Aksidenti në Gjirokastër, “Nissan”-i me 160 në aksin ku lejohej 30 km/h

Jul 26, 2016 | 15:02
SHPËRNDAJE

Policia e Gjirokastrës arrestoi dje dy drejtuesit e mjeteve që u përplasën dy ditë më parë dhe për pasojë shkaktuan tre viktima, dy prej të cilëve fëmijë. Grupi hetimor ka qëndruar në vendin e ngjarjes plot gjashtë orë, ku në përfundim doli me konkluzionin se fajin më të madh për aksidentin e rëndë e ka pasur drejtuesi kosovar me pasaportë zvicerane, Irfan Hasanaj.

Aksidenti ne Gjirokaster
Aksidenti ne Gjirokaster

31-vjeçari ishte drejtues i “Nissan”-it me targa zvicerane ZH 750960. Policia ka arrestuar edhe drejtuesin e furgonit me targa AA 760, LI Hasan Dedja, 58 vjeç banues në kryeqytet. Nuk është i qartë ende motivi i arrestimit të tij, por nuk përjashtohet fakti i tejmbushjes me pasagjerë, si dhe shpejtësia. Makinat që u përfshinë në aksident vinin nga drejtime të ndryshme, teksa qarkullonin në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Sipas grupit hetimor, automjeti tip “Nissan” ka humbur krejtësisht kontrollin në momentin kur ka qenë jo më larg sesa 20 metra nga furgoni me nëntë pasagjerë. Nga ekspertimi që i është bërë mjetit me targa zvicerane, që drejtohej nga shtetasi me origjinë nga Gjilani, ka rezultuar se timoni ka humbur drejtimin mekanik të kontrollit të boshtit fundor.

Kjo ka ndodhur pak para se mjeti të përplasej me furgonin e mbushur me udhëtarë. Sipas ekspertizës, ky defekt i timonit, në rastin konkret i mjetit me targa zvicerane, ndodh vetëm në momentet kur qarkullohet në limitet e shpejtësisë. Hasani ka qenë duke qarkulluar me mjetin e tij, në një zonë ku ulja e shpejtësisë ishte e detyrueshme sipas tabelave të instaluara, deri në masën 30 km/h.

Ndërkaq, shpejtësia e “Nissan”-it dyshohet të ketë qenë 145-160 km/h, në një zonë ku ndalohet parakalimi dhe detyrimisht me shpejtësi të reduktuar deri në 30 km/h. Kjo dhe për faktin se bëhet fjalë për një aks nacional me lidhje anësore tw njw rruge qw tw ccon drejt fshatit Mashkullorë.

Viktimat Albana Hasani, punonjëse e Policisë së Shtetit dhe e bija e saj 9 muajshe, Dorjana Dedja, si dhe foshnja 15 muajshe Luan Hasanaj, që ndodhej në bordin e mjetit “Nissan” kanë ndërruar jetë drejt transportimit për në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa tetë të lënduarit e tjerë janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, tre prej të cilëve vijojnë të jenë në gjendje shumë të rëndë.

***

Lelo Metaj, njëri prej dëshmitarëve që është gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes, rrëfen për gazetën “Panorama” atë çfarë ka ndodhur në orën 14:00 të së dielës. Sipas tij, goditja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dukur sikur ka shpërthyer ndonjë granatë difensive.

Madje, sipas Lelos, nga kurioziteti kanë dalë nga bazeni që shërben për t’u larë aty pranë vendit të ngjarjes të gjithë plazhistët.

“Ka qenë një katastrofë e vërtetë. Unë gjendesha këtu para pikës së furnizimit me karburant, sepse prisja një njeriun tim që të vinte e të më merrte nga këtej për në fshat lart (Mashkullorë). Kam qëndruar deri në momentin që ka ndodhur përplasja e madhe. Aty kam parë se çfarë është të drejtosh makinën siç e drejtoi ai djali makinën e zezë (autoveturën ‘Nissan’). Makina e vogël doli nga korsia e vet dhe u përplas me furgonin që, para se të ndodhte fatkeqësia, i binte borisë pa pushim. Ka qenë kjo bori që mua më tërhoqi vëmendjen dhe menduam se kushedi se çfarë kishte. Kur kam kthyer kokën, ndodhi përplasja”, thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura