Akademiku dhe Bashkia: Sindromat e një demokracie në agoni

SHPËRNDAJE

Akil Kraja

AKIL KRAJA*

Prej disa ditësh, Prof. Artan Fuga ka hapur një debat publik mbi mënyrën e menaxhimit të hapësirës publike dhe çështjen e parkingjeve me pagesë në pronësi të Bashkisë Tiranë. Problematika fillestare mund të dukej në ditët e para, si diçka tejet e lokalizuar, që prekte disa vende parkimi në një pallat diku në Tiranë. Prof. Fuga, ngrinte pyetjen nëse ka pasur konsultime dhe cilat janë protokollet standarde për këto vendparkime në nivel të lagjeve të kryeqytetit. Më pas, ai ngriti dhe çështjen thelbësore të pagesave për parkimin publik në zotërim të Bashkisë Tiranë.

Këtu çështja kalon nga mikro-realiteti provokues i Prof.Fugës, në një makro-realitet, që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Ai përdori një ngjarje të së përditshmes, një shkëndije bazë, për të kaluar në nivelin e politikave qeverisëse dhe vizionit të drejtimit të Kryeqytetit. Problematika e parkimit në Tiranë është jashtëzakonisht e mprehtë, jo vetëm për kostot financiare, por dhe për impaktin social, mjedisor dhe personal që ka mbi jetët e banorëve të Tiranës. Dhe si e tillë, Bashkia Tiranë nuk kishte se si të mos reagonte. Dhe si reagoi?

Duke kërkuar të denigronte publikisht Prof.Fugën me një letër, që disa banorë i kishin adresuar Bashkisë, ku kërkonin që të “bllokoheshin” vendparkimet e pallatit, të cilit i referohej fillimisht Profesori. Por, impakti i letrës ishte që në të, disa banorë ishin me mbiemrin Fuga. Me pak fjalë, Bashkia la të hamendësoj – në rastin më të mirë – që ky debat publik, në fakt ishte një debat familjar. Në rastin më të keq, lihej të hamendësohej që Profesori po e përdorte këtë debat publik në shërbim të interesave të tij “lokalisht” personale…

Makro-problemit të ngritur nga Profesori mbi parkimet e Tiranës, Bashkia zgjodhi t’i jepte një mikro-përgjigje të ulët, banale dhe të turpshme. Së pari, mbi rastin e Profesorit. Ai, në një reagim të tij publik në rrjetet sociale, mohoi kategorikisht çdo lidhje personale me banorët e “përdorur” si justifikim nga Bashkia Tiranë për t’i bërë bisht këtij debati. Dhe sikur të kishte një lidhje, fakti qëndron që kur problematikat e ngritura nga një figurë publike, një gazetar, një sociolog apo dhe një akademik, janë si rezultat i një ngacmimi të përjetuar në të përditshmen, këto problematika në fakt bëhen më të vërteta, më reale, më të prekshme dhe më përfaqësuese të realitetit që hasin të gjithë qytetarët e Tiranës.

Të qenurit figurë publike, nuk të bën imun nga stresi i së përditshmes në Tiranë. Së dyti, mbi formën e reagimit nga Bashkia Tiranë. Letra e banorëve mbi rastin fillestar, përdorur si shkëndijë nga Profesori, i ishte drejtuar Bashkisë Tiranë. Kjo është e detyruar me ligj që të respektojë kuadrin e të drejtave personale, duke mos abuzuar me informacionet, emrat, firmat dhe problematikat që qytetarët i adresojnë Bashkisë.

Duke e bërë “leak” ose duke e përdorur si “fletërrufe” këtë letër, Bashkia Tiranë shkel rëndë jo vetëm “privacinë” e qytetarëve, por dhe standardet më bazike të llogaridhënies demokratike së një institucioni publik. Akoma më rëndë, teksa “dikush” arrin ta publikojë këtë letër si një formë presoni për t’i thënë Profesorit publikisht: “Mbylle gojën se ta nxora bojën”! A nuk është kjo zgjedhje e Bashkisë Tiranë, një formë e ulët dhe e turpshme për t’iu përgjigjur jo akademikut, por qytetarit që i kërkon “llogari” bashkisë së tij, së cilës i paguan taksat? Së treti, mbi frymën e debatit publik në Bashkinë Tiranë.

Nuk di të them nëse e gjitha është një “eksperiment social i komunikimit publik” i profesorit, nëse ai e ka menduar të gjithë këtë, duke e provokuar Bashkinë të bjerë në një grackë të ngritur nga ai vetë. Faktet në një shikim të parë duken banale, por fshehin një realitet tronditës. Një qytetar ngre publikisht një problematikë të së përditshmes mbi menaxhimin e hapësirës publike në Tiranë dhe përgjigja që merr është një “kërcënim” i hapur, personal, denigrues për t’ia mbyllur gojën e për t’i bërë bisht debatit publik. Premisa e reagimit të Bashkisë është që qytetari që kritikon punët e saj, e ka gjithmonë gabim, ka gjithmonë një cen, ka gjithmonë një prapaskenë.

Mbi këtë premisë, Bashkia do të zgjedhë përherë kundra-denoncimin ndaj denoncimit (si ky rast), kundra-protestën ndaj protestës (si për liqenin), kundra-padinë ndaj padisë (siç jam hedhur në gjyq në cilësinë time të këshilltarit bashkiak, vetëm se kam denoncuar rritjen e çmimit të ujit). Bashkia, pra, zgjedh kundraopozitën ndaj çdo forme opozitarizmi. Kjo frymë debati publik ka plot tre vite që zgjat dhe janë me dhjetëra rastet që më vijnë në mend dhe të përjetuara personalisht si Këshilltar Bashkiak i qytetit Tiranë. Së katërti, mbi realitetin institucional opozitar në Tiranë.

Bashkia Tiranë ka arritur në një formë apo tjetër të krijojë një klimë jashtëzakonisht problematike në marrëdhëniet me mediat. Shumë denoncime apo deklarata opozitare duket sikur bllokohen nga një mur i padukshëm censure. Kujtoj këtu rastin me vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, dhe censurën ndaj gazetarit Artan Rama. Por dhe më së fundmi, kujtoj debatin mbi mbjelljen e pemëve me paratë e fëmijëve dhe sulmin personal e familjar që iu bë sociologut Ergys Mertiri. Si në këtë rast konkret të Prof. Fugës, si në rastin e gazetarit Rama apo sociologut Mertiri, Bashkia reagoi me kundërreagim, ndërkohë që opozita dhe këshilltarët bashkiakë që përfaqësoj, mirë apo keq, tentuan t’i shërbenin vetëm interesit qytetar.

Por pavarësisht kësaj, opozita vendore është sulmuar duke u etiketuar si joekzistente. Më së fundmi, këtij vlerësimi iu bashkua para disa javësh dhe analisti Fatos Lubonja. Por thelbi është tjetërkund. Duke anatemuar çdo qytetar taksapagues që i kërkon llogari Bashkisë së tij; duke anatemuar çdo gazetar mbi investigimet e tij; duke anatemuar çdo figurë publike për shqetësimet që ai ngre; duke anatemuar çdo zë opozitar mbi denoncimet publike a politike qofshin ato; Bashkia Tiranë indirekt apo drejtpërsëdrejti po instalon një diktature lokale, që cenon rëndë parimet thelbësore të demokracisë vendore. Një institucion publik që synon denigrimin publik të akademikëve, censurën e gazetarëve, heshtjen e sociologëve apo trembjen e opozitës politike, zgjedh në fakt të refuzojë çdo “llogaridhënie demokratike” duke dëshmuar qartazi për rrezikun që i kanoset bashkëjetesës demokratike në vend.

Dhe është pikërisht kjo frymë që i mundë- son Bashkisë Tiranë të kalojë në heshtje rritjen e çmimit të ujit apo të tarifës së autobusëve, kthimin e Tiranës në një lavatriçe financiare të derdhur në beton, prishjen pa transparencë të Teatrit Kombëtar, si dhe po, vënien në jetë të një sistemi tarifash parkingu publik, që nuk u shërben qytetarëve, por vetëm pasurimit të Bashkisë.

Në ndërhyrjen time në Këshillin Bashkiak të nëntorit 2015 mbi tarifat e reja të parkingjeve publike në Tiranë, falënderoja si me “shaka” Bashkinë, që nuk kishte shtuar në atë vendim dhe kompetenca për t’i futur qytetarët në burg nëse nuk paguanin parkingun në Tiranë. Kjo, në referencë ndaj fushatës kombëtare të burgosjeve të asokohe pas reformës të energjisë elektrike dhe siç përflitet që do të ndodhë sërish me reformën e ujit. Koha po na jep të drejtë. Ka arsye më se të qenësishme për t’u trembur për fatin e demokracisë në Tiranë dhe në Shqipëri.

*Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakTirana në vitet '60/ Shqiptarët në televizionin belg: Shumë të kënaqur, jetë e mrekullueshme
Artikulli tjetërOpozita kërkoi debat për ndihmën ekonomike, ja çfarë vendosi Kuvendi

S'KA KOMENTE

Comments are closed.