Ahmetaj me vendorët: Përjashtoni nga taksa e pronës pensionistët e vetëm

Apr 18, 2018 | 9:34
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Në konferencën me vendorët ku u analizua zbatimi i ligjit të ri për pushtetin vendor, i cili ka një vit që po implementohet, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, kërkoi angazhimin e vendorëve për zbatimin e metodologjisë së re të taksës së shtëpive.

Ministri Ahmetaj u tha drejtuesve të pushtetit vendor se nga 1 prilli duhet të llogarisin dhe arkëtojnë taksën e pronës, sipas metodologjisë së re. Ministri Ahmetaj ngriti edhe shqetë- simin e rritjes së detyrimeve të prapambetura dhe u kërkoi vendorëve t’i përmbahen planit të uljes së tyre, pasi në të kundërt do t’u shkurtohen fondet.

AHMETAJ

TAKSA E PRONËS

Kreu i Financave, Arben Ahmetaj, përsëriti dje në takimin me vendorët se nga taksa e shtëpive do të përjashtohen pensionistët e vetëm dhe familjet me ndihmë ekonomike.

“Në shumicën e rasteve, ngarkesa është ulur dhe në shumicën e rasteve, për shumë kategori ngarkesa është transparente e në të njëjtën kohë, brenda ligjit, kemi menduar aspektin social, që do të thotë se pensionistë të vetëm apo persona të kategorive në nevojë që përfitojnë nga skemat indirekte të mbështetjes, janë të përjashtuar nëpërmjet koeficienteve që kemi përdorur. Kemi mbështetur kategori të ndryshme siç janë ata që kanë shtëpi të ndërtuar përpara vitit 1993 dhe, në të njëjtën kohë, kategori të biznesit, të sipërmarrjes së prodhimit kryesisht, e të prodhimit në bujqësi gjithashtu, ku i kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme ngarkesën”, tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj u tha vendorëve se ligji iu njeh të drejtën për të ulur apo rritur me 30 për qind taksën e ndërtesës.

“Nëpërmjet ligjit, u kemi dhënë një mundësi shumë të mirë dhe njësive vendore, që të mendojnë aty ku ata duhet të lëvizin ciklikisht apo kundër ciklikisht në logjikën e tyre fiskale dhe ekonomike, një 30 për qind balancë ulje apo rritje, pa cenuar unitetin ekonomik të vendit”, tha ministri.

DETYRIMET E PRAPAMBETURA

Ministri i Financave, Ahmetaj, gjatë takimit ngriti shqetësimin e detyrimeve të prapambetura. Kreu i Financave iu kërkoi drejtuesve të pushtetit lokal, t’i përmbahen planit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, pasi ato rrinë në kurriz të qytetarëve.

“Detyrimet tuaja të prapambetura rrinë në kurriz të qytetarëve dhe kur ato konsolidohen në nivel qendror në qeverinë e përgjithshme, sigurisht që duhet ta dini, secili nga ju që jeni përfaqësues të qeverive vendore, që pa dashje, nëse ju vazhdoni kështu, u jepni kosto qytetarëve të Shqipërisë nëpërmjet vetes, por dhe në kurriz të qeverisë qendrore. Ky është një element që do të duhet të marrë fund, është gangrenë dhe e trashëguar”, tha Ahmetaj. Kreu i Financave u shpreh se në rast se vendorët nuk shlyejnë detyrimet e trashëguara, do t’iu shkurtohen fondet.

“Dua të ndaj me ju, në modesti të plotë, në mirëkuptim të plotë, jam i bindur që dhe USAID do të më mbështesë në këtë lutje shumë të drejtpërdrejtë ndaj jush, që të merret seriozisht skeduli i shlyerjes, në mënyrë që Ministria e Financave, në emër të qytetarëve, të mos detyrohet që të prekë transfertat. Besoj që ky është një mesazh shumë i qartë, e kërkuam ligjin e financave vendore, një ligj shumë i rëndësishëm dhe cilësor, ka angazhim politik, por, mbi të gjitha, angazhimi politik për autonominë e njësive vendore shoqërohet me disiplinë financiare”, u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura