Akademiku flet hapur: Pse do jem nesër në protestë, kundër Ramës, por edhe kundër…

Jan 26, 2018 | 13:05
SHPËRNDAJE

Akademiku i njohur Apollon Baçe deklaron se do marrë pjesë në protestën e të shtunës duke qenë prezent në bulevard. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Baçe tha se në këtë situatë që është vendi çdokush duhet të shkojë në protestë dhe sipas tij edhe vetë ai do jetë atje.

bace

“Jemi në kufijtë që e kemi humbur edukatën e  protestës  dhe kjo është e papranueshme. Personalisht kam vendosur që do të jem në orën 12.00, në bulevard si pjesëmarrës në protestë dhe besoj se çdokush që e ndjen dhe kupton nga kjo situatë që ndodhet vendi duhet të bëjë kështu”, tha akademiku Baçe.

Por Baçe shkoi më tej teksa artikuloi arsyet e pjesëmarrjes në këtë protestë. “Unë do shkoj atje për të protestuar ndaj kryeministrit Rama, por edhe ndaj kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Protestën duhet ta bëjë populli dhe jo partia dhe unë do marr pjesë në protestë ndaj politikës” sqaroi Baçe.

Një nga argumentet që akademiku dha ishte ikja masive e qytetarëve . “Dakord, qytetarët janë të pakënaqur ndaj Ramës dhe qeverisë së tij, por qyetarët janë të pakënaqur edhe ndaj kryetarit të opozitës Basha dhe për këtë arsye largohen nga vendi. Nëse Basha do të ishte shpresë për ata qytetarët nuk do iknin nga vendi. Ata ikin se nuk kanë asnjë shpresë” tha ai. Pikërisht kjo sipas Baçes do të përbënte çelësin e suksesit të kësaj proteste. “Nëse do jetë një protestë qytetare do të quhet e suksesshme, nëse jo ajo do jetë e pasuksesshme” tha akademiku Baçe.

Ndërkohë gjatë emisionit zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa dha një informacion vërtetë interesant.

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar, Zhupa deklaroi se sot do të bëhet e ditur se kryeministri Rama ka urdhëruar që administrata ditën e shtunë nuk do ta ketë ditë pushimi, por do jetë në punë në një orar 08.00 deri në 16.30 si një ditë të zakonshme.

Zhupa e lidhi këtë me frikën që Rama ka se mos administrata merr pjesë në protestë. Gjithsesi, zyrtarisht nuk ka një njoftim lidhur me këtë informacion që dha zëdhënësja e Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura