Aksidenti ajror/ “Mos e hapni”, por kutinë e zezë e hapën dhe dëmtuan

Apr 12, 2016 | 15:11
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Shkodrës vijon që të jetë hermetike rreth hetimeve që po bëhen për rrëzimin e helikopterit EC 145 në ujërat e liqenit të Shkodrës më 6 prill. Pas 6 ditësh nga aksidenti ku humbën jetën dy pilotët Donald Hoxha dhe Florian Delia, trupi metalik i helikopterit ndodhet në repartin e FNSH të Shkodrës.

Kutia e zeze e helikopterit te rrezuar te ushtrise ne Liqenin e Shkodres
Kutia e zeze e helikopterit te rrezuar te ushtrise ne Liqenin e Shkodres

Bazamenti nuk do të lëvizet derisa të japë urdhër grupi hetimor që po merret me këtë çështje. Një tjetër detaj që mësohet është kamera regjistruese që ndodhej brenda helikopterit, e cila ndodhet në duart e ekspertëve të huaj.

Mendohet se kamera e pilotit që ndodhej brenda helikopterit të ketë regjistruar të gjithë fluturimin bashkë me video dhe audio. Ekspertiza mund të kryhet nga të huajt edhe pse fillimisht kamerën e regjistrimin e kishte grupi i prokurorëve që po heton ngjarjen. Prokuroria e Shkodrës po sheh mundësinë që kutia e zezë të deshifrohet nga ekspertët gjermanë të kompanisë “Eurocopter”.

Po ashtu mundet që kutia e zezë të dërgohet në Gjermani për ekzaminime të mëtejshme, nga ku mund të zbardhet e gjithë ngjarja e aksidentit tragjik të helikopterit të Forcave të Armatosura duke qenë se ende ka shumë paqartësi në këtë ngjarje që po tentohet të mbahet e fshehtë dhe larg syrit të publikut dhe medias.

Kutia e zezë nëse nuk është dëmtuar ka të ruajtur gjithçka ka ndodhur, por edhe arsyen kryesore të rrëzimit të helikopterit në ujërat e liqenit të Shkodrës. Në fotot e publikuara në kutinë e zezë ka një mbishkrim “mos e hapni”.

Edhe pse shkruhej qartësisht, dikush e ka hapur atë duke e lënë në disa pjesë të ndryshme, çka edhe mund ta ketë dëmtuar edhe më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura