i ngjarjes ka qenë humbja e kontrollit të mjetit.

Sipas Policisë, humbja e kontrollit duket se ka pasur një tjetër shkak, që sipas oficerëve të grupit hetimor ka qenë përdorimi i lëndëve narkotike nga drejtuesi i mjetit. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se 21-vjeçari Françesko Otobashi ka rezultuar të ketë qenë nën efektin e hashashit kur ka shkaktuar aksidentin.

Kjo është provuar edhe nga analizat toksikologjike të kryera nga mjekët ligjorë, por është pohuar edhe nga vetë i arrestuari.

Nga ana tjetër, i riu që u arrestua menjëherë pas ngjarjes, përveç akuzës së shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, akuzohet edhe për mbajtje të lëndëve narkotike.

Dje policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi Françesko Otobashi (Franko), 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 17:30, në rrugën ‘Muhamet Veliu’, duke drejtuar me leje drejtimi mjetin tip ‘Volkswagen Sharon’, ka aksidentuar me vdekje shtetasen e mitur E.Shallari, 3 vjeç, banuese në Qesarakë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasi Landi Shallari, 44 vjeç”.

Autori i këtij aksidenti, 21-vjeçari Otobashi, i cili, sipas Policisë ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ka humbur kontrollin e mjetit, duke përplasur për vdekje vajzën e mitur. Ndërsa ka lënë të plagosur rëndë babanë e saj dhe ka dëmtuar më lehtë nënën.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura