Akademia e Shkencave të mos uzurpohet!

May 18, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

artan-fuga-INFOCIP1-1ARTAN FUGA

Në vëmendje të: zonjës Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Sporteve;

zoti Bujar Leskaj, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Një ngjarje pritet të ndodhë dhe që do të jetë relativisht e pazakontë.

Më 23 maj, ora 9°°, pra pas disa ditësh, Akademia e Shkencave po bëhet gati me këmbëngulje, sipas njoftimit, që të shkelë përsëri ligjet në fuqi që rregullojnë veprimtaritë dhe funksionimin e saj, të shkelë pra Statutin e saj, që ligji ia ka vendosur si normë juridike ta zbatojë.

Ajo do të duhej të ishte një ditë e gëzueshme për shkencën dhe kërkimin shkencor shqiptar, një ditë reflektimesh dhe tubimesh shkencore -sepse është një datë ku parashikohet të hyjnë në Akademi pesë anëtarë të rinj, nga kandidatura cilësore po kthehet në një ditë jo fort krenare. Përse i konvertojmë kështu ngjarjet?! Përse pra një ditë pranimesh të reja në radhët e akademikëve të kthehet në një ditë ku akademikët çohen prej kryesisë drejt shkeljeve ligjore dhe statutore?

Ja po e shpjegoj për publikun, por më parë bëj një sqarim se përse ky shkrim është edhe në vëmendjen e veçantë të dy personaliteteve të institucioneve të shtetit shqiptar. Në vëmendje pra të znj.Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Sporteve, dhe të zotit Bujar Leskaj, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo vjen sepse unë personalisht, si akademik, pedagog dhe kërkues shkencor, nuk jam njeri i ligjeve dhe nuk jam ngarkuar nga askush të kontrolloj zbatimin e ligjshmërisë në vend.

Mua më intereson thjesht kërkimi shkencor dhe transformimi cilësor i Akademisë së Shkencave. Aq më pak, si pjesëtar i institucionit, tentoj që problemet e tij të brendshme të mos i hap në publik, meqë mund t’i konsumoj brenda tij. Mirëpo, shoh se askush nuk po mund ta këshillojë kryesinë të mos shkojë drejt shkeljeve statutore, dhe aq më tepër, konstatimet dhe sugjerimet që kam bërë zyrtarisht, ende nuk marrin përgjigje, ato kanë të bëjnë me dy anë.

E para, konstatimi: Akademia e Shkencave dhe në Akademinë e Shkencave nuk zbatohen si duhet ligjet dhe Statuti i funksionimit dhe i veprimtarive të saj. Pra, ka shkelje.

E dyta, sugjerimi: Akademia e Shkencave duhet të hyjë brenda kuadrit juridik në fuqi, jo vetëm sepse e ka si detyrë institucionale, kjo po se po, por edhe sepse, sipas meje, pikërisht dalja nga kuadri juridik dhe normativ në fuqi, është shkaku themelor që përbën pengesën kryesore që Akademia e Shkencave të përmbushë cilësisht funksionet e saj.

Ndërkaq, mendoj, si qytetar, se tani kur brenda Akademisë nuk po rezulton se ka forca për të penguar shkeljet statutore dhe juridike të 23 majit 2016, jam i detyruar të dal në publik, të merrem me çështje ligjore që nuk i kam fare për zemër, të harxhoj kohën time, por edhe me besim t’u drejtohem krerëve të dy institucioneve shtetërore që e kanë për detyrë dhe detyrim kontrollin e ligjshmërisë dhe zbatimin e saj në këtë fushë, që të ndërhyjnë urgjentisht për ta sqaruar dhe zgjidhur situatën.

Konstatimi dhe shqetësimi im janë se në pranimin e anëtarëve të rinj, Akademia e Shkencave nuk po zbaton Statutin në fuqi që ligji e detyron ta respektojë tërësisht. Çfarë kërkon ky Statut? Kërkon që thirrja për kandidim për anëtarë të rinj të rregullt të Akademisë, për anëtarë të asociuar, pra për të gjithë nocionin “anëtarë të rinj”, të bëhet thirrje publike. Përse? Sepse anëtarë të rregullt të Akademisë mund të bëhen si mundësi edhe persona që, duke sjellë kontribute në shkencë, nuk janë megjithatë në çastin e kandidimit anëtarë të asociuar të Akademisë.

Pra mund të vijnë nga radhët e profesoratit, kërkuesve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, madje edhe pa qenë fare profesorë, por me kontribute të veçanta. Kështu e parashikon Statuti dhe ligji e bën të detyrueshëm Statutin. Mirë në kundërshtim me këtë rregull institucional dhe normativ, shkresa e kryetarit të akademisë, urdhëron njoftimin vetëm të anëtarëve të asociuar për të kandiduar, dhe nuk lejon që të ketë një thirrje publike të hapur për të gjithë ata që duan të kandidojnë.

As senatet e universiteteve, as departamentet, as profesorët dhe kërkuesit nuk kanë si ta dinë se janë hapur mundësi kandidimi. Kjo nuk është e rregullt dhe nuk është serioze. As më shumë e as më pak barazohet me shkelje të barazisë të shtetasve, si edhe krijim situatash monopol prej të cilave përfitojnë vetëm anëtarët e rregullt dhe të asociuar të Akademisë të Shkencave.

Në fakt, në shumë raste, Akademia e Shkencave nuk bën thirrje publike për të ftuar individët e interesuar jashtë saj për të përfituar nga mundësitë që ajo jep. Kam kërkuar thirrje publike për të përfituar nga grantet e botimeve të Akademisë, për pjesëmarrje në projekte të mundshme kërkimi shkencor, për pjesëmarrje në konferenca shkencore etj., por deri tani propozimet e mia për të bërë thirrje publike kur bëhet fjalë për harxhimin e fondeve publike kanë rënë në vesh të shurdhër.

Unë vazhdoj pyes dhe përsëris se kjo është e parregullt nga ana e një institucioni e agjencie publike sepse, edhe një herë, e mira publike nuk mund të jetë me karakter monopolizues vetëm për anëtarët brenda institucionit. Dhe votimi bëhet në kundërshtim krejtësisht me rregullat e një votimi normal.

Madje, lajmërohen anëtarët e asamblesë se, për shkak se duhet të formohet “kuorumi” i domosdoshëm, mund të vijnë të votojnë edhe përpara datës së mbledhjes, duke prishur krejtësisht kushtet e një votimi normal, duke shkelmuar garantimin e fshehtësisë së votës, votimin me transparencë përpara një komisioni dhe publikisht, dhe duke shkelur rregullat e Statutit për kriterin e vlefshmërisë së votimeve që kërkon “anëtarë të pranishëm” ditën e votimit dhe jo më parë ose më pas ditës të votimeve.

Këtu gjendja arrin në një situatë jo vetëm komike, por edhe krejtësisht absurde. Sikur të mos mjaftonte kjo, ndonëse përpara se sa të propozoheshin vendet e reja për kandidim për anëtarë të rregullt të akademisë do të duhej që seksionet përkatëse t’i propozonin ato, pas një shqyrtimi dhe diskutimi të hollësishëm, as një gjë e tillë nuk është bërë. Ndërkaq, sikurse e sanksionon neni 6 i Statutit, “anëtarët e rinj” që të pranohen, duhet të kalojnë në një procedurë që Akademia nuk e respekton fare. Thjesht nuk do.

Ka më shumë mundësi të trafikosh votimin e brendshëm mes akademikëve, sesa të përballesh me prurje të reja sfidantësh në fushën e kërkimit shkencor. Kjo mund të jetë një benefit për ne akademikët, por kurrë të drejtat tona nuk mund të shndërrohen në privilegje bazuar në monopole, dhe në një informacion asimetrik. Ne mund të duam, por ligji nuk na lejon.

Pra, duhet kaluar në proces shqyrtimi, diskutimi, paraqitjeje dhe madje votimi me kuorume të cilësuara për kandidaturat nëpër seksionet, e pastaj, pasi të merret informacioni mbi gjykimet e seksioneve, mund të votohet në Asamblenë e Akademisë. Madje edhe me ftesa për personalitete jashtë akademisë, me recenca dhe oponentë, sikurse etika e shkencës e kërkon të bëhen.

Hyrja e një akademiku të ri duhet të jetë një ngjarje e rëndësishme shkencore, një rast reflektimi shkencor për të gjithë komunitetin e dijes, dhe jo një ngjarje që mbyllet në një fletë votimi të fshehtë, zhytur në një kuti votimi. Akademikët, në kundërshtim me sa më sipër, kryesia e Akademisë po i çon direkt e në votim të fshehtë, pa debate e diskutime në seksione, pa votime në to, çka e bën zgjedhjen dhe përcaktimin e anëtarëve të rinj, krejt të pabazuar normativisht, dhe akademikët e rinj, të parregullt.

Kjo sjellje pra deligjitimon Akademinë e Shkencave. Për më tepër, në këto vitet e fundit, zgjedhjet e akademikëve të asociuar dhe të rregullt janë bërë në këtë mënyrë të parregullt, antistatutore, pra të paligjshme. Dhe mos harrojmë se këto procedura, jo në përputhje me ligjin, kanë edhe efekte financiare. Mos harrojmë se një status i rregullt normativ, jashtë procedurave që e rregullojnë, që përcaktojnë mbajtësin apo përfituesin, mund të kthehet lehtë në uzurpim. Unë nuk e kuptoj se përse Kryesia e Akademisë nuk zbaton rregullat dhe normat juridike dhe institucionale në fuqi.

Kush është arsyeja që e deligjitimon institucionalisht Akademinë e Shkencave, pra institucionin publik që i duhet ta administrojë? Përse nxitohet? Përse në vend të debatit dhe shqyrtimit shkencor të dosjeve të kandidaturave, ka preferuar një votim direkt, që në fshehtësinë e vet, jashtë çdo mundësie gjykimi shkencor nga ana e anëtarëve të asamblesë, të formësojë radhët e veta në mënyrë joligjore???

Ka vend për t’u parë, sepse kam përshtypjen që ky mentalitet jostatutor vjen nga një keqkuptim për natyrën autonome të institucionit të Akademisë të Shkencave. Por, autonomia nuk do të thotë aspak që institucioni, aq më shumë kryesia e tij, të kenë të drejtë të anashkalojnë normat juridike në fuqi. Nuk është kjo autonomia.

Aq më shumë sepse Akademia funksionon duke harxhuar buxhetin publik, pra është e detyruar jo vetëm të japë llogari financiare te burimi i financimit, por edhe të respektojë normat që ligjvënësi i ka vendosur për detyrë të respektojë. Prej kohësh shpreh pakënaqësitë e mia, sepse në bilancin vjetor të Akademisë, pra në raportin vjetor të saj, në vend që këto rezultate të kenë qenë sipas detyrave që ligji ngarkon Akademinë Shkencave, ka raportime fiktive.

Fiktive jo se nuk janë realizuar. Këtë nuk jam në gjendje ta them, por fiktive në kuptimin që raportohen prej vitesh rezultate, pra fryte pune që janë të akademikëve të veçuar, individualisht, të cilat paraqiten si fryte pune të Akademisë, për të cilat, në shumicën e rasteve, Akademia nuk ka luajtur asnjë rol. Apo edhe më tepër, dhe këtu nis problemi ligjor, juridik, financiar, administrativ, ka mjaft anëtarë të akademisë që punojnë në institucione të tjera shkencore, dhe që u kërkohet të raportojnë për hesap të Akademisë të Shkencave edhe punime, që ata kanë për detyrë, t’i realizojnë në institucionet e tyre përkatëse.

Pra, krijohen të çarat për të raportuar dy herë të njëjtin kërkim ose botim shkencor. Është njësoj sikur një mall të shitej dy herë. Duket se lista e punimeve të Akademisë është e gjatë, por pjesa dërmuese e raportimeve është bërë një herë në institucione të tjera shkencore. Kundrejt financimit publik, Akademia, pjesërisht, raporton si fryt pune për të cilin paguhet, një produkt që është kryer dhe për të cilin ka paguar një institucion tjetër.

E imagjinoni çfarë artificialiteti kemi në raportimet e punës shkencore! Raportimi vjetor i Akademisë ka dalë në mënyrë konsekuente jashtë funksioneve që i ngarkon ligji institucionit. Neni 4 i ligjit, kur flet për funksionet thekson :

a. “Bashkëpunimin me institucione të tjera kërkimore dhe mësimore për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës…” Ku i ka këto bashkëpunime Akademia, veçse të rralla, dhe përse në një masë shumë të madhe, në vend të tyre raporton punime shkencore që nuk vijnë nga bashkëpunime, por nga iniciativa personale akademikësh të nderuar???

A e mendon kryesia e Akademisë se çfarë kuptohet me bashkëpunim? Se në këtë kuadër kërkohen marrëveshje, kontrata, etj., etj.

b. “Propozon fusha të reja kërkimore dhe shkencore…”. Kështu thotë ligji. Por, në raportimin vjetor, prej vitesh, cilat janë propozimet për fusha të reja kërkimore dhe shkencore??? Kujt ia ka propozuar? Sa kanë qenë të reja?

c. “Ofron ekspertizën institucioneve të larta shkencore…” Kështu thotë ligji, por ekspertiza ku është? Ku gjen vend në bilancin vjetor? Ku janë shkresat përcjellëse?

A ka vendime të Asamblesë që legjitimojnë validetin e ekspertizave?

ç. “Boton periodikë dhe vepra të tjera me nivel të lartë shkencor…” Kështu thotë ligji. A ndiqen procedurat që vërtetojnë nga një institucion shkencor se botimet janë me nivel të lartë shkencor? Kush e përcakton? Apo zëvendësohen certifikimet zyrtare nga organizma shkencorë, me recenca botimesh që kudo bëhen si procedura botimi, por jo certifikimi niveli shkencor? Kështu rrezikojmë ta përdorim jo si duhet paranë publike.

d. “Organizon kongrese dhe konferenca shkencore në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare…” Këtu nuk po vazhdoj më gjatë, sepse të tilla ka raportimi. dh. “Organizon konkurse dhe dhënie çmimesh shkencore…” Kështu thotë ligji… Çfarë konkursesh janë organizuar??? Akademia e Shkencave -dhe prova është raporti vjetor i saj- në vend t’u përmbahet objektivave që i vendos ligj dhe Statuti, jep dhe i ofron publikut dhe fuqisë publike që e subvencionon, produkte të tjera.

Nga ato që nuk ia kërkon njeri. Është njësoj sikur Ministria e Arsimit të merrej me nxjerrjen e naftës në det, një kopsht fëmijësh të shiste domate, policia të organizonte spektakle artistike, bashkitë të merreshin me rritjen e deleve apo lopëve, pra sikur institucionet të mos u përmbaheshin funksioneve të tyre normative. Kush mund ta lejojë këtë gjendje!!! Dhe gjithmonë më vjen ndërmend pyetja: Perse? Përse, sipas meje, institucioni ka dalë jashtë kuadrit të tij normativ, jashtë shinave ligjore dhe institucionale të tij???

Nuk jam unë kompetent ta gjej përgjigjen. Por, gjithsesi ka vend për t’u parë se, i bazuar në ligj dhe në statut, është statusi financiar dhe administrativ i të gjithë anëtarëve të Akademisë të Shkencave, atyre të zgjedhur, por edhe atyre që paguhen si nëpunës nga Akademia, nga kryesia e deri tek anëtari më i ri. Mos vallë ka edhe mospërputhje midis të drejtave që jep ligji, pengesa që ligji ka strukturuar, dhe gjendjes statutore të këtij apo atij anëtari të veçantë të Akademisë të Shkencave?

Kryesia e Akademisë i lejon vetes lirisht që të prodhojë dokumente strategjike, sipas saj në aplikim e sipër nga pikëpamja kalanderike, ku ajo i jep institucionit atribute që as ligji dhe as ndonjë akt tjetër juridik nuk i ka. Në dokumentet strategjike dhe prioritetet e Akademisë, kryesia i ka dhënë vetes edhe perspektivën e rolit për të drejtuar institute kërkimore, si edhe për të qenë “mbikëqyrësja e vetme e aksiomave themelore të albanologjisë”!!!.

Ku i ka gjetur këto prioritete. Paguhet për gjë tjetër dhe pretendon krejt tjetër gjë të bëjë. Aq më shumë që pretendon objektiva që vijnë indirekt edhe në kundërshtim me lirinë e kërkimit shkencor, pra edhe me Kushtetutën e vendit. Pa dashur të gërmoj në detaje, sepse nisem nga shqetësimi si akademik dhe qytetar, dhe jo nga dëshira për të gjetur gabime, e kam gjithsesi si detyrë që të informoj publikun shqiptar, institucionet shtetërore, të gjitha mediat, se, sipas meje, Akademia e Shkencave ka devijime normative, ka dalje jashtë shinave juridike dhe statutore në fuqi, me pasoja mbi punën e saj, dhe përdorimin e financimeve publike, që, mbi të gjitha, kanë si pasojë dëmtimin e cilësisë dhe sasisë të punës dhe shërbimeve që ajo i detyrohet shoqërisë, e në këtë mënyrë, me rreziqe reale të deligjitimimit të akteve të kryesisë, madje edhe në konstituimin e vet të brendshëm.

Në Shqipëri mungon institucioni i kontrollit nga ana e përmbaruesit juridik të zgjedhjeve brenda institucioneve të caktuara. Për këtë arsye, pasi kam ezauruar të gjitha rrugët e tjera, i drejtohem ministres të Arsimit, zonjës Lindita Nikolla, dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që të ndërhyjnë energjikisht, ta shqyrtojnë çështjen me profesionalizimin që ne si qytetarë urojmë të kenë institucionet e tyre, dhe pasi ta evitojnë aktin joligjor të 23 majit, të shohin me hollësi edhe të gjitha ato probleme që nuk i shërbejnë qëndrimit të Akademisë së Shkencave brenda kuadrit ligjor në fuqi.

Unë si qytetar pres, kurse si intelektual kam frikë kur institucionet dalin jashtë identitetit dhe funksioneve të tyre normative, ashtu sikurse i përcaktojnë ligjet dhe aktet e tjera normative në fuqi. Unë parapëlqej të jetoj në një shoqëri artificiale ku është ligji që i rregullon marrëdhëniet institucionale, dhe jo në një gjendje natyrore ku secili imponon vullnetin e vet subjektiv, dëshirat dhe qëllimet e tij personale, në hapësirën publike. Dhe Akademia, ky institucion kaq i rëndësishëm dhe strategjik publik, duhet të jetë e para ta kërkojë këtë moralisht për të tjerët dhe jo më ta vërë në dyshim për vetveten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura