Aksidenti me dy viktima në Burrel, i mituri justifikohet në Polici: Manovrova, por…

Mar 23, 2018 | 22:32
SHPËRNDAJE

BURREL/ ALBI LALA/ Vetëdorëzohet 15- vjeçari që shkaktoi aksidentin e rëndë, babai u kërkon ndjesë familjeve të dy viktimave.

Vetëm pak orë pas aksidentit të rëndë që shkaktoi dy viktima në Komsi të Matit, autori i ngjarjes, 15-vjeçari Xh. Neli është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Burrel, i shoqëruar nga babai i tij.

aksidenti-ne-burrel

I tronditur nga aksidenti, adoleshenti fillimisht është shprehur se nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur. Por më pas ka deklaruar se aksidenti me pasoja kishte ardhur pasi ishte përpjekur të evitonte përplasjen me një motoçikletë, ndërsa po drejtonte makinën e babait të tij tip “Opel”, që e kishte marrë pa lejen e të atit.

“Në shtëpi gjeta çelësat e makinës së babit dhe pa dijeninë e tij dola në mbrëmje drejt Komsisë. Nuk ishte hera e parë që udhëtoja nga Burreli drejt Uzinës së Ferrokromit. Herë tjetër nuk kam pasur probleme. Mbrëmë po ecja normalisht. Dalloj përballë një motoçikletë dhe manovrova që të shmang përplasjen. Kur motori goditi makinën, e kam humbur totalisht. Nuk mbaj mend çfarë ndodhi”, mësohet të jetë shprehur nxënësi i klasës së nëntë Xh. Neli.

Pas aksidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes nga frika se dikush mund të hakmerrej ndaj tij. Por, vetëm dy orë pas vdekjes së 29-vjeçarit Gentian Hani dhe 35-vjeçarit Alfred Balla, adoleshenti është kontaktuar nga babai i tij dhe të dy së bashku kanë mbërritur në mjediset e Komisariatit të Policisë Mat.

Zyrtarë të Policisë thanë se, 15-vjeçari është arrestuar dhe pritet që nesër të caktohet masa e sigurisë, ndërkohë babai i autorit të ngjarjes, G. Neli, iu ka kërkuar ndjesë familjarëve të dy viktimave të aksidentit, të shkaktuar nga djali i tij. Policia nuk ka marrë ende dëshminë e 17-vjeçarit A.H., që ishte në drejtimin e motoçikletës, pasi ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë.

Pritet që dëshmia e tij të japë një panoramë më të plotë të asaj që ka ndodhur. Ndërkohë, në ceremoninë e organizuar për përcjelljen për në banesën e fundit të dy viktimave të aksidentit, kanë marrë pjesë qindra banorëve të fshatrave të njësisë administrative Komsi dhe të Burrelit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura