Akcizat, deputetët kundër: Penalizohen prodhuesit

Nov 21, 2015 | 8:45
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, dje në prezantimin e Paketës Fiskale në Komisionin e Ekonomisë shpjegoi ndryshimet për akcizën e birrës. Me Paketën e re Fiskale rritet akciza e birrës për prodhimin vendës, ndërkohë shënohet ulje për akcizën e birrës së importit. Kreu i Financave shpjegoi se ndryshimet e nivelit të akcizës synojnë të frenojnë evazionin. Deputetët e opozitës kundërshtuan rritjen e taksës për prodhimin vendës dhe ulje të asaj të importit, pasi kjo penalizon prodhuesit vendës.

Dje ne Komisionin e Ekonomise
Dje ne Komisionin e Ekonomise

Ministri i Financave tha se rritja e taksës është për birrën nën 200 mijë hektolitra, taksa për shishe do të shtohet 5 lekë, kurse për birrën e importit taksa ulet 10 lekë për shishe.

“Me ligjin aktual, akciza që zbatohet për prodhuesit dhe importuesit nën 200 mijë hektolitra është sa gjysma e atyre që zbatohet për mbi 200 mijë hektolitra. Ne kemi ndërhyrë dhe kemi bërë një përafrim dhe e kemi lënë përsëri diferencën mes birrës së importuar dhe të prodhuar, pra nën 200 mijë hektolitra, e kemi çuar 400 lekë, kurse për mbi 200 mijë hektolitra e kemi bërë 600 lekë. Pra përsëri diferencën e kemi lënë 50 për qind. Arsyet kryesore që na çuan në këtë rregullim është se pragu 200 mijë hektolitra, sipas të gjitha deklarimeve, është i trukuar. Duke ulur diferencën mes dy ndarjeve, do të ulet edhe tendenca masive për të trukuar sasinë e importuar apo të prodhuar”.

Nga ana tjetër, ministri i Financave tha se ka vërtetime se në mjaft raste, importues të birrës të markave të mëdha kanë falsifikuar dokumentet e sasisë së birrës së importuar. Ministri shpjegoi se importuesit falsifikojnë vërtetimin e sasisë së birrës që sillet nga fabrika e origjinës. Shpjegimet e kreut të Financave krijuan debat mes deputetëve, ku ata të opozitës kërkuan që falsifikatorët të ndëshkohen nga Dogana.

Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se me ndryshimet që u bëhen niveleve të akcizës, penalizohet prodhuesi vendës. Opozita akuzoi se prodhuesi vendës po penalizohet për shkak të interesave të Kryeministrit me importuesit.

“Akciza e birrës për prodhuesit vendës rritet, kurse akciza e importuesve ulet. Me këto ndryshime prodhuesit vendës penalizohen dhe këta po penalizohen për një qokë që Kryeministri i bën një importuesi të madh”. Pas debateve, Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim të gjitha projektligjet për ndryshimin e taksave që hyjnë në fuqi në 2016-n. Me ndryshimet që u bëhen akcizave për vitin 2016, prodhuesit vendës do të paguajnë 400 lekë për 200 mijë hektolitra, nga 340 lekë që ata paguanin. Importuesit e birrës do të paguajnë 600 lekë për 200 mijë hektolitra, nga 710 lekë që ata paguanin.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura