Aksidenti i rëndë në Elbasan me 4 të plagosur, zbulohet shkaku i përplasjes

Nov 6, 2018 | 8:54
SHPËRNDAJE

MIRANDA SADIKU/ Aksidenti i rëndë me katër të plagosur në Elbasan dhe një grua në gjendje kritike për jetën dyshohet se erdhi per shkak te nje parakalimi te gabuar.

Përplasja e dy automjeteve ndodhi mbrëmjen e së hënës në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në pjesën jugore të unazës së qytetit të Elbasanit.

111

Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Volksvagen Golf” dhe një tjetër tip “Volksvagen Passat”. Për pasojë, nga përplasja e fortë mbetën të plagosur dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerët.

Mësohet se gjendja paraqitet kritike për një prej të plagosurve. 49-vjeçarja Kadife Hoxha, e cila ndodhej pasagjere në makinën tip “Golf” që po udhëtonte në drejtim të Librazhdit, ndodhet në gjendje të rëndë. Ajo u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, mësohet se gjendja nuk paraqitet kritike për tre personat e tjerë, që mbetën të plagosur nga aksidenti. “Në unazën Elbasan, në lagjen ‘Emin Matraxhiu’, mjeti tip ‘Golf’ me targa AA 280BU, me drejtues shtetasin Shkëlqim Hoxha, 51 vjeç, banues në fshatin Mirakë, Librazhd, është përplasur me mjetin tip ‘Volksvagen’, me targa AA 824 HP, me drejtues shtetasin Shkëlqim Dyrmishi, 25 vjeç, banues në lagjen ‘5 Maji’ Elbasan.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe 2 pasagjerë, që ndodheshin në këto mjete, të cilët janë transportuar në Spitalin e Elbasanit, ku shtetasja Kadife Hoxha, 49 vjeç, banuese në Librazhd, pasagjere në mjetin me targa AA280BU, ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit me katër persona të plagosur, dyshohet se gjithçka ka ardhur pas një manovre të gabuar. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i makinës “Golf” ka kryer parakalim të gabuar dhe për pasojë nga dalja në korsinë me lëvizje në drejtimin e kundërt, është përplasur me makinën “Passat” që po vinte përballë tij.

Gjithsesi do të jenë hetimet e ekspertëve që do të përcaktojnë shkakun përfundimtar të aksidentit, që do të çojë më pas në marrjen e masave nga ana e Policisë së Elbasanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura