Aksidenti në Shkozet, hetimet mbërrijnë sërish te tenderi i ARRSH

May 23, 2016 | 16:42
SHPËRNDAJE

Aksidenti me dy viktima e 4 të plagosur, që ndodhi të shtunën në Bajpasin e Shkozetit, i ka cuar hetimet që nisën për zbardhjen e shkaqeve të tij, sërish tek tenderi i zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 6 Janar të këtij viti.

Tenderi prej 30  milionë lekësh të reja, u fitua nga bashkimi i kompanive BE – IS dhe PIENVIS. Është i njëjti tender që u përfol në aksidentin e ndodhur më 7 Maj në autostradën Plepa – Rrogozhinë, ku si pasojë e mungesës së parmakëve mbrojtës humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos nëna e tyre bashkë me fëmijën tjetër të saj 1 vjeç.

kavaje aksident

Ky tender iu dha kompanisë PIENVIS edhe pse ajo kishte qenë në konflikt gjyqësor direkt me Autoritetin Rrugor Shqiptar pikërisht për shkak se kundështonte vendosjen e parmakëve në vendin ku ndodhi aksidenti, pasi në këtë mënyrë i mbyllej aksesi në autostradë i kësaj pike karburantit që ajo ka në pronësi.

Por teksa hetimet për këtë rast u përqendruan tek përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor Shqiptar për moszbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës për vendosjen e parmakëve metalikë, për aksidentin e të shtunës dyshohet se kushtet e kontratës nga fituesit e tenderit janë shkelur për afera korruptive.

Për këtë qëllim çështja është marrë në dorë nga Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, që ka proceduar në gjendje të lirë Hamz Islamajn, aksioner i vetëm dhe administrator i BE – IS, për shkak se barrierat mbrojtëse ku u përplas makina ku udhëtonin 2 viktimat dhe 4 të plagosurit ishin të dëmtuara dhe jashtë standardit.

Hetuesit dyshojnë se firma fituese e tenderit të mirëmbajtjes së rrugës mund të ketë korruptuar drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar që të mbyllnin sytë ndaj shkeljes së standardeve të sigurisë, me qëllim përfitimin e parave të dhëna për sigurinë rrugore.

Neni 248 i kodit penal me të cilin është proceduar Islamaj përfshin “kryerjen ose moskryerjen me dashje të veprimeve në kundështim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanës sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë”.

Hetimet për zbardhjen e aksidentit të dytë rrugor me pasoja të rënda që ndodh në këtë aks brenda dy javësh, janë shtrirë sërish në zyrën e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por këtë herë, veç shpërdorimit të detyrës që çoi në pranga 3 drejtorë të këtij institucioni, burimet policore dhe të prokurorisë së Durrësit thonë se dyshohet që drejtues të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar mund të jenë përfshirë në afera korruptive.

Tv Klan

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura