Akreditimi, nis kontrolli i cilësisë së universiteteve

Feb 1, 2016 | 15:41
SHPËRNDAJE

Nisur si proces më shumë se një vit më parë, ekspertët vendës e të huaj që do të kryejnë akreditimin e të gjitha universiteteve, vetëm këtë javë do të zbresin në terren. Lajmin e bëri me dije ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një aktiviteti me maturantët e kryeqytetit.

“Në fillim të muajit shkurt fillon procesi i shumë lançuar dhe shumëpritur i vlerësimit të cilësisë së gjithë institucioneve të arsimit të lartë në vend.” Procesi i akreditimit është i ndërlikuar dhe zgjat në kohë. Por, një gjë është e sigurt, universitetet që nuk kalojnë në këtë sitë, sipas ligjit të ri, nuk mund të lëshojnë diploma.

universiteti i arteve_0

Sipas raportit të Agjencisë Publike të Akreditimit, në vendin tonë numërohen të paktën dhjetë universitete shtetërore që nuk kanë kryer asnjë proces vlerësimi, ndërsa në proces mësohet të jenë vetëm disa prej tyre: Universiteti Politeknik, Akademia e Forcave të Armatosura, “Liugj Gurakuqi” Shkodër dhe “Eqerem Cabej” Gjirokastër.

PROCESI Akreditimi i universiteteve që nis në këtë fillimmuaji vlerë- son universitetet se sa i përmbushin standardet e cilësisë, por nga ana tjetër, në sajë të renditjes finale orienton maturantët drejt zgjedhjes së duhur. “Reforma në arsim ka një moment të dytë që është verifikimi i cilësisë.

Nëpërmjet saj, ju do të keni të qartë se cilët janë universitetet që rankohen më mirë si për privatin dhe publikun”, vë në dukje ministrja. Në bisedën me maturantët e kryeqytetit, Nikolla përmendi benefitet që sjell ky proces, duke e paralelizuar me situatën e pak viteve më parë ku operonin në treg dhjetëra universitete private që thjesht ‘shisnin’ diploma. “Vite më parë, mund të kishit pasur shansin e keq të konkurroheshit nga studentë të 18 universiteteve private apo filialeve të universiteteve publike që u mbyllën, të cilat ofronin thjesht diploma por asnjë dije. Madje, mund të merrje diplomën edhe pa shkuar fare në universitet, gjë që do të thotë se nesër t’ju barazonte ju me atë diplomë në tregun e punës”.

REFORMA Reforma në arsimin e lartë sjell edhe orientimin e universiteteve drejt tregut të punës. Kështu, një ndër kriteret që do të ndikojë në performancën e shkollave të larta e më pas financimin e tyre është numri i studentëve të punësuar.

“Nuk do të shkojnë më diplomat në drejtimin e paditur, ose më saktë për të vijuar punën si kamerier edhe përse ke mbaruar arsimin e lartë, por çdo student do të ketë me vete përmes Qendrës së Shërbimeve Arsimore gjurmueshmërinë, ecurinë e rezultateve nga shkolla e mesme në të lartën, dhe çfarë ka ndodhur me punësimin e tij, në mënyrë që ne të vendosim rend në atë që arsimi i lartë duhet të furnizojë shoqërinë tregun e punës me profesionistë të zotë”, nënvizon ministrja Nikolla.

Në strategjinë e Ministrisë, universitetet, qoftë ato publike apo private, do t’u afrohen nevojave që ka tregu.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura