Aksidenti misterioz/ Zbardhet dëshmia 4 orë e burrit të viktimës në polici

Aug 5, 2015 | 9:40
SHPËRNDAJE

Bashkëshorti i Bujana Bushit, gruas së vdekur në aksident me 100 mijë euro në çantë, është marrë në pyetje dje për 4 orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Bujana, viktima e aksidentit me bashkeshortin, Vullnet Troka
Bujana, viktima e aksidentit me bashkeshortin, Vullnet Troka
Ai mësohet se ka dorëzuar edhe disa dokumente që, sipas tij, provojnë se ajo kishte me vete shumën prej 100 mijë eurosh në momentin e aksidentit. Vullnet Troka është thirrur dje nga një oficer i hetimit të Krimeve të Hapura, ku ka renditur dyshimet e tij rreth ngjarjes.

Ai ka deklaruar se bashkë me të shoqen kishin tërhequr nga banka shumën prej 100 mijë eurosh, para që, sipas tij, ishin kursime të dhjetëra viteve. Troka është shprehur para hetuesve se paratë i ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë, që ndodhet në zonën e Unazës së Re, te një kompleks i ri banimi.

Ndërsa si provë për këtë ai ka dorëzuar edhe faturat e tërheqjes së parave, që tashmë pritet të verifikohen nga grupi hetimor.

“Me gruan kemi pasur disa probleme familjare, por i kishim sheshuar dhe tani kishim vendosur të bashkoheshim. Për këtë vendosëm të blinim një shtëpi dhe të jetonim prapë bashkë. Tri ditë para se të ndodhte aksidenti, unë me Bujanën tërhoqëm paratë e kursimeve të mia, te një prej bankave të nivelit të dytë, në Unazën e Re në Tiranë, dhe ia dhashë asaj. Kam edhe faturat për këtë, madje janë dhe filmimet e bankës”, ka deklaruar Troka.

Në dëshminë e tij, 45-vjeçari ka shtuar se për shumën e parave të tërhequr nga banka nuk ka qenë në dijeni vetëm ai dhe e shoqja, por edhe kunati i saj. Sipas tij, edhe Fisnik Bushi, me të cilin jetonte prej pak kohësh bashkëshortja e tij, ishte informuar për shumën e parave dhe e ka ditur edhe arsyen se përse i kishin tërhequr. Troka u ka kërkuar oficerëve të Policisë që të merret edhe dëshmia e tij rreth ngjarjes.

DESHMIA
Vullnet Troka, bashkëshorti i 32-vjeçares Bujana Bushi, përveç pretendimeve për zhdukjen e 100 mijë eurove, ka renditur në Polici edhe zhdukjen e disa sendeve të tjera personale të saj. “Bujana ka pasur me vete në çantë edhe portofolin ku kishte 2 karta bankare, patentën dhe kartën e identitetit. Gjithashtu ka pasur edhe dy telefona celularë. Unë u kam rënë celularëve të saj ditën e aksidentit. Njëri prej numrave është mbajtur i hapur për orë të tëra, por nuk përgjigjej njeri, ndërsa tjetri dilte i fikur”, ka deklaruar 45-vjeçari.

Ai është shprehur në Polici se asaj nuk i janë vjedhur vetëm paratë, por edhe të gjitha sendet me vlerë që ka pasur me vete. I pyetur rreth shumës së madhe që ai pretendon se kishte kursyer bashkë me të shoqen, Troka është shprehur se ka shumë vite që merret me biznes privat, i cili i kishte ecur shumë mirë e po ashtu edhe Bujana, përveç punës në bankë, mbante llogaritë dhe bilancet e disa kompanive private.

Ndërsa, për sa i përket personit që udhëtonte me të në momentin e aksidentit, ai ka deklaruar se nuk e njeh. Madje ka shkuar enkas në Spitalin e Durrësit për ta takuar, por nuk është lejuar nga Policia, pasi në atë kohë ai ishte i arrestuar dhe nuk ishte njohur ende me masën e sigurisë.

“Më ka telefonuar një infermiere dhe kam shkuar menjëherë në Urgjencën e Durrësit, ku kërkova të më- soj më shumë për atë që i kishte ndodhur Bujanës. Nuk më tha njeri as kush e kishte dërguar aty, as orën e saktë të mbërritjes. Më dhanë një procesverbal me shkrim dore, ku thuhej që një vajzë e paidentifikuar kishte mbërritur e pajetë në Urgjencë dhe u dërgua në morg. Në procesverbal ishin shënuar dhe sendet personale, një fustan i bardhë e një palë sandale rozë që nuk ishin të sajat, pasi jo vetëm nuk i kisha parë ndonjëherë, por ishin të mëdha për të”, është shprehur Vullnet Troka.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura