Akreditimi/ UT u rendit më i dobëti, ja strategjia për rekomandimet e britanikëve

Feb 24, 2018 | 11:02
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA / Universiteti i Tiranës duket i vendosur në përmbushjen në kohë të mangësive, që ekspertët britanikë ia lanë “detyrë shtëpie” brenda vitit.

Disa muaj pas shpalljes së raportit zyrtar, që e rankon UT-në në fund të listës së të gjitha universiteteve të vendit, rektori ka mbledhur senatin akademik për të miratuar vetëm një pikë në rend dite: ngritjen e grupeve të punës për plotësimin e mangësive të evidentuara nga britanikët.

universiteti filozof

VENDIMI

Senati akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar ngritjen e katër grupeve ekspertësh me nga një përfaqësues nga gjashtë fakultetet e UT-së. Me kërkesë të studentëve në senat, çdo grupi i është shtuar edhe një student anëtar, në mënyrë që të përfaqësohet dhe vizioni tyre.

Këta të fundit do të hartojnë draft-strategjitë për katër objektiva madhorë të Universitetit. I pari është kërkimi shkencor. Ndonëse vlerësohet si institucioni, në të cilin bëhen më shumë kërkime, Universiteti i Tiranës deri më sot ka funksionuar pa një strategji të qartë. Një përfaqësi pedagogësh do të punojnë gjithashtu për hartimin e manualit të sigurimit të brendshëm të cilësisë, hapi i parë ky i akreditimit.

Së treti, do të bëhet studimi i tregut të punës në nivel institucional dhe në fund, por me rëndësi, është hartimi i një plani strategjik për zhvillimin e përgjithshëm të Universitetit. Duke qenë se koha nuk pret, pasi afati i akreditimit është vetëm një vit, katër grupet e ngritura për secilën nga objektivat e lartpërmendura do të punojnë me një dateline të caktuar. Kështu, ata do të duhet të hartojnë dhe t’i paraqesin senatit për miratim raportin përkatës deri në datë 15 prill.

Sakaq, brenda 20 ditëve ata duhet të zhvillojnë takime me asambletë e personelit akademik në çdo fakultet për të kryer konsultime me gjithë stafin akademik.

Qëllimi final është që deri në fund të vitit, UT të ketë përmbushur një pjesë të mirë të mangësive të evidentuara nga kompania angleze për akreditimin. Në fillimin e muajit shkurt u publikua raporti zyrtar i vlerësimit të performancës së të gjitha universiteteve. Sipas tij, universiteti më i kërkuar nga maturantët për të ndjekur studimet e larta rezultoi më i dobëti nga 35 IAL publike e private në vend, duke u akredituar me vetëm një vit. Testi i radhës për universitetet publike do të jetë akreditimi i të gjitha programeve mësimore, proces, i cili do të zhvillohet përgjatë këtij viti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura