Ahmetaj: Naftëtarët do të marrin pagesën e papunësisë

Jan 18, 2018 | 11:33
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria ka marrë vendim që të gjithë naftëtarët e rafinerisë së Ballshit dhe Fierit që janë pa punë, të përfitojnë asistencë sociale.

auto_arben-ahmetaj1475761956

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ftoi dje të gjithë naftëtarët e papunë të aplikojnë për statusin e papunësisë, me qëllim që të përfitojnë pagesën e papunësisë. Ministri Ahmetaj garantoi se naftëtarëve do t’u krijohen lehtësira për t’u regjistruar në zyrat e punës.

“Është marrë angazhim nga qeveria që Zyra e Punës në Qarkun e Fierit dhe zyrat përkatëse në qytetet përkatëse, të jenë në ndihmë, në shërbim të punonjësve të dy rafinerive, për t’i ndihmuar për aplikimin e statusit të papunësisë, në mënyrë që ata punonjës që sot janë pa punë në të dyja rafineritë, të përfitojnë menjëherë, në bazë të ligjit, pagesën e papunësisë. Pra, qeveria qëndron të jetë e angazhuar pranë naftëtarëve, duke i ndihmuar me procedurat, duke i vënë në dispozicion Zyrat e Punës, në mënyrë që ata punonjës, ata naftëtarë dhe ata familjarë të përfitojnë menjëherë pagesën e papunë- sisë”, u shpreh kreu i Financave në deklaratën për mediat, pas mbledhjes së qeverisë. Ministri Ahmetaj tha se qeveria do të mbështesë projektet e investitorëve seriozë që do të kërkojnë të venë në punë rafineritë e Ballshit dhe Fierit.

“Qeveria qëndron e angazhuar, e vëmendshme deri në detaje, për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë me një projekt serioz, për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit, apo një ofertë nga investitor serioz, për zhvillimin e një biznesplani në sektor, ku përfshin vënien në punë të të dyja rafinerive. Jemi në gatishmëri, të vëmendshëm deri në detaje për të mbështetur çdo iniciativë private për vënien në punë të rafinerive”, tha Ahmetaj.

AEROPORTI I VLORËS

Kryeministri Edi Rama dha dje lajmin e mirë se në muajin qershor nisin punimet për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës. Më pas, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se interesi për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është shfaqur nga konsorciumi turk i tre kompanive, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction. Sipas propozimit, aeroporti mendohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë. “Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do të shqyrtojnë aspektet teknike të propozimit dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore”, sqaroi Ministria e Infrastrukturës. Investimi do të jetë privat dhe jo me fondet e buxhetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura