Akademia e Shkencave publikon studimin: Vaksinë anti-COVID edhe për të rinjtë mbi 12 vjeç! Pro dozës së tretë te personat mbi 60 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese

Sep 21, 2021 | 9:09
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Akademia e Shkencave ka rekomanduar vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, si dhe është shprehur pro vaksinimit me dozë të tretë të personave mbi 60 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese.

Dje janë prezantuar po ashtu të dhënat mbi studimin e gjendjes imunitare ndaj virusit SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare, nga ku ka rezultuar që më shumë se 70 e popullsisë është e imunizuar ndaj koronavirusit.

VAKSINA

Debati për vaksinimin e fëmijëve ka disa javë që ka nisur në botë, por nga autoritetet shëndetësore në vendin tonë ka pasur vetëm një deklaratë të shkurtër nga ana e shefes së Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, e cila tha se po shikohet mundësia edhe për vaksinimin e të rinjve nën 18 vjeç. Por, dje, Akademia e Shkencave ka rekomanduar vaksinimin e kësaj grupmoshe vetëm me një dozë vaksine.

“Planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore. Vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç t’u rekomandohet prindërve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”, tha prof. Genc Sulçebe. Nga ana tjetër, po ashtu është rekomanduar që personat mbi 60 vjeç të aplikojnë një dozë të tretë vaksine.

“Për të parandaluar riinfektimet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, të diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare”, argumentohet nga Akademia e Shkencave.

Në vendin tonë, sipas të dhënave zyrtare, deri më tani vetëm 63 për qind e personave mbi 60 vjeç janë të vaksinuar. Doza përforcuese, edhe pse ka nisur të aplikohet në disa shtete të Europës, është kundërshtuar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila në fillim të këtij muaji kërkoi që të shtyhet vendimi për aplikimin e dozës së tretë për të moshuarit dhe personat e rrezikuar nga virusi.

Genc Sulcebe-imunolog

IMUNIZIMI

Edhe pse me shifrat zyrtare niveli i imunitetit është gati 5 për qind (duke iu referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë mbi personat që e kanë kaluar sëmundjen), studimet vijojnë të pasqyrojnë një tjetër realitet. Kështu, sipas studimit të kryer së fundmi nga Akademia e Shkencave, rezulton që më shumë se 70 për qind e popullatës është imunizuar.

“Në fazën e tretë të studimit që filloi në 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç, të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%”, theksohet në njoftimin zyrtar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura