Ajshe Vata dhe Fatma Buziu: Si u kthyen në viktima dy jetimet e Medresesë, mike e shoqe të një klase

Jan 21, 2013 | 15:26
SHPËRNDAJE

Fati i përbashkët dhe i mbrapshtë i dy vajzave durrsake, Ajshe Vata e Fatma Buziu, mike dhe shoqe të një klase në shkollën e Medresesë “Mustafa Varoshi”. Si mbetën jetime që në moshën 12-vjeçare dhe pavarësisht martesës së dytë të baballarëve, ato u shndërruan në nëna për vëllezërit e motrat më të vegjël. Vetëm 18 vjeçe, njëra vdes e abuzuar seksualisht dhe e masakruar nga një 81-vjeçar, ndërsa tjetra ndodhet pas hekurave e akuzuar për vjedhjen e 150 milionë lekëve…

Fati i mbrapshtë u ka nisur herët. Edhe pse me njerka në shtëpi që kur ishin 12 vjeç, ato u shndërruan në kujdestaret e vëllezërve dhe motrave më të vegjël. Ajshe Vata dhe Fatma Buziu u bënë “nëna”, në një kohë kur vetë kishin nevojë emergjente për një nënë. Njëra nga Xhafëzotaj dhe tjetra me banim pranë qendrës së qytetit të Durrësit, mosha e gjimnazit i bëri bashkë në të njëjtën shkollë. Në vitin 2008 dy vajzat u regjistruan në Medresenë “Mustafa Varoshi” në Durrës dhe e përfunduan me sukses maturën në qershor 2012, por jo muajt që pasuan. Ajshe Vata u gjend e therrur në tetor dhe vetëm pas 4 ditësh iu bashkua koka me trupin në varr, ndërsa Fatma Buziu ndodhet prej dy javësh pas hekurave, pasi akuzohet për vjedhjen e 150 milionë lekëve në kasafortën e babait të saj. E para u masakrua nga një 81-vjeçar që tashmë ka pranuar krimin, Shaban Norja, i cili e ekzekutoi atë 3 muajshe shtatzanë dhe pas 4 viteve abuzim seksual. Ajshe Vata mbarte fëmijën e Shaban Nores, atij që për nga mosha duhet të ishte gjyshi i saj. Nga ana tjetër, faktet paraprake nga grupi hetimor në Durrës tregojnë se si Fatma Buziu u (keq)përdor nga bashkëjetuesi i saj, 21 vjeçari Ismail Xhindi. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhje, ndërsa është e provuar se paratë janë shpenzuar nga të dy. Madje, gazeta “Panorama” publikoi fotot e çiftit adloesht dhe të papunë, teksa muajt e fundit bënin jetë luksoze – në restorante, pub-e, pishina të ngrohta etj, ndërsa kishin marrë me qera dy lokale dhe një shtëpi të mobiluar në mënyrë moderne në qendër të Durrësit.
SI U BËNË SHOQE
Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, të dyja vajzat me emra tipikë myslimanë Ajshe dhe Fatma u takuan për herë të parë gjimnazin e Medresesë në Durrës, “Mustafa Varoshi”. Ajshe Vatën e përcillte çdo ditë nga Xhafëzotaj babai i saj, Muhameti, ndërsa Fatma e kishte shtëpinë vetëm 100 metër larg shkollës. Siç tregojnë shoqet që kanë patur në klasë, dy vajzat u afruan me njëra-tjetrën dhe u bënë shpejt mikesha, duke qenë se i bashkonte edhe historia e trishtë e humbjes së nënave që në vegjëli. Herë-herë rrinin në një bankë, edhe pse në klasë ishte etika që nuk ndërroheshin shoqet fillestare. Megjithatë, dy vajzat ishin sa të dashura me njëra-tjetrën, aq edhe të ndryshme. Për Ajshen, shoqet thonë se vishej përgjithësisht me rrobe të gjata por pa vënë shami, ishte tip i mbyllur, që nuk e ngrinte asnjëherë zërin dhe ishte shumë e dëgjuar. Mësonte shkëlqyeshëm, ndihmonte edhe të tjerët, por asnjëherë nuk shfaqte pompozitet. Sa për Fatmën, shoqet e kujtojnë si tip të hedhur, që i pëlqente të vishej me funde e fustane të shkurtra, për të cilat i ishte tërhequr vëmendja nga mësuesit e Medresesë. Sipas tyre, Fatma i kishte shumë qejf pub-et dhe se në vit të tretë nisi të dalë me një djalë, të cilin e identifikojnë si Ismail Xhindi, personin me të cilin aktualisht ndajnë akuzën për vjedhje të 150 milionë lekëve në bashkëpunim. “Fatma kishte ‘kokë më vete’ dhe dilte hapur me të dashurin, ndërsa Ajshen nuk e pamë kurrë të fliste me ndonjë mashkull. Sa mbaronte ora e mësimit, ajo hipte në autobusin e shkollës që e çonte deri në një farë vendi dhe atje e priste i ati”, thotë një ish-shoqe klase e dy vajzave, e cila shton se e ka parë gjithnjë babain e Ajshes, duke e marrë atë në stacionin e autobusit, ku e priste me makinën e tij. Mbi karakteret e dy vajzave të njëjtën gjë pohon edhe drejtoresha e Medresesë së Durrësit, Nerima Gjipali. Asaj i duket e pabesueshme që Ajshe Vata ka patur lidhje me dëshirë me 81-vjeçarisn, duke aluduar se ajo është përdhunuar nga ai, ose vrasësi ka marrë përsipër krimin e dikujt tjetër. Gjipali është më e rezervuar në gjykim për Fatma Buziun, duke vënë në dukje se ajo ishte paksa ekstravagante. Pas përfundimit të maturës, Ajshe Vata fitoi të drejtën e studimit në degën e Infermierisë në Tiranë, ndërsa Fatma Buziu zgjodhi rrugën e vjedhjes dhe të bashkëjetesës me të dashurin e saj, Ismail Xhindi.
PRINDËRIT
Njëri mekanik, tjetri peshkatar. Baballarët e tyre duket se ishin shumë të zënë me punë për të parë se çfarë po ndodhte me vajzat e tyre. Muhamet Vata kalonte orët më të shumta të ditës pranë ofiçinës, ndërsa Shkëlqim Buziu kishte raste që rrinte edhe me netë duke peshkuar, në varësi të kohës. Që të dy janë shprehur të çuditur për fatin e mbrapshtë të vajzave, duke u justifikuar se “nuk u ka munguar asgjë”. E kanë fjalën për ushqimin dhe veshjet, por Muhamet Vata dhe Shkëlqim Buziu nuk u flisnin jetimeve për nënat e ndjera, të cilat i zëvëndësuan me gratë e dyta. “I kam blerë çfarë më ka kërkuar, nuk e kuptoj se si ma bëri Ajshja këtë turp”, u shpreh ndër të tjera Muhamet Vata në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke mbytur dhimbjen për humbjen e vajzës e duke mbivlerësuar moralin. Të njëjtin “hall” duket se ka edhe Shkëlqim Buziu. Gjatë seancës për masën e arrestit ndaj Fatmës në Gjykatën e Durrësit, ai u përplas me tezen e vajzës, e cila i tha: “Shkëlqim, e more në qafë këtë vajzë. Atje prapa hekurave duhet të qëndrosh t’i dhe jo vajza. Të kesh turp”. I menjëhershëm qe reagimi i Shkëlqimit, i cili ashtu si Muharrem Vata, u shpreh Fatma e meritonte fatin e saj, pasi e turpëroi në sy të të gjithë botës: “Çfarë i mungonte? Është mbajtur me gjithë të mirat! I kam qëndruar pronto për çdo gjë, nuk ishte e nevojshme të ma shpërblente në këtë mënyrë. Prandaj ti shiko punët e tua dhe mos u përzje”… Këta janë dy baballarët, vajzat 18-vjeçare të të cilëve ndodhen në varr dhe në burg!

Ajshe Vata, vajza e vrarë nga Shaban Norja
Ajshe Vata e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë me një baba në emigracion, ndërsa me kthimin e tij, familja e madhe me shumë anëtarë dhe dy kurora në një shtëpi, përjetoi disa fatkeqësi. Ajo u rrit pa nënën Rrushe, pa gjyshen që ia mori emrin (Ajshe) dhe pa dy motrat e mëdha që të kujdeseshin për të, të cilat u martuan kur ajo ishte ende fëmijë. Ajshe Vata mbeti jetime e dyfishtë në të njëjtën kohë, rreth 8 vjet më parë. Për shkak të sëmundjeve të rënda, humbi njëra pas tjetrës gjyshen dhe të ëmën. Shpejt, dy femrat më të dashura të jetës së saj u zëvëndësuan me gra të reja. Gjyshi, Sulejmani dhe i ati, Muhameti u martuan sërish dhe secili prej tyre lindën fëmijë nga bashkëshortet e dyta. I pari një djalë që aktualisht është 9 vjeç dhe i bie të jetë xhaxhai i Ajshes. Ndërsa Muhameti pas 5 vajzave me Rrushen, nënën e Ajshes, lindi djalë e vajzë me bashkëshorten e dytë, Teftën, që aktualisht janë 6 dhe 5 vjeç. Këta vogëlushë, vëlla e motër nga babai, duket se Ajshja i adhuronte po aq sa motrat “safi”. Ndante të njëjtën dhomë me ta, ndërsa luante edhe rolin e nënës-fëmijë. Dy motrat e mëdha, tek të cilat do të mund të gjente deri diku ngrohtësinë amësore, u martuan shpejt pas humbjes së nënës dhe lindën po kaq shpejt fëmijët e tyre. Kështu, Ajshja mbeti e vetme në vilën e bukur me ngjyrë të verdhë, duke u bërë grua para kohe mes njerkave të dyfishta, që i ndanin vetëm dyert e shkallët; njëra në kat të tretë dhe tjetra në të dytin. Kati i parë ishte i përbashkët dhe i hapur për vizitat. Aty ka ka bujtur shpesh edhe 80- vjeçari Shaban Norja, vrasësi që i përçudnoi edhe kufomën më 11 tetor 2012.

Fatma Buziu dhe Ismail Xhindi

Fatma Buziu, vajza e arrestuar për përvetësimin e 150 milionë lekëve nga kasaforta e të atit
Nëna i ndërroi jetë nga një sëmundje e padurueshme rreth 6 vite më parë, duke lënë Fatmën vetëm 12 vjeçe dhe 2 fëmijë të tjerë më të vegjël. Si më e madhja e tyre, ajo nisi që të kujdesej për motrën Griselda dhe vëllain Hamza, ndërsa ndihmohej edhe nga gjyshja dhe tezja. Sa për babain, ai thuajse gjithë kohën ishte në punë, ku në varësi të tekave të motit, sillte më pak apo më shumë peshk. Ky ishte ushqimi kryesor për familjen, por edhe burim i të ardhurave financiare pas shitjes së tepricave. Herë pas herë i ndihmonte ekonomikisht edhe halla nga Zvicra, e cila pas vdekjes të të shoqit, një shqiptar i Morinës nga Kosova, përfitoi një siguracion të majmë. Pikërisht nga paratë e saj që ia kish lënë të vëllait në shtëpi, Fatma përvetësoi 150 milionë, në bashkëpunim me parterin që bashkëjetonte, Ismail Xhindi. Sakaq, vitin e fundit ajo ka jetuar me njerkë në shtëpi. Por vetëm dy muaj pas largimit të Fatmës me Xhindin në apartamentin me qera, babai i saj është ndarë me bashkëshorten e dytë. Shkak duket se janë bërë debatet rreth disa sendeve dhe parave që mungon në shtëpi, për të cilat babai i Fatmës ka akuzuar gruan e re, që mësohet se ishte me origjinë nga veriu. Ata janë ndarë në vjeshtë pas debatesh të mëdha dhe nga martesa e shkurtër nuk kanë patur fëmijë. Vetëm pas zbulimit të vjedhjes kolosale të parave të kasafortë Shkëlqim Buziu ka kuptuar se “mungesat” i vinin nga vajza e tij e madhe dhe jo nga bashkëshortja e dytë. Mësohet se njerka e kish paralajmëruar peshkatarin për vajzën, por ai kishte dyshuar se gruaja e dytë e akuzonte thjeshtrën vetëm nga xhelozia.

FAMILJA XHINDI
“AKUZAT E KRUSHKUT PËR TË NDARË ÇIFTIN”
Ismail Xhindi, i fejuari i 18-vjeçares Fatma Buziu, thotë se nuk ka pasur dijeni që bashkëjetuesja e tij po vidhte lekët e të atit, ndërsa e akuzoi këtë të fundit se gënjen për shumën e vjedhur. “Nuk kam pasur dijeni që e fejuara po i vidhte lekë të atit. Unë vetë kam qenë në shtëpinë e vjehrrit vetëm ditën që u fejova. Edhe nëse Fatma mund të ketë marrë lekë, ato kanë qenë në shuma tepër të vogla nga sa pretendohet”, tha para trupës gjykuese Xhindi, ndërsa e akuzoi vjehrrin, Shkëlqim Buziun, për shpifje. “Ai shpif, pasi ka për qëllim shkatërrimin e lidhjes sime me vajzën e tij, lidhje që nuk e ka pranuar që në fillim”, u shpreh Ismail Xhindi. Jashtë dyerve të gjykatës, për gazetën “Panorama”, vëllai i tij Romeo Xhindi vijon historinë: “Vëllai im nuk ka asnjë faj, këtë e ka deklaruar edhe e fejuara e tij. për më tepër bëhet fjalë për shuma të vogla parash, vjehrri i vëllait tim kërkon të përfitojë nga kjo situatë”. Sipas Romeos, qëllimi kryesor i Shkëlqim Buziut është që nga njëra anë të ndajë Fatmën nga Ismaili dhe nga ana tjetër, t’i marrë para atij.

Flet drejtoresha e Medresesë, Nerima Gjinali
MUNGESA E NËNËS NDIKOI NË SJELLJEN E VAJZAVE
Nerima Gjinali, drejtoresha në shkollën e mesme të Medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës tregon për dy ish-nxënëset Ajshe Vata dhe Fatma Buziu. Duke folur për gazetën “Panorama”, ajo thotë se mungesa e nënës ka ndikuar në sjelljen e dy vajzave…
Zonja Gjinali, çfarë është shkolla e Medresesë?
Shkolla ka kushte ndër më të mirat në të gjithë shkollat e vendit, ku 95 përqind e gjimnazistëve vijojnë degët më të mira të fakultetit. Këtu bëhet mësim shumë i rregullt dhe ka një disiplinë të jashtëzakonshme.
Si e shpjegoni faktin që dy nga ish-nxënëset tuaja rezultuan me probleme; njëra humbi jetën e masakruar, ndërsa tjetra ndodhet në burg?
Për sa kohë nxënësit janë brenda këtyre ambienteve ndiqen në sjellje dhe mësime, vëzhgohen maksimalisht, këshillohen etj. Pastaj pjesa tjetër u takon prindërve. Nuk mund të mbajmë përgjegjësi për sjelljen e nxënësve në shtëpi apo diku tjetër, kultura mësohet edhe që në vegjëli pranë familjes.
Po në shkollë, çfarë mësohet?
Ne sigurisht që punojmë shumë me nxënësit dhe u japim edukatën e nevojshme, madje për persona që kërkojnë kujdes të veçantë kemi psikologe. Ajo merret personalisht me nxënësit kur vë re se ata kanë probleme apo shqetësime të ndryshme. Po Ajshja apo Fatma, a kanë qenë ndonjëherë nën kujdesin e psikologes? Jo, as njëra dhe as tjetra. Asnjëra nga vajzat nuk ka shfaqur ndonjë shenjë apo kërkesë për të shkuar pranë psikologes.
Çfarë nxënësesh ishin Ajshja dhe Fatma?
Për Ajshen ende nuk arrijmë dot ta besojmë edhe tani veprimin që kreu, sigurisht nëse është e vërtetë që kishte lidhje me Shabanin. Se ajo vajzë që njihnim ne, nuk mund ta bënte me vullnetin e saj. Por dyshojme se Shabani e ka përdhënuar ose mban barrën e ndonjë tjetri. Ajshja ishte shembull për të gjithë, flas vetëm për sa i përket shkolllës së Medresesë. E kishin zili të gjithë, sepse ishte një vajzë shumë e zgjuar dhe mësonte jashtëzakonisht. Ndërsa edhe vajza tjetër, Fatma Buziu kishte sjellje të mirë brenda mureve të shkollës, por e ekzagjeronte me veshjen e saj paksa të tepruar dhe jo të përshtatshme për shkollën e Medresesë apo dhe shkolla të tjera.
Çfarë mendoni se mund të ketë ndikuar për fatin e mbrapshtë të tyre?
Mungesa e nënës. Fati i keq i tyre ishte se nuk kishin nënën, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm në jetë te formimi i fëmijëve. Ato nuk e patën këtë kujdes. Patjetër që prindërit e tyre janë njerëz të mbrekullueshëm dhe janë përpjekur t’i edukojnë e t’u qëndrojnë pranë, por me sa duket… nuk paska mjaftuar. Më vjen shumë keq për të dyja vajzat.

ELISABETA ILNICA
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura