Minatorët e mbijetuar: Si vdiq në galeri babai i tre fëmijëve. Hetim drejtuesve privatë të firmës

Jun 29, 2015 | 16:26
SHPËRNDAJE

Rikthehen ngjarjet tragjike në minierat e kromit të Bulqizës. Një minator 45-vjeçar humbi jetën në thellësitë e një galerie private në krahinën e Martaneshit. Shaban Grrica, babai i tre fëmijëve, hyri mëngjesin e djeshëm në një galeri në zonën mineralmbajtëse të Theknës, por nuk arriti të dilte më i gjallë prej andej. 

Foto Ilustruese

Sipas Policisë, 45- vjeçari Grrica, bashkë me gjashtë minatorë të tjerë, kanë hyrë në galerinë që administrohej nga një subjekt privat për të nxjerrë mineral kromi nga nëntoka, kur më pas një masiv dheu e ka zënë atë.

“Ishim gjashtë minatorë. U futëm në galeri për të mbushur vagonët me krom. Pranë grykës së furnelës ishte Shabani. Ne ndodheshim pak më larg. Në momentin që ai kishte hapur grykën e furnelës, një sasi e madhe kromi, e pakontrolluar prej tij, ra poshtë dhe e zuri”, i thanë grupit hetimor minatorët e mbijetuar. Nga hetimet rezulton se të paktën 5-6 tonë mineral kromi dhe gurë ranë mbi trupin e 45-vjeçarit.

Megjithëse ndërhyrja e kolegëve ka qenë e menjëhershme, minatori Grrica ka humbur jetën, pasi masivi që e zuri atë poshtë ishte shumë i madh. Kolegët e tjerë të subjektit privat e kanë dërguar trupin e minatorit në morgun e spitalit të Bulqizës për kryerjen e ekspertizës ligjore.

Nga të dhënat e para mendohet se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia e vetë viktimës Shaban Grrica, i cili në momentin e shkarkimit të inerteve nga furnela nuk ka treguar vëmendjen e duhur për të mbajtur nën kontroll mineralin dhe gurët. Minatori Grrica kishte lindur në fshatin Peshk të Martaneshit dhe banonte në Bashkinë e Kamzës.

Për shkak se nuk kishte asnjë mundësi punësimi në Tiranë, ai detyrohej të punonte në minierë, larg familjes, dhe paratë që merrte nga puna e kryer ua dërgonte atyre për t’u ushqyer. Mësohet se policia lokale ka shoqëruar drejtues dhe specialistë të firmës private të kromit dhe po heton imtësisht shkaqet e ngjarjes së rëndë.
HASAN PASHA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura