Ahmetaj publikon shifrat: Të ardhurat nga turizmi, mbi dy miliardë euro

Oct 16, 2018 | 8:12
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në Këshillin e Investimeve se këtë vit të ardhurat nga turizmi do të arrijnë 2 miliardë euro. Ministri Ahmetaj tha se ky sezon turistik konsiderohet më i miri i shumë viteve, për shkak të numrit të lartë të vizitorëve dhe masave të marra për formalizimin.

ahmetaj

“Turizmi solli në ekonominë shqiptare të ardhura në nivel historik, në vitin 2017 prej 1.7 miliardë eurosh ose 12 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga viti 2013 rritja është domethënëse, nga 1.1 miliardë euro në 1.7 miliardë euro në vitin 2017 dhe në vitin 2018 presim një shifër prej pak më shumë se 2 miliardë eurosh.

Pra, për 4 vite, flukset hyrëse të lidhura me aktivitetet e turizmit janë rritur me 54.3 për qind ose mesatarisht me 13.5 për qind çdo vit. Parë në numrat e vizitorëve, sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në 8-mujorin e vitit 2018 është 4.4 milionë, duke u rritur me 12.4 për qind në krahasim me 8 muajt e vitit 2017”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se rritja e turizmit llogaritet 1 për qind çdo vit, e cila është shoqëruar dhe me rritje të punësimit.

“Më rritjen më të madhe është Saranda me 48 për qind, Durrësi 10 për qind dhe Vlora 14 për qind. Ndërkohë, përsa i përket punësimit, në fund të gushtit 2018, krahasuar me gusht 2017, rezultojnë 34 mijë të punësuar më shumë në borderonë e Tatimeve në shkallë vendi. Pra, 34 mijë brenda një periudhe prej 1 viti.

Në 5 rajonet kryesore turistike janë 11.811 vende të reja. Vetëm në qershor-gusht në këto 5 bashki, janë 11.377 të punësuar, pra, efekti i drejtpërdrejtë i sezonit turistik, i reflektuar në rritjen e punësimit dhe të aktivitetit të bizneseve”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave u ndal edhe të paketa e re fiskale, që, sipas tij, do të ulë dividendin për korporatat nga 15 për qind në 8 për qind, si dhe do të rrisë pragun në 150 mijë lekë të rrogave që do të taksohen 23 për qind.

“LUFTË INFORMALITETIT NË BOOKING DHE AIRBNB.COM”

Lufta kundër informalitetit në sektorin e turizmit do të shtrihet edhe me kontrollin e dy prej platformave më gjigante në botë për prenotime të dhomave dhe shtëpive me qira, siç janë booking.com dhe Airbnb.com.

“Kam filluar negociatën me platformat dixhitale të Booking.com, apo Airbnb.com, për të filluar, për të marrë informacion zyrtar nga këto platforma për të gjithë ato struktura që jepen me qira në territorin e Shqipërisë, po që për arsye se janë shtëpi banimi janë larg syrit, skanerit dhe radarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, apo të institucioneve të FISKUt. Së shpejti, për shkak të kësaj reforme madhore të fiskalizimit, beteja jonë kundër informalitetit do të kalojë në një nivel tjetër”, tha Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura