Aksidentet e autobusëve? Veliaj: Nga 7 rastet e fundit, në 5 shkak janë bërë makinat, në dy raste drejtuesit kishin probleme shëndetësore”

Mar 29, 2023 | 16:02
SHPËRNDAJE

Gjatë prezantimit të projektit për Linjën e Shpejtë të Autobusëve, ose ndryshe Bus Rapid Transit (BRT), kryebashkiaku, Erion Veliaj ka folur edhe për rastet e fundit të përfshirjes në aksident të autobusëve.

erionveliaj

Duke analizuar shkaqet, por dhe faktin e shtimit të numrit të tyre në Tiranë, pothuajse 4-fish krahasuar me më parë, Veliaj tha se në shumicën e tyre aksidentin e ka shkaktuar një makinë dhe jo autobusi.

“Nga 100 autobusë që kishim 8 vjet më parë, sot në Tiranë qarkullojnë 420 autobusë. Vetëm 4-fishimi i flotës së tyre do të thotë se ka më shumë mjete në rrugë. Kur dikush pyet se çfarë po ndodh me aksidentet me autobusë duhet të kuptojë se siç janë shtuar Mercedesët, janë shtuar edhe autobusët. Kur kishim 100 mjete dhe autobusi vinte një herë në 37 minuta, probabiliteti që të kishte aksidente ishte më i vogël. Kur autobusët janë shtuar në numër dhe tani vijnë në stacion çdo 7 minuta, frekuenca që të takosh të ngjashmit, pra mjete të tjera motorike, sigurisht është më e madhe. Kam analizuar 7 aksidentet e fundit dhe në 5 raste ka qenë një makinë, e cila i ka hyrë në brinjë autobusit, pra nga padurimi për të dalë nga kthesa godet autobusin”, tha ai.

Nga ana tjetër, sa i përket dy rasteve të tjera, Veliaj tha se të dy shoferët janë ndjerë keq për shkaqe shëndetësore.

“Në dy rastet e tjera, sipas raportimit të policisë, ishte shoferë të cilët pësuar gjendje të fikëti. Po kur është bërë e paligjshme të sëmuresh? Kur është bërë raca jonë kaq e pandjeshme ndaj një njeriu që pati tension? Kush nga ne është kollosi i Rodosit, që nuk ka asnjë sëmundje, që nuk sëmuret kurrë, që nuk teshtin kurrë, që nuk ka alergji, nuk ka tension? Ky qytet, mbi të gjitha, është një qytet me njerëz dhe thotë ‘ndjesë mor njerëz, pata një kolpo tensioni’. Kur arrihet të provohet se nuk kishte konsumuar as alkool, as nuk po ecte me shpejtësi, por ka këtë problematikë, pse shpërfytyrohemi sa herë vjen fushata dhe shpallim kriminel një njeri që ka hipertension? Pra, në 7 raste, 5 ishin shoferët e makinave fajtorë të shpallur nga policia. Nuk ishte shofer kryetari i Bashkisë, as drejtuesi i kompanisë. Rasti i tjetër, ai i linjës së Krrabës, ishte jashtë orarit të punës dhe nuk po transportonte pasagjerë. Ishte shoferi me fatorinon dhe shokët e tyre. As kishte pirë, as po ecte shpejt”, shpjegoi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura