Bashkëshorti i 32-vjeçares: Me Bujanën i tërhoqëm paratë 3 ditë para aksidentit

Aug 3, 2015 | 8:48
SHPËRNDAJE

“Bujana ka pasur mbi 100 mijë euro në çantë; ishin paratë e kursyera nga gjaku e sakrifica jonë, e gjithë jeta jonë; ishin ato kursime me të cilat do të blinim një shtëpi së bashku. Paratë diku ka kanë shkuar, dhe për këtë duhet të hetohet dhe të zbulohet e vërteta”. Keshtu thote gjate një interviste për “GSH”, Vullnet Troka, 45-vjeç, bashkëshorti i 32-­vjeçares Bujana Bushi, mbetur viktimë e një aksidenti rrugor në Lekaj të Kavajës mesditën e 30 qershorit.

Bujana, viktima e aksidentit me bashkeshortin, Vullnet Troka
Bujana, viktima e aksidentit me bashkeshortin, Vullnet Troka
Troka sqaron marrëdhëniet me ulje­ngritje të çiftit, si e mori vesh lajmin, dhe pse, sipas tij, diçka e mistershme fshihet në gjithë këtë histori.

Vullnet, si e morët lajmin e aksidentit të Bujanës?
Më ka marrë me një numër të panjohur një infermiere e spitalit të Durrësit, e më tha që, “bashkëshortja juaj është aksidentuar”. Më tha, “po u vonove, e gjen s’e gjen këtu. Por do ta gjesh në morg”. Unë menjëherë mora kunatin në telefon, Fisnikun; edhe ai ishte lajmëruar nga nëna e tij. Unë isha në Çorovodë me punë, isha larg. U nisa nga Çorovoda dhe ndalova në autostradë, ku kishte ndodhur aksidenti, dhe vendosa lule e një pllakatë të vogël. Kur erdha në morgun e Durrësit, trupin e kishte tërhequr kunati, Fisniku, e më tha që po e dërgonte në Vlorë, për varrim.

Po më pas, çfarë bëtë?
Shkova në Tiranë, u bëra gati, mora prindërit në Fier dhe shkuam në Vlorë për ceremoninë e varrimit. Pas varrimit jam kthyer sërish në Durrës, në spital, për të takuar personin me të cilin Bujana ka qenë në makinën që u aksidentua.

E njihnit biznesmenin Kosta Taci?
Jo, nuk e kam njohur. Por unë shkova në spitalin e Durrësit, në repartin e shtrimeve, dhe atje pashë që ai ruhej nga një punonjës policie, sepse ishte nën masë arresti. I thashë punonjësit të policisë që doja ta takoja, por nuk më lejoi. I lashë numrin e telefonit tim, që ai ose familjarët e tij të më kontaktonin, të më flisnin, por nuk e kanë marrë mundimin.

Pse doni ta takoni e të flisni?
Bujana kishte çantën e parave me vete. Kishte mbi 100 mijë euro. Çfarë ndodhi me paratë? Ku janë? Paratë janë të gjitha kursimet tona në vite. Unë kam pasur e kam aktivitet privat, po ashtu edhe Bujana kishte më shumë se 40 biznese që bënte çdo muaj bilancet e tyre.

A morët përgjigje?
Jo, nuk më kanë kontaktuar, dhe kjo ka mbetur enigmë deri tani. Pashë në TV “News 24” që çantën e paska marrë vëllai i shoferit, por këtu ka shumë pikëpyetje edhe në lidhje me aksidentin. E para është që Bujana ka mbërritur një orë më shpejt në spitalin e Durrësit sesa shoferi.

Çfarë bëtë më pas?
Në Urgjencën e Durrësit, kërkova të mësoj më shumë për Bujanën, si erdhi, kush e solli, kur mbërriti. Atje më dhanë një procesverbal me shkrim dore, ku thuhej që një vajzë e paidentifikuar kishte mbërritur e pajetë në Urgjencë dhe u dërgua në morg. Si sende personale në këtë procesverbal, kishte një fustan të bardhë dhe një palë sandale rozë. Sandalet nuk ishin të sajat, se Bujana e ka numrin e këmbës 35, ndërsa sandalet ishin numër shumë i madh. Nuk i mora as fustanin dhe as sandalet, që nuk ishin të sajat.

Çfarë vutë re tjetër në spital?
Në regjistrat e Urgjencës së spitalit të Durrësit, pashë një diferencë prej një ore të mbërritjes së gruas sime në spital dhe të shoferit që bëri aksidentin. 

Çfarë u bë brenda kësaj ore, si është e mundur që shoferi erdhi me vonesë në spital?
Unë doja të më sqaronin, por deri tani nuk e kanë bërë.

Po sendet personale?
Unë e di që gruaja ime mbante me vete gjithmonë në çantë portofolin, 2 karta bankare, patentën, dhe kartën e identitetit dhe dy celularë. Unë u kam rënë celularëve të saj ditën e aksidentit, dhe njëri prej numrave është mbajtur i hapur për orë të tëra, por nuk përgjigjej njeri.

Vullnet, nëse më lejon, familja e Bujanës tregoi një ditë më parë se marrëdhënia juaj në çift ka qenë e tendosur. Madje jeni të divorcuar.
Ne kemi pasur ulje­-ngritjet tona dhe për një farë kohe kemi jetuar në shtëpi më vete. Bujana me djalin te vëllai në Tiranë, ndërsa unë në shtëpi me qira, po në Tiranë. Por takoheshim çdo ditë, dilnim të tre me djalin, dhe kishim vendosur të bashkoheshim. Për këtë vendosëm të blinim një shtëpi dhe të jetonim së bashku. Tri ditë para se të ndodhte aksidenti, unë me Bujanën tërhoqa paratë e kursimeve të mia e ia dhashë asaj, te një prej bankave të nivelit të dytë në Unazën e Re në Tiranë, pranë shtëpisë ku jetoj unë. Kam edhe faturat për këtë, madje janë dhe filmimet e bankës. Bujana kishte me vete paratë e shtëpisë sonë.

Vullnet, ku punoni ju?
Unë për më shumë se 10 vjet kam pasur një aktivitet në sektorin e gipsit; kam punuar në këtë sektor dhe kam rikonstruktuar, që prej Ministrisë së Mbrojtjes, gjykatave të Tiranës e shumë institucione publike e private. Kam pasur punëtorët e mi dhe bënim tavane të varura. Tani kam një aktivitet, ku punoj me një lokal te Fusha e Aviacionit, pasi ra puna me gipsin. Edhe unë me aktivitet privat, edhe Bujana po ashtu.

Po djalin, kush po e mban?
Tani është te gjyshërit në Vlorë. Ka qëndruar me Bujanën, por çdo ditë jemi takuar. Tani më mbeti jetim, pa nënë.

Çfarë ju shqetëson nga e gjitha kjo histori?
Më shqetëson fakti që, ku janë sendet e saj personale? Nga e mësoi infermierja e spitalit të Durrësit numrin e celularit tim, të kunatit apo nënës së Bujanës, dhe pse nuk gjendet asnjë prej celularëve të saj? Pse policia apo kush tjetër duhet t’i dorëzojë vëllait të shoferit çantën e Bujanës? Ku janë paratë? Kush i hoqi lulet dhe pllakatën nga vendi ku ndodhi aksidenti, vetëm pak orë pasi i kisha vënë unë aty? Kush fshihet pas kësaj ngjarjeje? Ku janë paratë? Pse policia nuk e dha për mediat atë ditë aksidentin? Aty mbeti e vrarë ime shoqe, nënë e një fëmije. Pse heshti policia? E për të gjitha këto pikëpyetje unë dua drejtësi! Dua drejtësi në emër të djalit tonë Luisit, i cili ka mbetur pa nënë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura