Aksidenti në Velipojë/ Infermierja tregon tmerrin: Djalin e mora të vdekur në prehër. Lutje Ramës, aman…

Feb 21, 2018 | 21:35
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Ajo e cila ka qenë e para në aksidentin tragjik me tri viktima, një në gjendje të rëndë dhe tre të tjerë jashtë rrezikut, është infermierja e Qendrës Shëndetësore të Velipojës, Vjollca Pacaj.

vjollca-infermiere

Ajo rrëfen tmerrin që ka parë me sy pasi ka mbërritur në vendin e aksidentit 10 minuta pas përplasjes së dy automjeteve kokë më kokë. Pacaj rrëfen se si dy vajzat ndodheshin të shtrira në tokë, nënën e gjakosur apo babain e fëmijëve, që ishte bërë dyfish në makinë dhe kishte ndërruar jetë në vend bashkë me djalin 6 muajsh.

“Ka qenë ora 17:40 dhe më ka marrë në telefon një nip i shtëpisë sime. Më ka thënë ku je, i thashë në shtëpi, si njeri normal dhe pushim që isha. Nipi i shtëpisë më thotë eja se ka ndodhur një aksident. Menjëherë kam marrë në telefon Elvis Ramën, shoferin e ambulancës sepse shoferi tjetër ishte me pushime. Megjithatë, pas tij ka marrë edhe Rifatin, duke llogaritur se është shofer i vjetër. Nipi më mori sërish, teksa isha duke dalë dhe më tha eja se është një fëmijë i vogël. Me shapka siç kam qenë në shtëpi, kam marrë një mjet bashkë me urgjencën që kemi ne dhe me drita ndezur, kemi shkuar shumë shpejt. Kur kam shkuar, nuk kishin kaluar as 10 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja”, shprehet Vjollca Pacaj. Infermierja e Qendrës Shëndetësore të Velipojës më tej tregon se, gjëja e parë që ka dëgjuar, kanë qenë britmat e nënës së tre fëmijëve.

SHKODER1

“Sapo kemi ndalur makinën, kemi parë nënën që bërtiste ku janë fëmijët. Kam hapur ambulancën dhe i kam bërë një adrenalinë se nuk dija çfarë t’i bëja tjetër në atë moment sepse ishte e larë në gjak. Kur kam kthyer kokën, kam parë dy vajzat njëra pas tjetrës, përmbys në tokë. Kishte shumë banorë të zonës. Mbi 50 kanë qenë aty. Kam bërtitur me të madhe, aman ejani dhe më ndihmoni të marr fëmijët. Ka ardhur një djalë i ri. E falënderoj shumë atë. Ai djali më ndihmoi të marr njërën nga vajzat dhe e pashë se ajo nuk ishte mirë dhe në atë moment i kam vendosur qaforen në qafë. Aty kam gjetur Rifatin me ambulancë, i cili ka shkuar për 5 minuta, më shpejt se unë dhe sikur ta kishte pasur shtëpinë aty, më shpejt s’kishte pasur si të vinte. Dy vajzat i kemi vendosur në ambulancë në barelë, kurse djalin e vogël e kam marrë unë. Djali i vogël, kur e kam marrë në dorë, kishte ndërruar jetë. Edhe vajza 5 vjeçe që u nda nga jeta, ishte shumë rëndë. Kemi shkuar me ambulancën tonë deri në fshatin Trush. Aty, vajzën 5 vjeçe që mendonim se është më mirë, e kemi vendosur në oksigjen dhe më pas kemi shkuar në spital”, shprehet infermierja për aksidentin e rëndë.

SHKODER2

Më pas ajo rrëfen dhe momentin e dhimbshëm të humbjes së jetës edhe të vajzës 5 vjeçe.

“Na ka pritur spitali dhe kanë bërë të pamundurën, por dëmet e mëdha i morën jetën vajzës 5 vjeçe, ndërsa dihet që shumë rëndë është vajza 10- vjeçare. Edmondi, babai i fëmijëve, ka qenë i vdekur që në momentet e para kur i kam bërë adrenalinën bashkëshortes së tij. Kam shkuar te makina, ai ka qenë dyfish i bërë dhe i vdekur në vend. Nuk kishte absolutisht asnjë shenjë jete dhe shihej se kishte ndërruar jetë. Ambulanca ka shkuar aq shpejt në vendngjarje, sa nuk di çfarë të them, më shpejt se kurrë ndoshta.”

Infermierja Vjollca Pacaj nuk ka frikë t’u bëjë një apel të fortë të gjithë institucioneve deri te Kryeministri për të mundësuar një ambulancë tjetër për Velipojën sepse ajo që kanë është e amortizuar, ndërsa u mungon edhe oksigjeni për aksidente të tilla të rënda.

“Ne këtu në Velipojë e kemi ambulancën e lodhur. Nuk kemi oksigjen. I kërkojmë shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeministrit të vendosin dorë vetëm për këtë ambulancë. Sinqerisht, që gjithkush duhet ta vërë veten në pozicionin e dikujt tjetër që ka një hall. Një ambulancë ka e gjithë Velipoja. Unë bëj thirrje, në emër të gjithë stafit, në emër të gjithë Velipojës, ju lutem të gjithëve, ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit, aman, një ambulancë të na e sillni sepse Velipoja është shumë e madhe. Ambulanca që kemi është tejet e amortizuar, pavarësisht se drejtorja e Qendrës Shëndetësore bën maksimumin, duke e dërguar shpesh në servis vetëm që t’i qëndrojë banorëve gati. Ajo ka qenë një tragjedi, që mos i ndodhtë askujt. Unë kam shkuar dhe kam qëndruar gjithë natën, derisa viktimat janë dërguar nga morgu në banesë. Jemi munduar që ta menaxhojmë atë situatë, na ndihmuan banorët dhe familjarët e shkretë, që llogarit në çfarë situate ishin.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura