Aksidenti misterioz/ Biznesmeni Taçi: Bujana nuk më tha se kishte para në çantë

Aug 4, 2015 | 22:54
SHPËRNDAJE

Biznesmeni nga Vlora, Kosta Taçi, i cili ishte arrestuar si një prej shkaktarëve të aksidentit me pasojë vdekjen e 32-vjeçares dhe plagosjen e 3 fëmijëve të mitur, është shprehur se nuk ka dijeni për shumën e parave që pretendohet të jetë zhdukur.

PAMJE NGA AKSIDENTI (DJATHTAS) VIKTIMA BUJANA BUSHI
PAMJE NGA AKSIDENTI (DJATHTAS) VIKTIMA BUJANA BUSHI
Në deklarimet që ai ka dhënë për oficerët e Policisë, pasi u la i lirë nga Gjykata e Kavajës, është shprehur se nuk e ka ditur nëse Bujana kishte para në çantë apo sa kishte, pasi, sipas tij, nuk e kishte pyetur dhe as s’i kishte treguar gjë. Biznesmeni ka deklaruar gjatë seancës së masës së sigurisë se viktima, Bujana Bushi, ishte punonjëse (ekonomiste) në biznesin e tij dhe ka qenë duke udhëtuar me të drejt Vlorës për çështje pune.

“Ajo ka pasur një çantë me vete, ashtu siç e ka çdo grua një të tillë kur udhëton, por unë nuk e di se çfarë kishte brenda saj. Mund të ketë pasur para, mund edhe të mos ketë pasur. Mua ajo nuk më ka thënë asgjë dhe as unë nuk e kam pyetur”, ka deklaruar 51-vjeçari Taçi.

Ai u lirua me vendim të Gjykatës së Kavajës, që pranoi kërkesën e Prokurorisë për të vendosur masën “detyrim paraqitje” për të, pasi nuk u vlerësua si shkaktar i drejtpërdrejtë i aksidentit me pasojë vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e 3 fëmijëve të mitur.

Por, nga ana tjetër, edhe drejtuesi i motoçikletës, Fatmir Bekshiun, i cili u dyshua si shkaktari kryesor i ngjarjes, pasi i kishte prerë rrugën makinës së Taçit, u lirua nga Gjykata, që vendosi “arrest shtëpie”, edhe pse prokurori kishte kërkuar “arrest në burg”.

Aksidenti ndodhi më 30 korrik, rreth orës 12:10, në aksin rrugor Kavajë- Rrogozhinë. Në të u përfshinë dy automjete dhe një motoçikletë ku humbi jetën Bujana Bushi, e cila me vete, sipas familjarëve, kishte edhe 100 mijë euro që do t’i përdorte për të blerë një apartament e një makinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura