Akademia e Sigurisë, në sulm për monopolin e shkollimit

Oct 31, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

Pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Këto ditë, qeveria ka nxjer rë një vendim “Për dhënien e statusit të veçantë Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe organizimin dhe funksionimin e saj”, i cili, me siguri, është hartuar nga ana e këtij institucioni me qëllim centralizimin dhe unifikimin në duart e tij të të gjithë gamës së mësimdhënies së lartë për mbarë institucionet administrative dhe private të lidhura me fushën e sigurisë.E themeluar tashmë prej vitesh, ende pa ndarë akoma në asnjë aspekt të funksionimit të saj konceptin e autonomisë universitare në organizmin, emërimin dhe aktivitetin e trupës së saj pedagogjike nga njëra anë dhe centralizimin administrativ, policor të emërimit të tyre nga ana tjetër, nëpërmjet këtij vendimi, Akademia e Sigurisë kthehet me forcë ligjore në institucionin e vetëm të lartë publik që merr përsipër të formojë në nivel të lartë jo vetëm çdo individ që operon në institucione me drejtim sigurinë publike, por edhe në ato private. Pra, një institucion me një barrë paqartësish konceptuale, organizative arrin të krijojë monopol në fushën shkollimit të lartë për probleme të mprehta sociale, siç është siguria publike, që mbi të gjitha kërkon bashkëpunim dhe hapje ndaj botës akademike universitare.

Pyetja që bëhet me këtë rast është e thjeshtë: nëse Akademia e Sigurisë Publike ka gjithë potencialin më të mirë, më cilësor, më të përgatitur për të garantuar formimin e gjithë individëve të mbarë institucioneve publike dhe private me subjekt sigurinë publike, përse duhej krijuar kjo garanci nëpërmjet një vendimi qeverie?

Përveç problemeve madhore në parim, hartimi i një akti normativ që ndërton një monopol, paraqet edhe frikë nga ana e personelit drejtues të institucionit për t’u konkurruar nga ente të tjera mësimore, kryesisht private, të cilat kanë filluar të kenë interes për të përgatitur njerëz, pikërisht në këtë fushë që Akademia po monopolizon. Dhe që nga ky moment, ajo që dëmtohet është vetëm cilësia e formimit në përgjithësi, ndërkohë që Akademia vazhdon të mbetet institucioni me paradokse nga më të çuditshmet që ekziston sot në vendin tonë.

Si në gjithë vendet e botës, aktualisht edhe në vendin tonë ekziston tregu i sigurisë, ku kërkesës së përhershme për siguri i përgjigjet oferta e shteti dhe ajo private, secila me specifikat e saj. Pra, siguria aktualisht karakterizohet nga një miksitet ofertash publike dhe private, të drejtuara po ashtu drejt sektorëve privatë e publikë. Miksiteti mbi të gjitha konsiston në ofertën private të sigurisë edhe për sektorë publikë. Përballë një karakteristike të tillë, edhe fusha e formimit është po ashtu mikse. Formime të niveleve të ndryshme në fushën e sigurisë ofrojnë ente private dhe ente publike. Dhe në kundërshtim tërësor me këtë zhvillim spontan që konstatohet edhe në vendin tonë, Akademia e Sigurisë, në vend që të përqendrohet në rritjen e cilësisë së formimit të lartë policor, gllabëron me ligj gjithë formimin e tregut të sigurisë. Nuk është as e ndershme e as efikase, por vetëm kopje meskine e Illyrian Guard.

Por ajo që të ligështon më shumë është ngushtësia e hartuesve të VKM-së në njohjen e koncepteve, për të cilat pretendojnë të marrin monopolin dhe nga ku fillon paradoksi i parë për këtë institucion që duhet të luftojë shumë për t’iu larguar nivelit mediokër. Vendimi në fjalë përcakton monopolin e Akademisë për sigurinë dhe rendin publik, por askush nuk ka ndonjë ide se cili mund të ishte përkufizimi apo koncepti, se çfarë do të thotë rend publik? Çfarë do të thotë siguri publike? Një përkufizim i tillë ka rëndësi pasi përcakton kufijtë ku fillon dhe ku mbaron koncepti e për rrjedhim edhe monopoli i Akademisë. Sigurisht, koncepti siguri dhe rend publik nuk ekziston gjëkundi në ndonjë ligj në vendin tonë, pavarësisht se Policia ngarkohet me mision ruajtjen e tij. Për këtë gjë nuk ka as jurisprudencë.

Në rast se hartuesit e VKM-së do të mundoheshin e të gjenin jurisprudencë jo të vendeve të tjera, por të Këshillit të Europës, anëtar i të cilit është edhe vendi ynë, dhe që përbën burim të së drejtës së vendeve anëtare, do të shihnin se kanë bërë një vërë të madhe në ujë me këtë vendim sepse, as atë që pretendojnë nuk arrijnë dot ta monopolizojnë.

Sepse në këtë jurisprudencë ata do të shihnin se sa shumë janë të lidhura konceptet e rendit publik e të sigurisë publike me sociologjinë. A mund të ndalosh një sociolog t’u flasë studentëve të tij për vlerat morale dhe sociale të një shoqërie? Rendi moral, i cili përbën bazën e rendit publik, deviacionet e vlerave sociale që përbëjnë bazën e sjelljeve josociale dhe të krimeve janë koncepte që studiohen në universitet. Kontrolli social formal është koncept sociologjik, por që flet për institucionet ligjore dhe të sigurisë së një shtetit dhe nuk është e mundur të jenë monopol i Akademisë së Sigurisë. Kontrolli social joformal është po ashtu koncept sociologjik dhe ka të bëjë mbi rolin e shoqërisë në ruajtjen e vlerave sociale dhe që përbën bazën ku mbështetet policimi në komunitet.

Po ashtu, konceptet e rendit dhe të sigurisë janë të lidhura ngushtë edhe me psikologjinë sociale, e cila, sigurisht, nuk studiohet në Akademinë e Sigurisë. Psikologjia sociale ka fusha të shumta, ku koncepte të ndryshme lidhen ngushtë me objektin e punës së organeve të sigurisë publike. Një nga detyrat e Policisë dihet që është garantimi i sigurisë, por Akademia nuk u mëson studentëve të saj, me dhe pa monopolin e VKM-së, se çfarë është ndjenja e pasigurisë së individit, objekt i punës së përditshme të saj dhe që studiohet në universitet. Është pikërisht perceptimi subjektiv i sigurisë nga individi ai që shpjegon se përse një shtresë e shoqërisë ndihet më pak e sigurt dhe përse një pjesë tjetër më shumë përballë një presioni të dhunës që pëson çdo ditë individi. Në rast se Akademia do të thellohej t’u mësonte studentëve të saj se cilët janë elemente që ushtrojnë presion mbi sigurinë e individit dhe sesi duhen eliminuar këto burime presioni, do të konstatonte sesa shumë punë i duhet të bëjë Policia me partnerët socialë. Cilat janë llojet e dhunës që ndikojnë mbi individin dhe si? Cila është sjellja e individit kur viktimizohet, si kthehet frika nga ndjesi irracionale individuale në shqetësim social, janë tematika të zhvilluara në universitet dhe Akademia nuk mund të ketë monopol mbi to edhe sikur të donte.

Të gjithë këta shembuj kanë një logjikë të vetme. Duket qartë se Akademia e Sigurisë nuk ka kapacitetin e duhur profesional për të transformuar mësimdhënien për oficerët e nivelit të lartë, sepse mbi të gjitha nuk ka mësuar se sot mësimdhënia e specializuar duhet të jetë shumëdisiplinore. Nuk mund të jetë drejtues i përgatitur një oficer që përgatit Akademia, i cili nuk ka të shkrira në një të vetme konceptet e sigurisë me ato të sociologjisë, të psikologjisë sociale me rendin publik apo të ketë të qartë impaktin e veprimit të tij mbi qytetarin, por sidomos doktrinat filozofike të ndërtimit të shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura