Akademia, Fuga rrëzon draftin “Gjinushi” për reformën: Është i dështuar

Mar 28, 2018 | 10:24
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Akademiku i njohur Artan Fuga ka rrëzuar projektligjin e propozuar nga grupi i punës për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje në Akademinë e Shkencave, me të gjithë anëtarët e saj, ku Skënder Gjinushi prezantoi draftin e përgatitur nga grupi i punës, Fuga e cilësoi atë të dështuar, që nuk sjell asnjë reformim të këtij institucioni.

fuga

“Unë sot druaj se pas zgjedhjeve farse do të kemi dhe një reformim fars. Projektligji për Akademinë është i dështuar, nuk na çon gjëkundi, nuk realizon qëllimin e këtyre muajve të gjatë përpjekjesh për reformimin pas zgjedhjeve farsë”, tha profesor Fuga, duke paraqitur vërejtjet e tij para anëtarëve të Akademisë së Shkencave. Ai akuzoi për mbivendosje komisionesh mes atij të Akademisë dhe të Ministrisë së Arsimit në hartimin e këtij drafti.

“Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe me bashkëpunime të veçuara nga Akademia, u bë një mbivendosje komisionesh. Nga Komisioni Ad Hoc për reformimin e Akademisë, ngritur nga asambleja në nëntor të vitit të kaluar, u kooptuan disa anëtarë dhe u vendosën në komisionin e Ministrisë së Arsimit. Të gjitha komisionet, si ai i Akademisë, ashtu dhe ai i Ministrisë, kanë punuar në mënyrë të mbyllur dhe të izoluar, pa konsultime dhe pa shkëmbime mendimesh”, u shpreh Fuga.

Akademiku i njohur ishte i pari që denoncoi zgjedhjet në Akademinë e Shkencave shtatorin e kaluar, duke i cilësuar farsë dhe kërkoi shkrirje e reformim të saj. Këtë qëndrim ai e përsëriti dhe dy muaj më parë, kur përmes një letre dërguar Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, kërkonte rithemelim dhe jo restaurim të Akademisë së Shkencave.

Profesor Fuga tha se nuk u bë asnjë analizë e gjendjes së Akademisë së Shkencave dhe strategjive të reformimit të saj, për të parë se çfarë duhej bërë ndryshe dhe të artikulohej ndryshe në projektligj.

“Projektligji përmban ende mendësinë dhe insiston me kokëfortësi që Akademia e Shkencave të jetë me një model të dështuar, pra, si një ombrellë institucionesh kërkimore shkencore. Institutet që kanë dalë nga dera, rihyjnë nga dritarja, kur për krijimin e tyre ka ligje tashmë të aprovuar”, tha Fuga.

Në përgjigje të këtyre vërejtjeve, kreu i grupit të punës, Skënder Gjinushi, tha se projektligji është konsultuar nga ana ligjore nga konstitucionalisti Luan Omari, ndërsa ka marrë pëlqimin e ALEA-s, Shoqatës së Akademive Europiane, ku Shqipëria është anëtare e saj.

“Mua më vjen mirë që profesor Fuga ka rënë dakord që duhet të ketë një ligj për Akademinë, sepse në fillim ka qenë për ta shkrirë atë krejtë- sisht. Por kur arrihet në këto konsiderata, që sapo dëgjuam, është mirë që të paraqitet një projektligj alternativ. Mbase fiton ajo alternativë dhe jo kjo që kemi përgatitur ne si grup pune”, u shpreh kreu i grupit të punës, Skënder Gjinushi.

Sipas tij, drafti i paraqitur përmirëson ligjin aktual dhe nuk është nisur nga zeroja. Ai hodhi poshtë pretendimin se ka mbivendosje komisionesh mes Akademisë dhe Ministrisë në hartimin e draftit.

“Asambleja e Akademisë i kërkoi në mënyrë të përsëritur Ministrisë për bashkëpunim për draftin. Ministria nuk iu imponua Akademisë, sepse ishte ajo që ia kërkoi këtë bashkëpunim, prandaj nuk mund të themi se kemi të bëjmë me uzurpim apo mbivendosje”, tha Gjinushi.

Akademikë të tjerë në takim bënë propozime më shumë të karakterit gjuhësor, ndërsa drafti u kalua në parim nga anëtarët e Akademisë, me përjashtim të profesor Fugës, që ishte kundër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura