Akademia e Shkencave veprimtari shkencore në nder të Bahri Becit: Bëri kërkime të suksesshme për dialektet e shqipes

Mar 4, 2021 | 11:41
SHPËRNDAJE

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka vlerësuar  personalitetin shkencor të Bahri Becit. Kryetari i kësaj Akademie, Skënder Gjinushi tha se ai takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur në Shqipëri universiteti shtetëror i porsathemeluar, Universiteti i Tiranës, po diplomonte brezin e parë.

akademia e shkencave

“Për specifikën e fushës që ai kishte zgjedhur, për t’u formuar si studiues i historisë së gjuhës shqipe; ashtu si dhe për disa fusha të shkencave natyrore, iu dha mundësia që dijet e fituara në vendin e lindjes t’i thellonte më tej në Francë, në Institutin e Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar pranë Universitetit të Sorbonës, duke u specializuar për fonetikë e fonologji. Si ndër ballafaqimet e para midis dy shkollave me nivele të ndryshme kërkesash, kjo nuk ishte një ndërmarrje e lehtë, me sukses të garantuar, por Bahriu, me aftësinë, këmbënguljen dhe skrupulozitetin që e karakterizon, ia doli mbanë.

Kjo i hapi rrugën që në këtë universitet akademiku ynë të mbronte doktoraturën, me studimin “Le système vocalique et consonantique du parler de ville de Shkodra”, punë që do të vijohej në Tiranë me monografinë “Të folmet e gegërishtes qendrore”.

Në këtë rrugë formimi tek ai u bashkuan dialektologu me foneticienin, studiuesi i gjendjes së sotme dialektore me atë të historisë së lindjes dhe zhvillimit të tyre, duke dhënë kontribute origjinale rreth tezës që si konvergjenca, ashtu dhe dallimet ndërdialektore, u shfaqën me lindjen e shqipes, ndërsa rrethanat e mëvonshme historike pak rol luajtën.

Për më shumë se një gjysmë shekulli ai bëri kërkime të suksesshme për dialektet e shqipes, historinë e formimit të tyre dhe për rëndësinë e të dhënave të dialektologjisë historike për vërtetimin e karakterit vendës dhe të vazhdimësisë historike të shqiptarëve në trojet e veta. Jeta profesionale e Bahri Becit është realizuar, thënë me dy fjalë, nga metropoli në rrethina, nga aulat universitare pariziene (si student e si mësimdhënës) në krahinat më të thella të vendit, ku jetoi e arkivoi lëndë gjuhësore me shumë vlerë për sot e të ardhmen, – tha ndër të tjera Skënder Gjinushi, duke theksuar se dashuria shkencore e tij për dialektet është e lidhur me vlerësimin e tyre si trashëgimi shpirtërore e popullit, si bazë e burim i përhershëm për pasurimin e gjuhës së sotme të njësuar.

Akademik Rexhep Ismajli e uroi nga Prishtina akademikun Bahri Becin për botimin e ri dhe në përgjithësi për rezultatet në punën shkencore. Ai u shpreh se e çmon për veprat me natyrë të sintetizuar, duke theksuar dhe falënderuar njëkohësisht akademikun Bahri Becin për kontributin e tij në kërkimin e dialekteve në terren dhe që ka dhënë një vepër sintezë të fonetikës së shqipes e më gjerë.

Prof. dr. Anila Omari paraqiti recensionin për botimin e fundmë të akademikut Bahri Becit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise” duke theksuar vëmendjen që akademiku Bahri Beci në studimet e tij gjuhësore të i ka kushtuar edhe pjesëmarrjes së gjuhës shqipe në lidhjen gjuhësore ballkanike, si një nga gjuhët themelore të saj.

“Këto studime të akademikut Bahri Beci janë përmbledhur në një vëllim së pari në shqip, botuar në Kosovë në 2001 me titull “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike”, dhe tani, në formë më të zgjeruar edhe me studime të tjera, në një vëllim frëngjisht botuar së fundi nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe”. Në këto studime ai paraqet pikëpamjet e veta për marrëdhëniet mes gjuhëve ballkanike dhe rolin e gjuhës shqipe në këto raporte. Ai përpiqet të argumentojë rolin parësor të shqipes në këtë lidhje gjuhësore, duke shkuar kështu në një linjë me themeluesit e gjuhësisë ballkanike, linjë të cilën e kanë rimarrë përsëri studiues austriakë të ditëve tona, si Schumacher e Matzinger, për rolin kyç të shqipes në shpjegimin e tipareve të përbashkëta të gjuhëve ballkanike, sidomos të tiparit të prapavendosjes së nyjes. Si shtysë dhe bazë studimore për analizën e rolit parësor të shqipes në këtë lidhje kanë shërbyer një gjysmë shekulli hulumtime në fushën e dialektologjisë shqipe, të kryera prej atij vetë në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore dhe të kolegëve të tjerë të Institutit të gjuhësisë”, – tha prof.dr Anila Omari duke theksuar një nga kontributet që sjellin studimet e këtij vëllimi në gjuhësinë ballkanike, që janë të dhënat dialektore të shqipes dhe analiza e tyre diakronike, që flasin për rolin primar të shqipes në këtë lidhje gjuhësore.

“Studimet e akademikut Bahri Beci në këtë vëllim synojnë të nxjerrin në dukje lashtësinë e gjuhës shqipe në krahasim me gjuhët e tjera të Ballkanit, rolin thelbësor të saj në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike, dhe jo më pak edhe autoktoninë e elementit shqiptar në trojet aktuale të tij. Në çdo rast autori nuk mungon të theksojë se, për shumë nga çështjet e diskutueshme e të pazgjidhura përfundimisht për të cilat ai jep opinionin e vet, janë të nevojshme studime të mëtejshme e më të thelluara. Duke qenë i përkthyer në frëngjisht, libri do t’i bëjë të njohur publikut ndërkombëtar pikëpamjet e gjuhësisë shqiptare për problemet e lidhjes gjuhësore ballkanike dhe rolin e shqipes në të”, tha prof. dr. Anila Omari.

Më pas akademik Shaban Sinani lexoi përshëndetjen e studiueses franceze Odile Daniel (prof. emeritus) nga Instituti Kombëtar i Gjuhëve të Qytetërimeve të Orientit, Francë (Institut National des Langues etCivilisations Orient), e cila i ka dërguar akademikut Bahri Becit me shumë mallëngjim urimet e saj të përzemërta me rastin 85-vjetorit dhe kremtimit të librit të tij botuar në gjuhën frënge.

“Para 30 vitesh ne jemi takuar për herën e parë, kur më ftuat në seminarin ndëkombëtar të albanologjisë që ju drejtonit në Tiranë dhe aktivitetet më kanë lënë një kujtim të madh. Si ish-kolegia juaj në Institutin e Gjuhëve Orientale në Paris, unë mund të çmoja me çfarë rrezatimi keni dhënë leksione në këtë institucion, për shkak të diturisë suaj së madhe. Studentët ishin shumë të interesuar t’ju dëgjonin, dhe, me ndërmjetësinë tuaj, kishin nisur të donin shumë Shqipërinë dhe gjuhën e saj të bukur”, shkruan Odile Daniel, e cila, si recensuese dhe redaktore e librit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise” në gjuhën frënge, premtoi se do të përpiqet në mënyrë që të mund të përhapet sa më shumë ky libër në botën shkencore në Francë.

Akademik Bahri Beci, pasi mori urimet e përzemërta të kolegëve dhe pjesëmarrësve në veprimtarinë jubilare për 85-vjetorin e tij, i emocionuar falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushin:

“Fjala e tij qe për mua ishte një befasi, të them të drejtën. Nuk arrij ta imagjinoj sesi ai, por ndoshta dashuria, e vërteta, shpirti i njeriut që i ndien gjërat, e bënë të mundur një gjë të të tillë; arriti t’i japë punës sime, që për mendinin tim ka qenë me sakrifica, një dimesion gati-gati të paimagjinueshëm edhe për mua vetë. Kështu që unë e falënderoj në mënyrë të veçantë, nuk ishte thjesht një vlerësim i punës së një anëtari të Akademisë së Shkencave, por ishte një njeri, një shpirt që fliste shumë më gjerë, shumë më thellë dhe të them të drejtën më ka emocionuar me fjalën e tij”, – u shpreh akaddemik Beci, duke falenderuar më tej edhe koleget Pëllumb Xhufin, prof. dr. Seit Mansakun, prof. dr. Anila Omarin, Rexhep Ismajlin dhe Vasil Tolen.

Vepra e akademik B. Becit “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe” në gjuhën frënge vjen në vazhdën e punimeve që kanë si objektiv sqarimin e marrëdhënieve gjuhësore midis gjuhëve të Ballkanit.

Vendosja e shqipes në vendin që i takon në rrethin e gjuhëve ballkanike, si dhe qëmtimi i tipareve ballkanike më të imta, të pavëna re apo të diskutuara përbëjnë objektin e kësaj vepre. I gjithë punimi përshkohet nga ideja se e tërë historia e gjuhës shqipe shfaqet gjithnjë e ndërlidhur me gjuhët e tjera të Ballkanit, të reja apo të lashta, të gjalla apo të zhdukura. Këto tipare vazhdojnë ende të shfaqin ndërveprim në gjuhët e Ballkanit, prandaj krahas studimit të konvergjencave, duhen parë edhe divergjencat midis këtyre gjuhëve për të kuptuar më mirë se nga rrjedhin dhe ç’prirje do të marrin në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura