Akademia e Shkencave kundër Metës për Gjinushin, Artan Fuga: S’ka tagër të diskutojë Presidentin. E vetmja rrugë është rifutja në…

Oct 15, 2019 | 13:57
SHPËRNDAJE

Mosdekretimi i kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, e ka futur institucionin në një fazë të re krize.

fuga-gjinushi-ok

Meta nuk pranoi të firmoste zgjedhjen e Skënder Gjinushit në pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, por me sa duket, kjo e fundit nuk njeh institucionin e Presidentit të Republikës. Akademikët jo vetëm që nuk janë dakord me vendimin e Presidentit, por kanë vendosur edhe që të mos e pranojnë atë. Mësohet se në mbledhjen e datës 10 tetor, Akademia e Shkencave ka konstituuar kryesinë e re të ASH-së.

Përmes një njoftimi, dërguar anëtarëve të Asamblesë, bëhet me dije se në mbështetje të Ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i botuar në Fletoren Zyrtare, në datën 24 shtator të këtij viti, hyrë në fuqi më datë 9 tetor 2019, “në mbledhjen e datës 10 tetor 2019, u konstituua Kryesia e re e ASH, e cila ka në përbërje të saj: kryetarin, zëvendëskryetarin, sekretarin shkencor dhe 2 drejtues të seksioneve shkencore”.

Përmes këtij njoftimi, mësohet edhe data e mbledhjes së radhës së Asamblesë së Akademisë së Shkencave. Në këtë mbledhje, e cila është kërkuar të mblidhet më 18 tetor 2019, ora 11:00, është vendosur që në rend dite, krahas çështjeve si miratimi i Statutit të ri të ASH, hapja e vendeve të reja për anëtarë të Asamblesë me titullin “Akademik” dhe “Akademik i asociuar”, të futet edhe “shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës” dhe “emërimi i kryetarit të ASH, sipas ligjit”.

Bashkëlidhur me njoftimin ishte edhe kërkesa, që në rast se ndokush kishte vërejtje apo sugjerime, të mund t’i paraqiste ato. Një nga akademikët që ka reaguar kundër njërës prej pikave të rendit të ditës, pikërisht asaj të shqyrtimit të vendimit të Presidentit të Republikës, është akademik Artan Fuga. Sipas Fugës, Akademia e Shkencave nuk e ka tagrin që të vërë në diskutim vendimin e Presidentit.

Në një letër dërguar Akademisë së Shkencave, ai shprehet se “në Asamble ne nuk jemi kompetentë në fushën e së drejtës kushtetuese, dhe aq më shumë jemi në konflikt interesi nëse do të pretendonim të ishim edhe anëtarë të Asamblesë, edhe interpretuesit ligjorë të veprimeve tona”. Ndërkaq, Fuga propozon që ASH-ja të hyjë në zgjedhje të reja për pozicionin e kryetarit.

“E vetmja rrugë që mbetet logjikisht dhe ligjërisht është rifutja e Asamblesë në zgjedhje për vendin e kryetarit të ASH, me një procedurë të ndershme, ligjore dhe të arsyeshme, pasi të plotësohen vendet vakante të Asamblesë me anëtarë të rinj”, thotë ai. Më poshtë po botojmë letrën e plotë të akademikut.

LETRA DREJTUAR AKADEMISË SË SHKENCAVE

Të nderuar akademikë, lidhur me çështjen e dytë të rendit të ditës të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të datës 18 tetor, që paraqet vendimi nr. 21, datë 10.10.2019, i firmosur nga zëvendëskryetari Vasil Tole, e cila parashikon shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11223, datë 11.07.2019, dhe emërimin e kryetarit të ASH sipas ligjit nr. 53/ 2009, neni 11, pikat 6, 7, shpreh qëndrimin tim si më poshtë:

Kjo çështje nuk ka vend të jetë në rend të ditës. Gjykimin tim e mbështes sa më poshtë:

a. Sipas ligjit që citohet, Akademia e Shkencave nuk ka asnjë tagër të shqyrtojë dekretet e Presidentit të Republikës.

b. Kthimi refuzues nga ana e Presidentit të Republikës i rezultatit të zgjedhjeve të kaluara për kryetar të ASH, e ka përmbyllur procesin në fjalë.

c. E vetmja rrugë që mbetet logjikisht dhe ligjërisht është rifutja e Asamblesë në zgjedhje për vendin e kryetarit të ASH, me një procedurë të ndershme, ligjore dhe të arsyeshme, pasi të plotësohen vendet vakante të Asamblesë me anëtarë të rinj.

d. Nëse vendimmarrësi dëshiron të mbajë një qëndrim të pjekur, le të konsultohet më parë me këshilltarët juridikë të Presidencës, Kryeministrisë dhe të sjellë me shkrim mendimin e tyre për sa më sipër.

Në Asamble ne nuk jemi kompetentë në fushën e së drejtës kushtetuese dhe aq më shumë jemi në konflikt interesi nëse do të pretendonim të ishim edhe anëtarë të Asamblesë, edhe interpretuesit ligjorë të veprimeve tona. e. Sikurse edhe ju, garantoj që do të mbetem deri në fund dhe me të gjithë mjetet dhe hapësirat që hapin të drejtat e mia për një zgjidhje vetëm ligjore.

Prandaj, kërkoj që në vendimin për thirrjen e mbledhjes së Asamblesë të datës 18 tetor 2019, të hiqet nga rendi i ditës pika e cituar. Në rast të kundërt, kjo do ta fuste, sikurse deri tani, Asamblenë në një hulli joligjore, të pambështetur në statusin e saj dhe jashtë kompetencave të veta në kuadrin e ligjit që citohet.

Me konsiderata të veçanta, Artan Fuga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura